in

Janë shqiptarë sipërmarrësit e huaj më të shumtë në provincën e Riminit

Në provincën romanjole, çdo 11 sipërmarrje një është në dorë të imigrantëve. Ndër këta të fundit, shquhen shqiptarët: janë titullarë, ortakë, apo administratorë ndërmarrjesh rreth 800 bashkatdhetarë

Romë, 2 janar 2014 – Në provincën e Riminit, çdo 11 ndërmarrje, një administrohet nga të huaj. Për më tepër, nëse numri i atyre që administrohen nga italianë bie, shtohen sipërmarrjet e të huajve. E thonë të dhënat e provincës lidhur me tremestrin e tretë të vitit të sapombyllur: sipërmarrësit në provincë janë gjithsej 58.980 (nga 59.746 që ishin një vit më parë), ndër këta 5.356 janë të huaj (nga 5.336 që numëroheshin një vit më parë).

Ndër sipërmarrësit e huaj spikasin shqiptarët: administratorë, titullarë apo ortakë  numërohen 792 persona. Në renditjen sipas kombësisë ndjekin qytetarët e San Marinos (443), Rumanisë (431), Kinës (381), Zvicrës (371) dhe Bangladeshit (327).

Sipërmarrjet e të huajve janë të përqendrura në kryeqendrën e provincës, Rimini (mbi 2.850), e pasuar nga Riccione (518) dhe Bellaria (323). Sipërmarrjet e të huajve janë shtuar lehtë në sektorin e tregtisë (nga 1.599 në 1.607), të shërbimeve të hotelerisë dhe restoranteve (nga 632 në 668) e në shitblerjen e pasurive të patundshme (nga 228 në 241). Kanë pësuar rënie të lehtë në sektorin e ndërtimeve që gjithsesi mbetet sektori i parë për numër sipërmarrjesh (nga 1.571 në 1.531) dhe në bujqësi (nga 126 në 121).

“Nga të dhënat e mësipërme – komenton kreu i drejtorisë provinciale për Ekonominë, Fabio Galli – del në dritë gjallëria e dinamizmi i sipërmarrjes së të huajve në territorin tonë. Sipërmarrja e të huajve në  provincën e Riminit është tashmë realitet i qëndrueshëm me të cilin duhet e mund të dialogohet duke bërë të gjithë një hap drejt tjetrit për të shmangur mbyllje apo “getizime” që tregu dhe ekonomia reale tregojnë se kanë kapërcyer”. 

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shqipëri-Kosovë. Në janar mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive

Ambasada e konsullatat me website të rinj. Por informacioni në to, ende i mangët