Në një artikull të botuar në të përjavshmen italiane Panorama me titull “Pse janë edhe çështje tonat” të shkruar nga Pino Buongiorno, analizohen krizat dhe revoltat që kanë mbërthyer vende të ndryshme si Tunizia, Egjipti dhe Shqipëria dhe dëmtimi i interesave italiane në këto vende.
Po sjellim këtu ato pjesë të artikullit që trajtojnë krizën në Shqipëri
Pse janë edhe çështje tonat
Revolta njëra pas tjetrës dhe interesat italiane në lojë. Tunizia, Shqipëria, Egjipti nuk janë vetëm partnerë tregtarë të privilegjuar, por edhe vende themelore për interesat strategjikë të Italisë. E cila pra nuk mund të lejojë që ata të rrëshqasin drejt kaosit dhe paqëndrueshmërisë.
Nga Pino Buongiorno
Shikimi drejt jugut: Tunizia, aspak e stabilizuar pas arratisë së presidentit …
Por antenat edhe drejt lindjes, drejt të afërtës Shqipëri, vendi i shqiponjave mbi të cilën prej gati 20 vjetësh Italia ushtron një lloj protektorati dhe që rrezikon të përfshihet nga kaosi si pasojë e duelit të gjatë mes kryeministrit Sali Berisha, në krye të Partisë Demokratike dhe kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama. “Jam vërtet i shqetësuar sepse gjendja po nxehet gjithandej” paralajmëron ministri i punëve të jashtme Franco Frattini. Parë nga Farnesina, në të vërtetë s’ka vend për optimizëm.
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës e lider i Partisë Socialiste Edi Rama, se është përpjekur të kryejë një grusht shteti për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Në Shqipëri po rëndon afrimi i datës 6 maj, kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës. Rama mund ta mbajë të lartë tensionin gjithë pranverën, për të rifituar besimin e bashkëqytetarëve të tij. Ai nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhjet politike të qershorit 2009, sepse në bazë të statutit të Partisë Socialiste, ai duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm të partisë. E në çdo rast, nëse kriza do të acarohej, do të dëmtohej sistemi italian, që në mënyrë të veçantë në Shqipëri dhe në Egjipt ka drejtuar me forcë strategjitë e veta politiko-diplomatike, por dhe peshën e sipërmarrësve. Të fillojmë nga Shqipëria, “partner strategjik i Italisë” nga 12 shkurti i vitit 2010. E jo vetëm kaq, përpara pak javësh në ministrinë e Jashtme është nënshkruar një marrëveshje* tjetër në bazë të së cilës ambasadorët italianë do të përfaqësojnë Shqipërinë në vendet ku Tirana nuk ka diplomatët e saj. Kjo do të thotë se Italia mbështet plotësisht Shqipërinë (e njëkohësisht Serbinë) për stabilizimin e Ballkanit perëndimor duke favorizuar futjen e tyre në Bashkimin Europian. Me një objektiv mjaft ambicioz: duke vënë bast mbi Tiranën dhe Beogradin, qeveria italiane përpiqet të zhvendosë boshtin e BE-së duke dobësuar mbizotërimin gjeopolitik të dyshes franko-gjermane.
