Nga Artur ZHEJI
Kam jetuar 11 vite në një vend që e konsideronte veten shumë të korruptuar, në shumë segmente të jetës së vet. Në Itali. Më kujtohet njëherë që nga viti 1994, në kohën e kulmit të famës dhe bëmave të Prokurorisë së Milanos, në kohën e Antonio Di Pietros dhe Saverio Borrelit, policia financiare kapi një funksionar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë italiane. Një drejtor të licencimit të medikamenteve. Në kontrollin e imët që i bënë në shtëpi, atij i gjetën një sasi marramendëse parash në kesh, dhjetëra miliarda lireta, të fshehura në çdo cep të apartamentit. Madje nga dy miliardë lireta i gjetën të qepura brenda një kolltuku në dhomën e pritjes. Gazetari i famshëm Maurizio Costanzo, e bëri barceletë këtë rast në emisionet e tij.
Pati shumë vetëvrasje dhe shumë arrestime ato kohë. Sipërmarrës dhe politikanë besnikë, që parapëlqyen vetëvrasjen ndaj poshtërimit në burg. Njerëz nga të gjitha nivelet e politikës dhe të sipërmarrjes, të kryqëzuar nga fushata e famshme që u mbiquajt nga media “Tangentopoli”, e udhëhequr nga Prokuroria milaneze që mori nofkën “Duart e Pastra (Mani Pulite). Ish kryeministri Bettino Craxi iku nga sytë këmbët në mërgim, ndërsa miku i tij, Silvio Berlusconi mbushi me partinë e re “Forza Italia” boshllëkun e lënë nga rrënimi i dy partive historike italiane, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokristiane. Dikush u riciklua, dikush jo. Ato vite Italia jetonte si në ethe dhe edicionet e lajmeve ishin të ngjashme me buletinet e luftës, nga arrestimet, vetëvrasjet dhe akuzat. Prokuroria e Milanos, që u pagëzua edhe si “prokuroria e xhybeve të kuqe”, në emër të ligjit dhe të antikorrupsionit “nënshtroi” të gjithë jetën politike dhe psikologjike të atyre viteve.
Mirëpo “sekserët” u hodhën në veprim. Di Pietros së famshëm iu propozuan poste politike nga Silvio Berlusconi. Pas disa lëkundjesh, ai pranoi më vonë ofertën e kryeministrit teknokrat Prodi, për të drejtuar Ministrinë e majme të Punëve Publike dhe themeloi partinë e vet politike, Italia e Vlerave (l’Italia dei valori”).
Në atë periudhë u ndez edhe një reflektim mbi krizën identitare të kapitalizmit italian dhe shoqërisë italiane. Më interesantët në këtë debat ishin skeptikët, të cilët nuk besonin tek aftësia e kapitalizmit për të korrigjuar vetveten, dhe aq më pak tek aftësia e shtetit për të korrigjuar kapitalizmin. Ata mbronin tezën se kapitalizmi, duke pasur në themelin e vet etjen për fitim dhe kompensimin e talentit sipërmarrës në maksimumin e mundshëm, nuk mundet që njëkohësisht të ngrejë godina morale, kundër fitimit, në çdo formë që ai paraqitet. Qoftë ky si zarf, si evazion fiskal, si tender, si monopol, apo si diferencë e favorshme çmimi, të cilën dikush, në emër të një morali mund ta quajë edhe spekulim.
Sepse kapitalizmi mishëron hapur dhe pa retorikë e hipokrizi, egoizmin në formën e vet më të pastër dhe nuk ia ka ngenë diskutimeve morale. Sepse, thoshin asokohe skeptikët, kapitalizmi i duhet shoqërisë si një motor, si një turbinë që prodhon energji të pakufishme, si edhe është përgjithësisht e pakufishme energjia e prodhuar nga egoizmi njerëzor, kur bëhet fjala për të fituar.
