Janë protagonistët e filmave të Festivalit të 68-të të Filmit. Të filmit “Là-bas” i regjisorit Guido Lombardi, “Terraferma” i Emanuele Crialese, “Cose dell’altro mondo” i Francesco Patierno
Romë, 30 gusht 2011 – Nis më 31 gusht edicioni i 68-të i Festivalit ndërkombëtar të kinematografisë së Venecias që mes filmave të shumtë në konkurs do të ketë në garë edhe filma dedikuar temës së imigracionit.
Më 5 shtator do të jetë radha e “boat-people”. Një varkë që do të mbërrijë mbi tapetin e kuq të Lagunës me imigrantët e saj nga Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Benini. Është e veçantë gjetja promocionale e regjisorit Guido Lombardi për të prezantuar filmin e tij “Là-bas-Educazione kriminale”.
Filmi italian, i vetmi në garë në seksionin “Settimana della Critica”, rrëfen ditët dramatike të dhunës ndaj imigrantëve zezakë në Castel Volturno. Në qendër të filmit është historia e një të riu jokomunitar që vjen në Itali plot shpresë por të cilit i duhet të përballet me përditshmërinë e vështirë dhe të egër.
I pranishëm në seksionin “Controcampo italiano” (ku konkurrojnë tendencat e reja të kinematografisë italiane) do të jetë filmi i shumë përfolur i Francesco Piaternos, “Cose dell’altro mondo”, që ka për protagonist Diego Abatantuono në rolin e sipërmarrësit ksenofob. Në film, Abatantuono predikon urrejtjen raciale dhe dëbimin e të huajve deri kur, për një mrekulli, lutjet e tij përmbushen: një ditë të bukur, qyteti i tij gdhihet pa të huaj dhe sistemi shoqëror dhe ekonomik paralizohet, duke nxjerrë në pah rëndësinë e të huajve në shoqërinë italiane.
Gjithnjë mbi temën e imigracionit, por jo në konkurrim, është filmi i Ermanno Olmit “Il villaggio di cartone” i cili denoncon një humanitet gjithnjë e me më pak vlera e solidaritet ku “të braktisurit e vërtete të Ungjillit janë tashmë imigrantët”.
Së fundi, pritje e ethshme për “Terraferma” në garë për çmimin “Leone d’Oro 2011” të Emanuele Crialeses që trajton temën e imigracionit dhe të përballjes së kulturave të ndryshme. Filmi, që do të shfaqet më 4 dhe 5 shtator në Venecia, dhe nga 7 shtatori në sallat e kinemave, rrëfen miqësinë mes dy grave: njëra lampeduzana të cilës i ka vdekur burri në det dhe tjetra klandestine në arrati. E gjithë kjo në ishullin e Lampedusas të ndarë dysh mes dëshirës për turizëm dhe frikës së zbarkimeve.
Marco Iorio