in

Iluzioni i madh

Daniele Vicari paraqet në Venecia “La nave dolce” një dokumentar mbi një nga zbarkimet e mëdha të imigrantëve nga Shqipëria, më 8 gusht 1991 në Bari: ishin 20 mijë, në bord të Vlorës, dhe mbërrinin nga Durrësi. Në një tjetër film, “Anija – La nave degli albanesi”, Roland Sejko rrëfen historinë përpara e pas Vlorës

Nga Paolo D’Agostini

Akoma i angazhuar me prezantimin e filmit Diaz  dhe diskutimin e tij me publikun në arenat verore, regjisori Daniele Vicari përgatitet të paraqesë (në përzgjedhjen zyrtare jashtë konkurrimit në festivalin e Venecias) një dokumentar përgatitja e gjatë e të cilit ka shkuar paralelisht me angazhimin në filmin mbi ditët e Genovës të korrikut 2001. Rrëfen, me anë të repertorit dhe të intervistave, një fakt të dhjetë vjetëve më parë, të 8 gushtit 1991, dhe ndoshta jo vetëm në perceptimin e tij, ekziston një lidhje mes dy çasteve. (…)

Dokumentari i Vicarit quhet La nave dolce. Është fjala për mbërritjen e bujshme në portin e Barit të njëzet mijë shqiptarëve, të rinj e shumë të rinj, të ngjeshur në anijen merkantile Vlora që ishte sulmuar dhe detyruar me forcë të nisej drejt brigjeve italiane nga porti i Durrësit. Dhe për odisenë e tyre që zgjati rreth një javë në atë fillim gushti 1991, në kushte çnjerëzore mes portit dhe stadiumit të kryeqendrës puljeze, para se pjesa dërrmuese e tyre – një numër i panjohur arriti të dalë prej andej e të qëndrojë në Itali falë ndihmës së qytetarëve – të riatdhesohej me anije apo avionë në Shqipëri.

Anija është e ëmbël, sipas titullit të zgjedhur, ndoshta sepse fryma e atij “pushtimi” donte të ishte jo vetëm paqësore por edhe mirënjohëse ndaj një toke që përfaqësonte Lirinë, që fillimisht, por edhe më pas, nuk shprehu alarm por mikpritje.

Përveç të gjitha të tjerave, imazhe, veprime dhe fjalë të personave që instinktivisht morën vendimin të hipnin në anijen Vlora duke lënë pas krahëve gjithçka sa hap e mbyll sytë (mes tyre është edhe Kledi Kadiu, asokohe pak a shumë fëmijë, më pas balerini i famshëm), lë përshtypje të thellë të rishohësh e ridëgjosh presidentin e atëhershëm të Republikës, Francesco Cossiga të zbritur në Bari – president i Republikës, jo ministër i Brendshëm – të thotë në një konferencë shtypi fjalë të një ashpërsie të pazakontë kundër “papërgjegjësisë” së strategjisë së mbështetjes dhe të solidaritetit të kryebashkiakut të qytetit, demokristian edhe ai. Ja ç’thotë Vicari. “Nuk është e lehtë të tregohet një eveniment kolektiv në kinema, territori i privilegjuar i rrëfimit kinematografik zakonisht është heroi e antiheroi. Në vetëdijen time prej tregimtari, La nave dolce gërshtohet me Diaz. Nuk di pse, por e ndiej që kanë diçka të përbashkët. Përveç rastësisë që filmat janë realizuar njëkohësisht, që të dy tregojnë episode kolektive që përfaqësojnë një pjesë të ngjarjeve historike-politike më të mëdha e komplekse. Por edhe nga pikëpamja historike-politike – vazhdon regjisori – shoh një vazhdimësi mes dy episodeve: Cossiga që zbret nga avioni e shkon të pohojë në konferencë shtypi të parin kthim në masë të kryer në Italia, është sipas meje, shenjë e ndryshimit të thellë politik të vendit tonë pas rënies së murit të Berlinit. Nga ai çast, administrimi i rendit publik nis t’i zërë vendin politikës në aspektin e të drejtave shoqërore. Një involucion i mirëfilltë demokratik që është shprehur në maksimumin e tij në Genova në vitin 2001”.

E nëse Vicari përqendron të gjithë vëmendjen e tij mbi historinë e Vlorës, për më tepër pa na thënë cili ishte fati i mëpasshëm i dëshmitarëve të intervistuar, një tjetër dokumentar që do të shohim më tej (në festivalin e Romës së Marco Muller-it?) vendos të përqafojë një horizont më të gjerë ngjarjesh. Autori është shqiptar, Roland Sejko, që edhe vetë zbarkoi në Itali pak muaj përpara Vlorës. Anija e tij quhej Legend dhe sillte rreth pesë mijë bashkatdhetarë të tij. Përpara Vlorës të ardhurit trajtoheshin si refugjatë e jo si emigrantë klandestinë.

E pra Sejko, që më parë kishte realizuar edhe Albania, il paese di fronte, një film i bukur montazhi imazhesh repertori të institutit Luce dhe të arkivave shqiptarë mbi marrëdhëniet e ngushta mes dy brigjeve të Adriatikut (veçanërisht pushtimin italian të viteve 1939-1943), me filmin e tij Anija – La nave degli albanesi rrëfen historinë përpara e pas Vlorës. Historia përpara është ajo e agonisë së regjimit të Enver Hoxhës, që pasi ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në 1961-shin e më pas me Pekinin në 1978-tën, e kish hedhur vendin në makthin e skamjes, dhe ajo e euforisë në fund të viteve të izolimit; historia e pas Vlorës është ajo e valës së kaosit dhe të anarkisë së mesit të viteve Nëntëdhjetë, dhe e atyre që rindërtuan një jetë të re në Itali apo Shqipëri.

Dy dokumentarët kanë të përbashkët dëshminë e Evës që ishte në anijen Vlora dhe që sot jeton në Pulja. Fjalët e saj të kthjellëta e plot emocion japin me saktësi se çfarë prisnin nga Italia ata të rinj të asaj kohe, shumë prej të cilëve të laureuar si ajo e që para se të niseshin njihnin mirë gjuhën italiane.

Botuar në të përditshmen La Repubblica, 8 gusht 2012,

Lexo në origjinal “La grande illusione”

Vlora zbarkon edhe në Venecia

Turistët “e huaj” shqiptarë