in

Italianë të rinj në listat zgjedhore PD. Mbetet jashtë Ismail Ademi

Partia e Bersanit kërkon të sjellë në parlament emigrantë dhe breza të dyta. Khalid Chaouki dhe Cécile Kyenge Kashetu janë në pozita të sigurta, pak shpresë për Nona Evghenie dhe Fernando Biague. Mbetet jashtë Ismail “Issi” Ademi , i mbështetur nga shumë shoqata shqiptare. “Falënderoj nga zemra të gjitha shoqatat  shqiptare në Itali të cilat si kurrë më parë u paraqitën të bashkuara dhe më përkrahën” thotë Ademi

Ka edhe nga të ashtuquajturit “italianë të rinj” në listat që Partia Demokratike do të paraqesë në zgjedhjet e ardhshme.

Bersani dhe bashkëpunëtorët e tij e respektuan angazhimin e marrë përpara disa javësh nga bordi kombëtar me miratimin e një rendi dite. Ndër të tjerat, thuhej se “ka mbërritur një nivel pjekurie për të mirën e vendit tonë, për perspektivat e tij të rritjes e zhvillimit dhe për realizimin e vërtetë e të thellë të një ripërtëritjeje të klasave drejtuese, për të patur një përfaqësim të emigrantëve të zgjedhur në Parlament.”

Figura më e njohur, në të vërtetë, do të jetë ajo e një emigranteje shumë të veçantë. Kampionia e kanoes në disa Olimpiada, Josefa Idem, e lindur dhe e rritur në Gjermani, por italiane prej më shumë se njëzet vjetësh, do të jetë në krye të listës në senat në Emilia Romagna. Ajo është e aktivizuar politikisht prej kohësh dhe ishte më i votuara në zgjedhjet paraprake të partisë në provincën e Ravenës.

Histori ndryshe ajo e tridhjetëvjeçarit Khalid Chaouki, gazetar, përgjegjës i forumit Italianët e Rinj në gjirin e Partisë Demokratike. Ai ka ardhur në Itali nga Maroku në moshën 9-vjeçare, i angazhuar gjithnjë me temat e imigracionit dhe të brezave të dytë. Ai është në listë në qarkun Campania 2; vendi i katërmbëdhjetë duhet t’i garantojë zgjedhjen.

Akoma më i sigurt është pozicioni i  Cécile Kyenge Kashetu, e cila jeton në Itali prej gati tridhjetë vjetësh. Mjeke okuliste, ajo është këshilltare provinciale e Partisë Demokratike në Modena dhe kryetare kombëtare e Rrjetit “Një marsi” që ka promovuar grevën e emigrantëve. Është kandidate për  në Dhomën e Deputetëve në Emilia Romagna dhe emri i saj është i  shtati në listë.

Mbetet jashtë liste Ismail Ademi

Për fat të keq, mbeti jashtë Ismail “Issi” Ademi. Ditët e shkuara, shumë shoqata shqiptare u mobilizuan për të mbështetur kandidaturën e tij, duke i nisur dhe një apel Sekretarit të PD Bersani (apel që u nënshkrua nga 771 persona). Në të i kërkohej përfshirja e Ademit në listën kombëtare, por si përfundim Partia Demokratike vendosi që persona të tjerë të përfaqësojnë “italianët e rinj” në Parlament. “U uroj miqve Cécile dhe Khalid një fushatë të mirë zgjedhore – thotë Ismail Ademi për shqiptariiitalise.com – Jam i sigurt se ata do të na përfaqësojnë denjësisht të gjithëve në parlamentin italian”. Dhe nuk harron të falënderojë komunitetin për përkrahjen: ” Falenderoj nga zemra të gjitha shoqatat  shqiptare në Itali të cilat si kurrë më parë u paraqitën të bashkuara dhe më përkrahën; të ndjekura dhe nga shumë  italianë, persona të administratës dhe emigrantë të tjerë”.

Pak shanse për t’u zgjedhur

Duket e pamundur zgjedhja e Nona Evghenie, me origjinë rumune, këshilltare komunale në Padova. Ajo u paraqit në zgjedhjet paraprake të PD duke marrë gati nëntëqind vota, në listën e Venetos është e njëzet e pesta. Pak shanse edhe për Fernando Biague, psikolog me origjinë nga Guinea Bissau, i cili në zgjedhjet paraprake në Bolzano ishte i dyti për nga numri i votave, por me një vend të tetë në listën e Trentino Alto Adige vështirë se mund të mbarrijë në Parlament.

Elvio Pasca

In italiano: Nuovi cittadini nelle liste del PD

 

Due nuovi cittadini nelle liste del PD. Niente da fare per Issi Ademi

Punonjësit sezonalë. Nisin konfirmimet për hyrjet shumëvjetore