Është një proces afatgjatë aq më shumë që afatet e futjes së Shqipërisë janë zgjatur për shkak të amullisë mes shumicës dhe opozitës që bllokon funksionimin e institucioneve, dobëson shtetin e të drejtës, ndal luftën kundër korrupsionit dhe reformën e sistemit gjyqësor. Por me gjithë këto pengesa, Italia nuk tërhiqet. “Pasi kemi jetuar në fillim të viteve nëntëdhjetë valën e eksodit në brigjet e Puglias të mijëra e mijëra shqiptarëve pas fundit të regjimit komunist, zgjedhja jonë qe nxitja e zhvillimit të Shqipërisë” shpjegon për revistën Panorama Frattini. “Arritëm të pakësojmë flukset migruese dhe është regjistruar një bashkëpunim efikas në luftën kundër krimit të organizuar”. Ministri i jashtëm vazhdon “Arsyeja e dytë për të cilën nuk mund t’ia lejojmë vetes që të humbim Shqipërinë është influenca që ky vend, me shumicë myslimane, ka në rajon, në veçanti në Kosovë”. Italia, së bashku me Shtetet e Bashkuara, jo vetëm që ka luftuar që Shqipëria të hyjë në Nato, por ka favorizuar dhe afrimin e saj me Serbinë. Për ta bërë me efikase zgjedhjen e saj ka vendosur të marrë pjesë në procesin e modernizimit të vendit, dikur shumë i varfër. “Populli shqiptar është mjaft afër nesh dhe dò thellësisht made in Italy” përmbledh me pak fjalë Frattini. Sot Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë me shkëmbime që arrijnë në 1.5 miliardë euro. Vetëm vendi ynë, me një bilanc tregtar gjithnjë pozitiv, thith 63% e eksporteve shqiptare. Gjithashtu Italia është donatori i dytë pas Bashkimit Europian. E zë qëndrueshëm vendin e parë për sa i përket numrit të sipërmarrjeve: janë më shumë se 400 ato të regjistruarat. Cristina Busi Ferruzzi ka qenë ndër pionieret me fabrikën e saj të imbalazhimit të Coca-Cola me të cilën sot krenohet. Ashtu siç duken të kënaqur nga rezultatet e arritura ata sipërmarrës të mesëm e të vegjël që sot punojnë në 35% të sektorit të ndërtimit, në 21% të atij të tekstileve dhe lëkurë-këpucëve, në 16% të tregtisë e shërbimeve dhe në 8% të industrisë agro-ushqimore. Gjatë viteve të fundit kanë mbërritur në Shqipëri dhe grupet industriale të mesme e të mëdha, të tërhequr nga investimet në sektorin energjetik, të ndërtimit dhe të infrastrukturave. Sektori më premtues është ai energjetik me projekte që kapin një vlerë prej rreth 5 miliardë euro të destinuara nga qeveria, kryesisht për burimet e ripërtërishme të energjisë. Grupi sicilian Moncada ka marrë licencën për ngritjen e një centrali eolik prej rreth 500 megavatësh. Enel-i ka ofruar mundësinë e ndërtimit të një centrali më qymyr të pastër në Porto Romano. Perëndoi hipoteza e bërthamorit, mundësia e përdorimit të Shqipërisë si një pikë grumbullimi energjie bërthamore edhe për Italinë, për shkak të problemeve sizmike në të gjithë rajonin. E konsiderueshme është prania e dy bankave të mëdha (Intesa Sanpaolo dhe grupi Veneto Banca) të cilat janë si mushkëri financiare për sipërmarrësit italianë dhe ata shqiptarë. Në sektorin e infrastrukturave ka mundësi të mëdha, duke mbajtur parasysh perspektivën e ndërtimit të rrjeteve të lidhjes dhe të interkonjeksionit përgjatë të ashtuquajturit Korridori 8, i cili do të zhvillohet duke filluar nga Bari e Brindisi e më pas në Shqipëri për të arritur në portet bullgarë të Detit të Zi nëpërmjet Maqedonisë.
Aktivizimi italian në bregun tjetër të Adriatikut ka arritur deri në nxitjen e tregut financiar shqiptar. E promovuar nga ambasada italiane në Tiranë, nisma parashikon një fazë fillestare kur një numër shumë i pakët biznesesh shqiptare mund të hyjnë në Bursën italiane nëpërmjet kanalit Aim (Alternative investment market) dhe një fazë të mëpasshme për krijimin e një tregu të vërtetë burse në Tiranë. Ishte 18 janar i këtij viti kur në Milano, gjatë Forumit ekonomik italo-shqiptar, i promovuar nga Dhoma e Tregtisë, 200 sipërmarrës italianë dhe 90 shqiptarë u njohën me agjendën e pasur të bashkëpunimit.
As tre ditë më pas, kriza politike mes shumicës dhe opozitës, ndezi protestat në shesh, me Ramën që sfidoi Berishën, i cili nga ana e vet e akuzon për grusht shteti. Ndërmjetësimi është i vështirë dhe Farnesina ka vënë në lëvizje dy diplomatë të zotë. I pari është ambasadori ynë Saba D’Elia. I dyti, përfaqësuesi i Bashkimit Europian Ettore Sequi.
* Përsa i përket marrëveshjes mbi përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë nga Italia, gazetari gabohet. Ja çfarë parashikon më saktësisht marrëveshja e nënshkruar më 10 janar nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve.