Për të gjetur një vend pune e besojnë ç’u thonë miqtë. Rezultatet e një hulumtimi i Ismu-Censis dhe Iprs
Një vend punë fiks dhe me dokumente të rregullta mbetet një dëshirë e madhe jo vetëm për italianët, por edhe për imigrantët. Është ky rezultati që del nga një anketim i promovuar nga Ministria e Punës dhe i kryer nga Ismu, Censis dhe Iprs mbi një kampion prej 13 mijë punonjësish imigrantë. Rezultatet e këtij anketimi janë botuar në revistën “Libertà civili”.
Edhe hyrja në tregun e punës ndjek të njëjtat kanale si ato të shtetasve italianë, me përparësinë absolute të kanaleve jo formale, ndër cilët mbizotëron kalimi i lajmit gojë më gojë. Me këtë mënyrë, 73,3% e punonjësve të huaj thonë se kanë gjetur punën aktuale.
Profesionet më të shpeshta të të intervistuarve janë ato në fushën e shërbimeve në restorante dhe në hotele (16%), në asistencën shtëpiake (10% e 19% mes grave) dhe punëtorë të përgjithshëm në shërbime, industri ose në sektorin e ndërtimeve. Ndër profilet profesionale më pak të përhapur, ato që kanë nevojë për kualifikim më të lartë, profesionet intelektuale, punonjësit e specializuar, mjekët dhe personeli shëndetësor, sipërmarrës ose teknikë të specializuar.
33% e punonjësve të huaj që kur ka ardhur në Itali ka kryer të njëjtën punë, ndërsa 40,4% kanë punuar në dy vende. Vetëm një e pesta (19,2%) deklaron se ka ndërruar tre punë dhe 7,4% tregon se ka ndërruar katër ose më shumë vende pune. Nëse karriera ecën përpara me rritjen e moshës dhe të viteve të kaluara në Itali, nga pikëpamja e kombësive vihet re se subjektet e përfshirë më shumë në ndërrimin e vendeve të punës janë shqiptarët, peruanët dhe senegalezët, ndërsa në drejtim të kundërt gjejmë kinezët, indianët dhe qytetarët e Bangladeshit.
Gjithsesi ndërrimi i vendeve të punës jo gjithnjë është tregues i përparimit në karrierë. Duket se kur ndërrimet e punës janë shumë të shpeshta, bëhet fjalë për histori veçanërisht të vështira punësimi, shpesh të karakterizuara nga periudha papunësie ose nga vazhdueshmëria e kontratave me afat në vende punë më pak të kualifikuara dhe më pak të paguara.
Mesatarisht punonjësit imigrantë të intervistuar kanë pasur përvoja në dy vende pune, me një kohëzgjatje mesatare prej rreth tre vjetësh. Por nëse llogariten përvojat e punës të mbaruara, kohëzgjatja mesatare zbret. Kjo dëshmon se ndërrimi më i shpeshtë i vendeve të punës përkon me periudhën menjëherë pas mbërritjes në Itali. 77,6% e imigrantëve të pyetur, thotë se është i kënaqur me punën aktuale dhe përmirësimin në krahasim me punën e mëparshme e mat me pagën, me kushtet e kontratës, e më pas me llojin e punës së kryer dhe me stabilitetin.
Më të paktë janë ata që ndjejnë një përmirësim të nivelit në krahasim më të kaluarën e tyre. Kush ka një shkollim më të lartë, gjithsesi ka më shumë mundësi të paraqitet në tregun italian me më shumë kompetenca dhe përvojë të grumbulluar më parë. Kapitali kulturor bën që këta emigrantë të aktivizohen personalisht për të gjetur dhe për të përfituar nga mundësitë e orientimit e trajnimit që ofron tregu ose ndërmarrja ku ai punon.