in

Ing. Mark Shkreli, një jetë për t’u treguar

Me një mbrëmje të posaçme, shoqata Scanderbeg e Parmës i feston ditëlindjen bashkatdhetarit Mark Kol Shkreli, inxhinier me karrierë të gjatë e pasur, prej një familjeje patriotësh shkodranë

Ditën e shtunë, më 14 maj 2011, në një sallë në Sheshin Pablo në Parma, u mblodhën shumë bashkatdhetarë shqiptarë, plot miq dhe të ftuar të familjes Shkreli, drejtues, miq e admirues të veprimtarive të shoqatës Scanderbeg Parma për të bashkëndarë gëzimin e Mark Kol Shkrelit në festimin e 70 vjetorit të tij të lindjes. Ky eveniment u organizua nga Shoqata Scanderbeg e Parmës, e cila është shumë e ndjeshme dhe e kujdesshme në organizimin e çdo veprimtarie që ka të bëjë me ngjarje, dukuri apo persona dhe me ndjeshmërinë e mbarë komunitetit shqiptar në Parma e rrotull.

Të pranishmit, me hyrjen në sallën ku u zhvillua veprimtaria, për disa çaste harruan se ndodheshin në Parma, dhe u futën ne zemër të jetës dhe karakteristikave të qytetit madhështor të Shkodrës. Kjo për shkakun se, motra e protagonistit të festës, zonja Ana Shkreli ,kishte sjellë një valixhe plot me objekte karakteristike të hershme shkodrane,që ajo ruan me nostalgji dhe fanatizëm si veshje tipike tradicionale për gra e burra të qytetit,mbulesa, çarçafë apo peceta si pajën e një vajze të epokës së vjetër shkodrane, fotografi të pjesëtarëve të familjes Shkreli të varura nëpër muret e ambientit rrethues. Me këto objekte të mrekullueshme u vesh e gjithë salla, e cila e pasuruar nga tregimet e vetë protagonistit të mbrëmjes, ing. Markut dhe ilustruar nga fotot e arkivit të familjes Shkreli, i dhanë kësaj feste një formë të plotë përshkruese të jetës së Mark Shkrelit, një efekt konkret viziv për të ftuarit, duke i përfshirë të pranishmit në tregimet e tij, për një jetë të ngarkuar me emocione pozitive, me kënaqësi, por edhe me një ngarkesë emocionale trishtimi për një periudhë të caktuar të jetës së Markut, që i ka lënë gjurmët e saj në thellësinë e shpirtit të tij, ajo e persekutimit politik dhe vuajtjes së dënimit në burgun famëkeq të Ballshit. Festimi i përvjetorit të lindjes të inxhinierit Mark Kol Shkrelit merr shkas prej faktit se Marku është anëtar i shoqatës Scanderbeg, nga të parët aktivistë të saj. Ai mbulon rolin e këshilluesit pranë kësaj shoqate. Është nga emigrantët shqiptarë të parë të mbërritur në qytetin e Parmës.

Marku mund të krenohet për origjinën e fisit, prejardhjen e të parëve të tij, nga fiset më të vjetra dhe të respektuara të qytetit të Shkodrës, me vlera të shquara patriotike. Në këtë kontest mund të përmendim patriotin e flaktë Dasho Shkreli, për të cilin janë shkruar shumë vargje, këngë popullore, që risjellin tek ne guximin e tij për të përballur turkun dhe shovinizmin serb dhe gjyshin e tij nga ana e nënës, Shan Koleka, që bënte pjesë në grupin e deputetëve në pavarësinë në nëntor 1912 dhe në Kongresin e Triestes më 1913-tën, krah patriotëve të shquar shqiptarë si Noli, Konica, Hil Mosi etj.

Marku Shkreli ka një karrierë të shkëlqyer profesionale në fushën e inxhinierisë kimike,pasi ka përfunduar studimet e larta pranë universitetit të Tiranes në vitin 1962 me rezultate te shkëlqyera. Karriera e tij ka nisur në Shqipëri me detyra të ndryshme, si fabrika e çimentos në Shkodër me rolin e inxhinierit kimist; më pas vijojnë emërimet  në Ndërmarrjen Ushqimore në Shkodër; Ministrinë e Industrisë dhe  Minierave; Fabrikën e Bukës në Tiranë. Ai ka përmbushur detyra të një rëndësie të veçantë, në rolin e inxhinierit, kryeinxhinierit, specialistit etj, që që e ngarkonin me përgjegjësi jo vetëm profesionale, por edhe organizative e teknike, në kushtet e vështira ekonomike dhe politiko-shoqërore që kalonte Shqipëria e asaj periudhe. Por që nuk e penguan inxhinierin e nderuar Mark Shkreli, që të japë maksimumin e aftësive të tij intelektuale e profesionale në një fushë, së cilës i pati dedikuar studimet e tij, në kiminë industriale. Marku dha gjithashtu kontributin e tij në ndërtimin e disa fabrikave te reja dhe disa linjave deri atëherë të pazbuluara apo të paperfeksionuara në Shqipëri.

Karriera e tij brilante, e mbushur me eksperienca, me dedikim ndaj punës dhe studimit e kërkimit shkencor, e shpërblen Markun dhe në periudhën e emigracionit në Itali, në qendrën e punës së tij të re në Parma, në firmën e njohur Parmalat. Duke u integruar hap pas hapi në këtë firmë te madhe dhe leader ne sektorin e saj si në Itali dhe jashtë saj për 18 vjet ai arriti të mbulojë edhe sektorin teknik si në PRL- Hungari, PRL- Rumani, PRL- Rusi etj, me detyrën e përgjegjësit të Projekteve për vendet e ndryshme, koordinues zone, drejtor inxhinier për Europën Qendrore dhe Lindore deri në çastin e daljes së tij në pension në vitin 2008.

 

Në fund të mbrëmjes, iu rezervuan disa çaste një kokteji te shkurtër, shijimit të tortës, bërjes së urimeve për të festuarin nga ana e të gjithë të pranishmëve, të cilët mbetën të emocionuar nga mbrëmja gjatë të cilës u përshkrua, nëpërmjet kujtimeve të një figure si ing. Mark Shkreli, një pjesë historie e Shqipërisë, që përfshin fazat më delikate të jetës politike dhe shoqërorë të vendit, periudhën e pasçlirimit të vendit tonë, të kalimit të Shqipërisë në kampin komunist, me të gjitha pasojat e tij, deri në ditët e sotme, periudhën e tranzicionit, periudhën e eksodit, i cili mbetet një fenomen i paharruar për popullin shqiptar, që solli largimin nga Shqipëria, për mospajtim me situatën e ndërlikuar që kalonte vendi ynë, të një pjese të mirë rinie shqiptare, të shumë intelektualësh dhe personalitetesh të nderuara të Shqipërisë.

Mark Kol Shkreli, mes emocioneve, gjë që ishte mëse e natyrshme për një kthim mbrapsht në kujtimet e një jete të tërë, falënderoi nga zemra shoqatën Scanderbeg për këtë dhuratë të mrekullueshme që i kushtoi atij dhe familjes së tij, falënderoi dhe të gjithë miqtë, të afërmit e të ftuarit që morën pjesë në mbrëmje.
Përgatiti: Adela Kolea

{gallery}mark-shkreli{/gallery}

Sonila Kaceli një shqiptare mes kandidatëve në zgjedhjet në Bologna

Britan Kodheli, një shqiptar në zgjedhjet në Ravenna