in

Jetimët shqiptarë të ISIS-it të mbetur në Siri

17 bij, nga të cilët 14 të mitur, kanë humbur baballarët, luftëtarë të ISIS-it. Familjet kërkojnë të mundësohet kthimi i fëmijëve në Shqipëri

Nga Flamur Vezaj

Shtatëmbëdhjetë fëmijë shqiptarë kanë mbetur jetimë në Siri, pasi baballarët e tyre janë vrarë gjatë luftimeve si pjesë e organizateve terroriste të ISIS-it. ABC News ka mësuar se besimtarët myslimanë shqiptarë, që i janë bashkuar luftëtarëve në Siri, nuk kanë sakrifikuar vetëm jetën e tyre, por edhe atë të fëmijëve, duke i marrë me vete.

Sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit dhe institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, rezulton se gjatë luftimeve në Siri e Irak nga viti 2012 e deri më tani janë vrarë 14 shtetas shqiptarë. Nga të dhënat e dosjes, rezulton se 7 prej këtyre viktimave janë larguar drejt Lindjes së Mesme së bashku me familjet e tyre. Referuar këtyre të dhënave, rezulton se 7 të vrarët kanë lënë pas bashkëshortet dhe 17 fëmijë jetimë.

Mes fëmijëve të mbetur pa baba, thuhet në dosje, vetëm 3 janë në moshë madhore ndërsa 14 të tjerët janë të mitur. Burimet thonë se bashkëshortet e këtyre të vrarëve, nga kontaktet me familjarët e tyre në Shqipëri, kanë shprehur dëshirën për t’u kthyer por e kanë të pamundur për shkak të bllokimit të pasaportave. Gjithashtu, thuhet se fëmijët e rritur janë angazhuar në luftime ndërsa të miturit gjatë ditës ndjekin mësime fetare. Në dosje, thonë burimet, rezulton se përveç fëmijëve jetimë, të vrarët kanë lënë në Siri edhe prindërit të cilët i kishin marrë me vete.

Në dosje nuk jepen detaje mbi vendbanimet e tyre, por dyshohet se bashkëshortet dhe fëmijët e të vrarëve janë në qytete të ndryshme të Sirisë dhe Irakut. Aty renditen vetëm emrat e të vrarëve, të fëmijëve të tyre dhe detaje mbi kohën e largimit nga Shqipëria drejt Sirisë.

Sipas listës që ABC News ka arritur të sigurojë, rezulton se i vrari Hamit Muslija i larguar në janar të 2013 nga Shqipëria,  ka lënë katër fëmijë jetimë, të gjithë me moshë nën 18 vjeç.

Një ndër luftëtarët shqiptarë është edhe Sherif Taushani, i cili mendohet se është vrarë dhe se ka lënë në Siri bashkëshorten, tre fëmijët dhe dy prindërit e tij.

Ndërsa Shkëlzen Dumani veç dy fëmijëve jetimë ka lënë në Siri edhe nënën e tij, e cila kishte shkuar për ta bindur atë të kthente fëmijët në Shqipëri.

Diamant Rasha dhe Ervin Hasanaj, që të dy bashkuar luftëtarëve të Sirisë në janar të vitit 2013 kanë lënë jetimë secili nga dy fëmijë të mitur.

Ndërsa Bledian Hamza, edhe ky i larguar drejt Sirisë në janar të 2013, ka lënë pas bashkëshorten dhe një vajzë të mitur.

Rezulton të jenë në moshë madhore tre fëmijët tashmë jetimë të Hasan Korvafajt, i cili ishte larguar nga Shqipëria në nëtor të vitit 2012

ABC News

 

Shqiptarët e Italisë në festë

Të shpallët e pamvarsisë