Shyqyri Murati, i nxehur me të shoqen që i kujton 35 mijë eurot e humbura në bixhoz, i vë flakën shtëpisë ndërsa të gjithë familjarët janë brenda. Është arrestuar e duhet të përgjigjet për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje në rrethana rënduese
Romë, 22 tetor 2012 – E shoqja i kujton përgjegjësitë e tij për 35 mijë eurot të hedhura në erë për shkak të bixhozit dhe ai, në një çast çmendurie, i vë flakën shtëpisë e familjes, duke shkatërruar kështu edhe atë “pasuri” që çifti kishte vënë me vite të tëra sakrificash. Tani duhet të përgjigjet për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje. Sipas ‘Il Mattino di Padova’, protagonisti është Shyqyri Murati, 47 vjeç, prej dhjetë vjetësh rezident në Fontaniva të provincës së Padovës.
Ngjarja është e të shtunës 20 tetor. Prej dhjetë vjetësh Shyqyri Murati jeton në rrugën Brenda, bashkë me të shoqen, të atin dhe të birin vetë i tretë (ky ka një të fejuar dhe një djalë tremuajsh). Ajo e familjes Murati është një histori e zakontë integrimi për të cilën fqinjët thonë “nuk i kishim dëjuar kurrë të bënin fjalë me zë të lartë. Njerëz të zakonshëm, punëtorë dhe të qetë”.
Por të shtunën diçka ndodhi. Familja kishte shkuar të hante jashtë dhe gjithçka dukej si zakonisht. Kur kthehen në shtëpi duket e burrë e grua nisin të diskutojnë. Gruaja e kritikon sepse ka futur familjen në borxh për atë dreq bixhoz: 35 mijë euro të humbura në videopoker. Shyqyriu, ndoshta pak i dehur, reagon në mënyrë absurde duke i vënë flakën shtëpisë që mezi kishin rregulluar me njëqind sakrifica.
Familjarët ngjiten lart ai ngelet vetëm në kuzhinë, në katin përdhes. Merr një bidon me benzinë, e hedh mbi mobilie, mbi dysheme dhe i vë zjarrin. Brenda pak minutave shtëpia përfshihet nga flakët. I biri e ndien i pari dhe u kërkon ndihmë fqinjëve. Këta marrin në telefon karabinierët dhe menjëherë i shkojnë në ndihmë familjes shqiptare, por pa arritur të mundin flakët me markushin e oborrit.
Të gjithë familjarët jashtë nuk mund të bëjnë tjetër veçse të shohin si digjet para syve të tyre gjithçka kanë vënë me shumë mund e sakrifica në vite të tëra pune. Dalin edhe fqinjët, të trembur për familjen shqiptare por edhe se flakët e larta vënë në rrezik është shtëpitë e tyre. Të gjithë kujtojnë se faji është i ndonjë aksidenti, i ndonjë problemi elektrik, apo se ka shpërthyer stufa. Kuptojnë se ç’ka ngjarë me të vërtetë vetëm kur karabinierët sekuestrojnë shtëpinë dhe arrestojnë Muratin me akuzën e zjarrvënies dhe të tentativës së vrasjes në rrethana rënduese.
Familjarët, të tronditur për ngjarjen, tani janë strehuar te një nga vajzat e Shyqyriut që jeton me të shoqin e saj pak më tutje, gjithnjë në Fontaniva.