in

Ish-kreu i Interpolit: “Saviano ka të drejtë”

Ish-shefi i Interpolit shqiptar, Artan Bajraktari i ka dhënë të drejtë publicistit dhe intelektualit të njohur italian, Roberto Saviano, të dhëna në emisionin Shqip në Top Channel. Vetëm me një saktësim mbi atë që Saviano quan mafia shqiptare dhe që sipas Bajraktarit nuk është një mafia e mirëfilltë, por më shumë një krim i organizuar i ndarë në disa klane

Në një intervistë për Top Channel, Bajraktari thotë se mafia italiane vepron lirshëm në vendin tone, duke investuar në biznese si lojërat e fatit apo çimento dhe se rasti i Prudentinos nuk është i veçuar nga kjo skemë. Madje, sipas tij, 30 persona ndër më të kërkuar në Itali, kanë lëvizur dhe lëvizin lirisht dhe të pashqetësuar në tokën shqiptare për vite të tëra.

Më tej Bajraktari shprehet se bosët e mafies italiane kanë aktivitete kryesisht në drogë e lojërave të fatit dhe nuk e quan rastin e Prudentinos si një rast të veçuar. “Pastrimi i parave, shpërndarja e drogës, ndërtim, mbetjet toksike ose e quajtur ndryshe industria e plehrave janë disa nga elementët që këto organizata mafioze kanë në Shqipëri. Rasti i Vlorës dhe i Tiranës, që ata po shtrijnë aktivitetin e tyre tek lojërat e fatit, tregon që ata kanë ekzistuar”, thotë Bajraktari.

“Kemi bërë veprime të përbashkëta për llogari të policisë italiane që kishin informacionet e tyre për lëvizjet. Ajo që thotë Saviano është e saktë, për lëvizjen transit përmes Shqipërisë dhe të Malit të Zi”, shprehet ish-shefi i Interpolit.

Ish-shefi i Interpolit nuk pranon faktin se shqiptarët kanë një mafie të mirëfilltë siç pretendon Saviano. Ai shprehet se ka vetëm grupe kriminale, por ajo që duhet dëgjuar nga publicisti italian, thotë Bajraktari, është ndërgjegjësimi i shoqërisë për rrezikun ndaj mafies. Por, “ajo që shoh në mesazhin e Savianos është ndërgjegjësimi që duhet të ketë shoqëria shqiptare për rrezikun e shtrirjes së mafies edhe në Shqipëri, sepse siç e dimë ato janë të përhapura në të gjithë globin”, deklaron Bajraktari.

Bajraktari prek një tjetër temë të nxehtë, atë të luftës ndaj grupeve kriminale kosovare e shqiptare, pasi sipas tij bashkëpunojnë. “Nuk kanë asnjë luftë mes tyre, sepse janë hapa përpara, nuk kanë protokolle, nuk kanë kufij, nuk kanë burokraci në kryerjen e akteve kriminale për të nxjerrë përfitimet e tyre. Ndërsa policia duhet të nënshkruajë një marrëveshje bilaterale ose të bëhet pjesë e një konvente dhe më pas të operojë”, tha Bajraktari.

“Të thuash që ke luftuar mafien apo korrupsionin se e ke çrrënjosur i bie që ta kesh shtypur e të mos ketë asnjë vend ku të ketë depërtuar apo të ketë mbetje të krimit të organizuar. E shoh me syrin pozitiv mesazhin që jep Saviano në atë intervistë sepse duhet të ndërgjegjësohemi si shoqëri”, ironizon ish-kreu i Interpolit me deklaratat politike.

Shih videon

Lexo edhe: Saviano: “Shqiptarë, ruajuni Italisë”

Karta e qëndrimit: “Test edhe në gjermanisht”

Dy aksidente rrugore i marrin jetën Agron Ligut