Në parlamentet e viteve ‘90 kishte autorë librash seriozë dhe kontribues për kulturën dhe shkencën në vend; sot gjen me shumicë njerëz që akuzohen për lidhje mafioze, për raporte të dyshimta dhe për pjesëmarrje direkte apo indirekte në vepra penale!
Nuk ka asnjë dyshim që kjo situatë alarmante, më shumë sesa për vetë Parlamentin, është e frikshme për Shqipërinë. Këta njerëz që s’kanë asnjë lloj shkollimi dhe asnjë dijeni mbi mënyrën se si ka ecur përpara bota e qytetëruar, duhet të përgatisin ligjet dhe reformat për ecjen përpara të Shqipërisë!
Nga Blendi FEVZIU
Janë të lodhshëm dhe të dhunshëm! Bërtasin në vend që të flasin! Grinden në vend që të arsyetojnë! Akuzojnë njëri-tjetrin në vend që të argumentojnë. Dhe gjithçka mbetet po aty. Ky është pak a shumë përcaktimi që mund t’i bëhet Parlamentit shqiptar në seancat e së enjtes dhe po ky refreni që diskutohet në çdo studio lajmesh! A meritojmë këta liderë dhe a
mund të sillet një politikan kështu, është pyetja që vjen më pas?
Nuk ka dyshim që Parlamenti shqiptar ka thyer prej kohësh rekordet e të papranueshmes; ka hedhur tej çdo sens mase dhe ka shpërfillur dhe nëpërkëmbur çdo element, qoftë edhe bazik etik. Por pyetja që vjen më pas, është: a reflekton ky Parlament vetëm agresivitetin e disa personave apo një trend politik që po bëhet kërcënues për vendin? Zhurma parlamentare vjen si pasojë e radikalizimit të politikës apo e paaftësisë së deputetëve për t’u marrë me gjëra thelbësore! Paaftësi që kamuflohet me arrogancë dhe dhunë?! Në fund të fundit, kush qëndron në atë sallë përballë këtyre liderëve që kanë adoptuar edhe një gjuhë të ashpër dhe shpesh jo etike? Përgjigjja më e mirë mund të ishte duke bërë një shikim në gjithë politikën shqiptare këta 24 vjet dhe mënyrën se si ka ndryshuar ajo.
Po si ka evoluar politika shqiptare postkomuniste dhe cili ka qenë trendi i Parlamentit dhe partive politike në përgjithësi? A i përgjigjet niveli i sotëm i përfaqësimit në parti nivelit të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare? Apo e kundërta, po ndërtojmë një klasë politike ndjeshëm nën këtë nivel? A mund të luajë politika rolin e elitës që ecën dhe tërheq me vete gjithë shoqërinë, apo është shoqëria që ka vënë nën vete politikën dhe po e llangos atë me ngjyrat më të shëmtuara të saj? A është politika e sotme reflektim i një shoqërie që po tenton integrimin në Europë? I një shoqërie të rinjtë e së cilës po edukohen në universitetet më të mira të botës? A reflekton ajo më shumë këtë elitë, apo të kundërtën, pjesën më të errët të shoqërisë, pjesën e malavitës, që deri më sot paguante udhëtimet apo faturat e politikanëve e që tani po bën politikë aktive vetë? Kam frikë se kjo e dyta nuk është më një pikëpyetje, por një përgjigje e saktë. Një përgjigje që në Shqipëri shfaqet në sytë e të gjithëve dhe në pafuqinë e plotë të të gjithëve ne për të reaguar.
Si një dëshmitar i politikës pluraliste që nga dita e parë e funksionimit të saj, po tentoj të hedh pak dritë mbi këtë fenomen që e ndiejmë të gjithë, por që s’po i gjejmë një emër për ta etiketuar konkretisht. Në momentin kur pluralizmi politik u zyrtarizua në Shqipëri, krijimi i partive u shoqërua nga një fenomen që dominoi politikën thuajse një dekadë. Ata që u përfshinë në to qenë profesionistë ndër më të njohurit të fushave të tyre, që lanë mënjanë profesionet për të kontribuar në një sektor më prioritar. Mund të kesh shumë vërejtje dhe t’i gjykosh ashpër apo me dashamirësi, por Sali Berisha, Fatos Nano, Gramoz Pashko, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Luan Hajdaraga, Skënder Gjinushi, Arta Dade, Paskal Milo, Genc Ruli, Sabit Brokaj, Shkëlqim Cani, Prec Zogaj, Arben Imami, Edi Rama e shumë e shumë të tjerë, qenë thuajse të gjithë pedagogë universiteti, ndër të parët e fushave të tyre dhe me tituj të mirëfilltë shkencorë. Edhe prurjet e reja deri në mes të viteve 2000 i nënshtroheshin këtij parimi që ishte dominues. Pa një diplomë dhe pa një provë në një fushë tjetër, nuk kishte shanse të çaje në politikë. Sfida profesionale qe e rëndësishme për të qenë i pranueshëm në shoqëri e për të marrë më shumë vota.
