in

Italia, atdheu i talenteve shqiptare të futbollit

Milan, Inter, Xhenova, Udinese, aty ku luajnë talentet shqiptare, disa nga futbollistët e ardhshëm të kombëtares

4 janar 2010, ATSh – Kanë qenë të shumtë trajnerët e huaj dhe shqiptarë, të cilët janë ankuar se nuk arrijnë rezultate me kombëtaren për shkak të mungesës së lojtarëve cilësorë. Problematikë për ta ka qenë organika e varfër e ekipit, pa u munduar shumë të vërejnë “armatën” e madhe të shqiptarëve dhe pse jo edhe të kosovarëve që militojnë në skuadra të shumta evropiane.

Kjo jo vetëm për faktin se shumica prej tyre janë të panjohur, por se edhe kontaktet me këta të fundit thuajse nuk kanë ekzistuar.

U deshën zyra të posaçme, të krijuara nga Federata Shqiptare e Futbollit pas viteve 2000 në Greqi, Gjermani e Itali për të ‘peshkuar’ talente të reja kuqezi. Për të qëndruar në Itali, janë të pafund futbollistët shqiptarë që aktivizohen në skuadra të ndryshme të grupmoshave nga diletantët e deri tek Seria A, në një ndër 5 kampionatet më të forta në botë.

Në organikën e klubeve të Serisë A mund të gjesh futbollistë shqiptarë të afirmuar tashmë, por edhe talente të sapo zbuluara që jo rastësisht veshin bluzat e Milanit, Interit, Udinezes, Xhenovës dhe Sampdorias. Ata nëse do të visheshin kuq e zi do t’i shmangnin mjaft probleme trajnerëve të kombëtareve të moshave, që sipas presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ishin dështimi më i madh i futbollit shqiptar ne vitin 2010.

Nëse shohim lojtarët e afirmuar, një prej tyre është, Përparim Hetemaj, i cili është shndërruar në xhevahirin e ri të Breshias, skuadrës së Serisë A italiane. Shqiptari me pasaportë finlandeze ka tërhequr me lojën e tij vëmendjen e medias fqinjë, të cilët kanë gjetur rastin edhe ta përshkruajnë atë si një “Gatuzo të ri”, duke iu referuar mesfushorit të fuqishëm të Milanit dhe të kombëtares italiane, Xhenaro Gatuzoz.

Në fakt, nuk është vetëm Përparim Hetemaj që luan në Itali, por dhe vëllai i tij, Mehmet Hetemaj. Ky i fundit luan në Serinë B me Albinolefe.

Gjergji (Panajot) Kone është shqiptari tjetër që luan me Breshian në Serinë A. Por, tiranasi prej kohësh ka marrë pasaportë greke, madje ka luajtur edhe kundër Shqipërisë në ndeshjet për përfaqësueset U-21.

Janë disa shqiptarë apo kosovarë që luajnë në Itali në nivele të ndryshme të futbollit italian. Te Çezena luan Erjon Bogdanin, te Breshia janë Përparim Hetemaj dhe Panajot (Gjergji) Kone. Pajtim Kasami aktivizohet te Palermo. Në Serinë B luajnë Migjen Basha te Atalanta, Edgar Çani te Modena, Mehmet Mehmetaj te Albinolefe, Samir Ujkani te Novara (i huazuar nga Palermo), Rijat Shala te Novara. Në Serinë C luan dhe Florian Myrtaj me skuadrën e Peskarës. Në nivelet e skuadrave të moshave luajnë shumë lojtarë të rinj shqiptarë.

Fabio Hoxha dhe Berkert Abdija janë futbollistët më të mirë të kombëtares sonë U-17. Hoxha është rrituar dhe vazhdon të luajë te Interi i Milanos. Sulmuesi kuqezi shihet si një nga talentet më premtues të kombëtares sonë, fakt që pranohet dhe nga specialistët e futbollit.

Ndërsa Abdija (luan te Siena) është një mesfushor energjik, i cili përgjithësisht parapëlqen të bëjë rolin e ‘regjisorit’ të skuadrës.

Ndërsa një futbollist me mjaft premisa për repartin difensiv po rritet në skuadrat e moshave të Milanit. Është Edjon Bitraj i datëlindjes 6 qershor 1992, i cili luan prej 4 vjetësh tek kjo skuadër dhe është në listat e të rinjve nën vëzhgim të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Por një tjetër mbrojtës, ndonëse më i vogël në moshë, rritet tek Xhenova, Paolo Sokoli. 14 vjeçari ka lindur në Velipojë, Shkodër dhe shquhet për lojën fizike. Ndërsa në veri të Italisë, tek Udineze luan një tjetër mbrojtës, Kevin Kuka. 14-vjeçari i ka gjuajtur pikërisht tek ky klub topat e parë.

