Qoftë unë qoftë ime shoqe jemi me qëndrim të parregullt në Itali. Duam të dimë nëse djali ynë e ka të drejtën e pediatrit?
Sipas ligjeve në fuqi, i mituri i huaj ndjek statusin juridik të prindërve. Teksti unik për imigracionin thotë qartë që i mituri i huaj është i padëbueshëm, por natyrisht ka të drejtën të ndjekë prindërin kur ky i fundit dëbohet. Edhe përsa u përket shërbimeve shëndetësore, i mituri i parregullt është i garantuar nga norma të natyrës kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai mund të përfitojë shërbime shëndetësore por me disa kufizime.
Shërbimet shëndetësore për të huajt me qëndrim të rregullt
Nëse prindi i huaj është me qëndrim të rregullt, dhe ka një leje qëndrimi që i lejon regjistrimin në shërbimin shëndetësor italian, edhe i mituri mund të përfitojë asistencë pediatrike falas për të miturit nën 14 vjeç duke zgjedhur pediatrin e familjes.
Regjistrimi në Shërbimin Shëndetësor Italian (SSN) sipas dokumentit të qëndrimit mund të jetë i detyrueshëm ose fakultativ.
Shërbime shëndetësore për të huajt me qëndrim të parregullt
Normat në fuqi u lejojnë të huajve të parregullt vetëm disa nga shërbimet shëndetësore të nevojshme dhe urgjente.
Në veçanti, neni 35 i dekretit legjislativ 286/98 përcakton që qytetarëve të huaj të pranishëm në territorin italian, me qëndrim të parregullt, u sigurohen kurat ambulatoriale dhe spitalore urgjente apo sdoqoftë thelbësore edhe nëse janë të vazhdueshme, për sëmundje apo aksident.
Konsiderohen “kura urgjente” ato që nuk mund të shtyhen pasi në këtë mënyrë mund të vihet në rrezik jeta apo të dëmtohet shëndeti i individit.
Konsiderohen “kura thelbësore”, shërbimet mjekësore, diagnostikore dhe terapeutike, lidhur me patologji jo të rrezikshme brenda një afati të shkurtër, por që me kalimin e kohës mund të shkaktojë një dëm më të madh për shëndetin apo rrezik për jetën (komplikime, kthim në sëmundje kronike, apo përkeqësim).
Gjithnjë sipas nenit 35, parashikohet shprehimisht që “hyrja në strukturat shëndetësore e shtetasve të huaj me qëndrim të parregullt nuk mund të shkaktojë asnjë lloj sinjalizimi pranë autoriteteve, me përjashtim të rasteve kur raportimi është i detyrueshëm. Raportimi është i detyrueshëm kur rasti në fjalë paraqet karakteristikat e një vepre penale që ndiqet penalisht pa pasur nevojë për padi (kur bëhet fjalë për plagosje me armë zjarri apo armë të ftohtë, për shembull).
Të huajit të parregullt, i lëshohet një teserë STP (straniero temporaneamente presente) kundrejt një deklarate të thjeshtë e të dhënave personale. Tesera vlen në të gjithë tërritorin italian për gjashtë muaj dhe është e përtëritshme. Me teserën mund të merren të gjitha kurat shëndetësore të nevojshme.
Shërbimet shëndetësore për të miturit me qëndrim të rregullt
Mbrojtja e shëndetit e të miturit të huaj edhe pse nuk ka dokumentin e qëndrimit, përveçse nga Teksti Unik i imigracionit mbrohet edhe nga Konventambi të drejtat e fëmijës të cilës i referohet shprehimisht Teksti Unik.
Të miturit e huaj të parregullt kanë të drejtë për kurime urgjente e të nevojshme,si edhe të marrin vaksinat e detyrueshme me ligj në Itali.
Edhe pse nuk kanë të drejtën e një “pediatri të familjes”, për shkak të statusit të tyre si persona me qëndrim të parregullt në Itali, të miturit mund të çohen në konsultoret familjare, ku mes të tjerash ofrohen edhe shërbime pediatrike.
Në veçanti, pranë konsultoreve të Njësive Shëndetësore Lokale (ASL) kryhen vizita mjekësore pediatrike, ofrohet asistencë infermierie pediatrike (kontroll peshe e të sapolindurve, këshilla mbi dhënien e qumështi, mbi higjienën, mjekimin , kuptimin e simptomave)
Për çdo lloj informacioni kushdo, me apo pa dokumente qëndrimi, mund dhe duhet t’i drejtohet ASL-it të territorit pa asnjë lloj frike se mund të dëbohet.
Avv. Andrea De Rossi