10 vitet e fundit kjo tendencë po rrudhet e, pse jo, po merr fund. Njerëzit me integritet po vijnë duke u rralluar, po refuzojnë të angazhohen dhe vendi i tyre po zihet nga biznesmenë me të shkuar të dyshimtë; “të fortë” lagjesh apo persona pa shkollim, që s’kanë asnjë ide se si vendi mund të shkojë përpara dhe se si mund të drejtohen reformat që arrijnë këtë. Edhe në këtë rast na ndihmojnë shembujt: 22 vjet më parë, në zgjedhjet e vitit 1992, Parlamenti prej 155 vetash kishte plot 21 profesorë doktorë; 71 pedagogë të brendshëm e të jashtëm universiteti dhe vetëm 2 persona pa diplomën e shkollës së lartë. Një ndër ta ishte Sabri Godo, i cili gjithsesi kishte më shumë kulturë se sa 95% e Parlamentit të sotëm. Kishte plot 18 veta të shkolluar apo specializuar jashtë, kur numri i personave me arsim të tillë në gjithë Shqipërinë nuk i kalonte 270.
Në Parlamentin e vitit 2014, prej 140 deputetësh, 17 veta janë me diploma të universiteteve të Tetovës e Strugës; 21 veta nuk japin asnjë informacion mbi arsimimin e tyre dhe shumë të tjerë kanë paraqitur diploma universitetesh modeste. Numri i pedagogëve dhe mësimdhënësve është shumë i ulët dhe titujt shkencorë kanë ngelur një stoli e harruar në gjoksin e atyre që kanë hyrë në politikë që në vitet ’90!
Në parlamentet e viteve ‘90 kishte autorë librash seriozë dhe kontribues për kulturën dhe shkencën në vend; sot gjen me shumicë njerëz që akuzohen për lidhje mafioze, për raporte të dyshimta dhe për pjesëmarrje direkte apo indirekte në vepra penale!
Nuk ka asnjë dyshim që kjo situatë alarmante, më shumë sesa për vetë Parlamentin, është e frikshme për Shqipërinë. Këta njerëz që s’kanë asnjë lloj shkollimi dhe asnjë dijeni mbi mënyrën se si ka ecur përpara bota e qytetëruar, duhet të përgatisin ligjet dhe reformat për ecjen përpara të Shqipërisë! Po a mund ta bëjnë këtë?
Këta njerëz që s’kanë asnjë dijeni mbi shkollimin, duhet t’i prijnë një populli, që ende beson se shkollimi është mënyra më e mirë dhe e vetme deri më sot për të ecur përpara në jetë! Ndaj, radikalizimi i Parlamentit të sotëm, gjuha e ashpër dhe shumë herë fyese, më shumë sesa një fenomen që vjen nga lufta politike, është një fenomen që vjen nga paaftësia dhe padija e këtij Parlamenti për t’u dhënë një përgjigje të plotë dhe kolegjiale problemeve. Duke mos kuptuar atë që diskutohet; duke mos njohur ligjësitë dhe ligjet, shumë prej deputetëve të kompleksuar, të të gjitha forcave politike, e mbushin këtë boshllëk me arrogancë, gjuhë dhune dhe kërcënime. E vetmja gjuhë dhe logjikë, që në fakt njohin. Por një gjuhë dhe logjikë, që është në kontradiktë edhe me nivelin e mesëm të shoqërisë shqiptare sot. Një gjuhë, që sot, 25 vjet pas rrëzimit të komunizmit, të kujton kohën e barsoletave me Palin e me Lenkën!