in

Italia – pikërisht Italia! – Kujtime të hidhura gjermane në prag të gjysmëfinales

Një version i ri i klasikes: Gjermania kundër Italisë, këtë herë në gjysmëfinale të EURO 2012. Po përse të ndodhte përsëri? Asnjë kombëtare gjermane nuk i ka mundur ndonjëherë italianët në kampionate.

A nuk ishte vetëm pak kohë më parë kur me vështrim të përhumbur qëndronim në stadiumin e Dortmundit për botërorin? Kokat ishin të zbrazëta, euforia e përrallës verore kishte fluturuar. Gjermania pati humbur 0:2 kundër Italisë në shtëpinë e vet, në Botërorin e 2006-s. Ishte 4 korriku, minuta e 119 e lojës: Andrea Piro dha topin, Fabio Grosso e mori pasin dhe futi golin në portën e Jens Lehmannit. Pak çaste më vonë Alessandro Del Diero shënoi golin e dytë. Gjermania humb 0:2, dhe në stadium mbizotëroi heshtja pafund, minuta me radhë, vetëm grupi i vogël i italianëve festonte. Kujtim i paharruar për mua dhe shokun tim Thomas, tifoz i tërbuar futbolli.

Dhe tani – përsëri Italia! “A s’mund të kishin qenë anglezët”, pyes unë. “Duhej të ishte Italia” përgjigjet menjëherë shoqëruesi im i atëhershëm, “për hir të hakmarrjes!” Sikur ajo të ishte e sigurtë. Historia sidoqoftë flet një tjetër, të dhimbshme.

Një bilanc lotësh

Në fund të fundit kombëtare gjermane nuk ka fituar në asnjë kampionat botëror apo evropian kundër Italisë. Edhe jashtë kampionateve ka pasur humbje të hidhura. Në total numri i humbjeve të Gjermanisë me Italinë është dy herë më i madh se i fitoreve.

Në kampionatet e rëndësishëm deri tani ka pasur shtatë takime mes dy ekipeve, të paktën një fitore morale shkon në llogari të gjermanëve: barazimi 0:0 në eliminatoret në grup të Evropianit 1996 në Angli, që për Italinë shënoi fundin e garës. Gjermania vazhdoi dhe në fund mori titullin. Nga shtatë takimet katër kanë përfunduar me barazime, por tre humbjet janë ndër më të dhimbshmet në historinë e futbollit gjerman.

“Loja e shekullit” në Meksikë

Gjysmëfinalja e 17 qershorit 1970 konsiderohet ende sot si “loja e shekullit”. Në temperaturë deri 50 gradë celcius 103.000 spektatorëve në stadiumin e actekëve në qytetin e Meksikos iu ofruan gjithë gama e mundshme. Filloi me një shah në bar dhe vazhdoi me një sulm plot pasion të kombëtares gjermane, që e shpërbleu legjionerin e Italisë, Heinz Schnellinder me barazimin 1:1 (minutën 92). Koha shtesë më e mirë në histori solli pesë gola në 17 minuta dhe një furtunë emocionesh. Franz Beckenbauer përdrodhi supin e djathtë dhe mbante krahun të fashuar. Italia mbrojti deri në rraskapitje epërsinë 4:3 pas golit të Gianni Riveras (minuta 111).

Pamje nga gjysmëfinalja e 17 qershorit 1970

Asnjë shans në Madrid

Në finale të Botërorit në Spanjë ekipi gjerman humbi 1:3. Në atë 11 korrik 1982 në Madrid lojtarët e kombëtares gjermane nuk kishin asnjë shans ndaj italianëve. Pas “turpit të Gijon-it” me humbjen 1:0 kundër Austrisë dhe një humbje 1:2 kundër Algjerisë në eliminatoret në grup, hyrja e Gjermanisë në finale nuk ishte aspak e merituar. Italia e cila kishte dalë gjithashtu e dobët me tre barazime nga ndeshjet në grup, në fazën e eliminatoreve rekuperoi dhe pas fitoreve ndaj Argjentinës dhe Brazilit mori me meritë titullin e kampiones.

Hakmarrje apo turpërim i ri?

Pamje nga gjysmëfinalja e botërorit 2006 në Dortmund

Por kujtimi më i dhimbshëm është pikërisht humbja në gjysmëfinale të botërorit 2006 në Dortmund. “Natyrisht që ajo na vjen në mendje”, thotë kapiteni i Gjermanisë Philipp Lahm duke iu referuar duelit të ardhshëm: “Sigurisht që e kemi ende në mendje. Por atëherë nuk ishim aq mirë sa tani.”

Optimizëm? A duhej të gëzohemi që kemi kundërshtare Italinë dhe kështu shansin për hakmarrjen e madhe? Apo do të kishte qenë më mirë Anglia, që edhe në rast humbje të shmangej një turpërim i ri para italianëve? Për mikun tim të futbollit unë s’jam veçse një frikacak!

Deutsche Welle

Lejeqëndrim të paktën për një vit për të papunët. Norma miratohet përfundimisht

Gjermania në ethet e futbollit