Ndërsa nuk kanë fund shqiptarët që preferojnë të luajnë në repartet e avancuara. Kështu si mesfushorë gjejmë Agron Bufin, i cili kaloi nga Peruxhia te Palermo; Josef Preçi, Sampdoria/ U-14 e Artur Ymeri, Xhenoa/ U-18, që të dy kanë luajtur më parë tek Sperance Savona; si dhe Kristian Gjokeja, Atalanta/ U-14 e Armando Lukaj, Siena/ U-17. Ndërsa i vetmi sulmues është Jasmin Ademi, i cili ka lindur në Kosovë dhe luan për Siena/ U-17.

Ndërkohë, përveç talenteve të rinj, në Itali luajnë dhe futbollistë shqiptare të konfirmuar tashmë. Ata janë Edgar Çani dhe Andi Çorri, të cilët i duhen kombëtares shqiptare. Janë padyshim dy nga futbollistët më të talentuar që kanë dalë së fundmi nga skuadrat e grupmoshave në Itali.

I pari, Edgar Çani është rritur tek Peskara dhe vetëm dy sezone më parë arriti të kalonte tek Palermo. Presidenti Zamparini pagoi 1.5 milionë euro për kartonin e tij, kjo falë golave që Çani realizoi tek Peskara. Në fund ishte Palermo që siguroi kartonin e tij dhe për dy sezone rresht e ka dhënë në formë huazimi tek Askoli (2008-2009) dhe Padova (2009-2010), me synimin që ai të mund të rritet dhe të marrë më shumë eksperiencë. Çani është i datëlindjes 22 korrik 1989 dhe ka lindur në Tiranë, teksa tani luan tek Modena në serinë B.

Tjetër ritëm ka ndjekur Andi Çorri, i cili ka luajtur disa ndeshje me U-17. Mbrojtësi shkodran është rritur në akademinë e Milanit (kuqezinjtë zotërojnë ende kartonin e tij) i cili më pare ka kaluar në formë huazimi te Groseto në Serie B, për të përfituar më shumë eksperiencë.

Që të dy janë futbollistë absolutisht të nevojshëm për një kombëtare si e jona, e cila i numëron me gishta lojtarët e talentuar, të dalë nga akademitë më të mëdha të futbollit në Evropë.

“Kuqezinjtë” e Serisë A

Fabio Hoxha
Skuadra: Inter/ U-18; Datëlindja: 07.05.1993; Pozicioni: Sulmues; Shënim: Ka luajtur edhe me kombëtaren U-17 të Shqipërisë

Josef Preçi
Skuadra: Sampdoria/ U-14; Datëlindja: 09.01.1998; Pozicioni: Sulmues; Shënim: Ka luajtur më parë te Sperance Savona.

Edjon Bitraj
Skuadra: Milan/ U-17; Datëlindja: 06.04.1992; Pozicioni: Mbrojtës; Shënim: Luan prej 4 vjetësh tek kjo skuadër.

Agron Bufi
Skuadra: Palermo/ U-19; Datëlindja: 07.06.1992; Pozicioni: Mesfushor; Shënim: Ka luajtur më parë tek Perugia

Artur Ymeri
Skuadra: Xhenoa/ U-18; Datëlindja: 28.01.1992; Pozicioni: Mesfushor; Shënim: Ka luajtur më për tek Esperance Savona

Paolo Sokoli
Skuadra: Xhenoa/ U-15; Datëlindja: 29.03.1995; Pozicioni: Mbrojtës; Shënim: Ka lindur në Velipojë, Shkodër.

Kristian Gjokeja
Skuadra: Atalanta/ U-14; Datëlindja: 19.03.1996; Pozicioni: Mesfushor; Shënim: Futbollisti ka edhe shtetësi italiane.

Berkert Abdija
Skuadra: Siena/ U-18; Datëlindja: 22.08.1993; Pozicioni: Mesfushor; Shënim: Ka lujtuar me kombëtaren U-17 të Shqipërisë.

Armando Lukaj
Skuadra: Siena/ U-17; Datëlindja: 19.01.1994; Pozicioni: Mesfushor; Shënim: Është në shënjestrën e kombëtares U-17

Jasmin Ademi
Skuadra: Siena/ U-17; Datëlindja: 02.01.1994; Pozicioni: Sulmues; Shënim: Jasmin Ademi ka lindur në Kosovë

Kevin Kuka
Skuadra: Udinese/ U-16; Datëlindja: 12.02.1995; Pozicioni: Mbrojtës; Shënim: Ka nisur tek ky ekip para tre vjetësh.

Domethënia e stemës së Republikës Italiane

Janar, paguhet canone RAI, taksa e polemikave