E gjithë kjo panoramë, shumë më komplekse se kaq, m’u kujtua tek dëgjoja deklarimet më të fundit të kryeministrit Rama dhe të kësaj Kryqëzate morale mbarëkombëtare, që ai nënvizon se ka filluar dhe do të intensifikohet. Është simpatike të shohësh dhe të dëgjosh kryeministrin kur flet për këtë Kryqëzatë, si një spastrim radikal të administratës, si një “këputje duarsh” ndaj atyre që vjedhin popullin, apo të popullit që grabit vetveten duke grabitur energjinë, një qërim hesapesh me ata që abuzojnë, duke shfrytëzuar postin dhe detyrën shtetërore.
Porse çështja është si edhe dihet, shumë më e thellë se kaq. Ndonëse kam shpesh prirjen naive që t’i gjendem në krah shpalosjes pozitiviste të vullneteve të tilla, me ekstrakt moral, për shëndoshjen e shoqërisë dhe për një rithemelim moral të saj, kam përshtypjen që diçka nuk shkon. Nuk shkon si lapsus, apo si mungesë parashikimi.
Së pari, sistemi luftohet dhe përmirësohet në mënyrë paralele, edhe nga jashtë edhe nga brenda. Thënë më shkoqur, të “këqijtë” nuk janë vetëm përballë apo në krah, nuk janë vetëm pd-istë apo lsi-stë, por janë të gjithë ata që shkelin rregullat, spekulojnë dhe përfitojnë në mënyrë të paligjshme, pa “dallim feje, krahine dhe ideje”. Dhe mbi të gjitha, pa dallim partie!
Së dyti, nëse Rama i mëshon vrullit radikal në një luftë të përshkallëzuar verbale, administrative dhe ligjore ndaj këtyre dukurive, dhe mirë bën, nëse bën ndonjë kapërcim nga radha, qoftë edhe një kapërcim apo përjashtim të vetëm, nga të tijët, krejt ngrehina moralizuese e Kryqëzatës për një Moral të Ri bie me rrokullimë zhgënjyese. Duke e deklasuar, një prirje kaq të fisme në pamje të parë, në një manovër të politike.
Në një manovër të pastër politike dhe populiste, që tendoset si pisqollë në kokën e kundërshtarit politik, të sotëm apo të nesërm dhe jo kundër dukurisë të së Keqes, për të cilën flitet sot me kaq pasion moral. Sepse, nëse ke nisur një Kryqëzatë të këtyre përmasave, askush nuk mund të harrohet, thjesht sepse është i së njëjtës skuadër. Kryqëzatat morale kërkojnë fill më pas nismës së tyre sakrifica të mëdha, të cilat duhen përllogaritur mirë. Përndryshe…
Gjithsesi, pa dashur të jem demoralizues ndaj kësaj nisme, e cila nuk mund të paragjykohet ende, ndjehem më rehat dhe më i “mbrojtur” logjikisht në radhët e skeptikëve, si të atyre kolegëve italianë që përmenda më lart.
Dhe me bindjen se, në sistemin që kemi zgjedhur të jetojmë, në Kapitalizëm pra, është vënia në punë e kapitalizmit, e pra e sipërmarrjes, me të gjitha defektet e egoizmit të panginjur dhe hera- herës të pamëshirshëm që ka. Vënia në punë e të gjitha turbinave dhe e të gjitha energjive që prodhojnë para, prodhojnë “padrejtësi”, por njëherazi edhe punë, edhe treg, edhe bollëk.
Kjo energji e mbush, madje e derdh arkën e shtetit, me më shumë para sesa regjimi i kursimeve, apo i ndëshkimeve shembullore ndaj abuzuesve. Sepse ky ndëshkim duhet të jetë, për të mos denatyruar sistemin ku jetojmë, një instrument dhe jo një Qëllim në vetvete.
Eksperienca botërore ka treguar dhe provuar që bollëku është armiku më i efektshëm i korrupsionit. Sepse statistikat thonë se korrupsioni ecën në përpjesëtim të zhdrejtë me zhvillimin dhe pasurinë e një vendi. Sa më të pasur shtetet, aq më i vogël korrupsioni.