in

Kadare: “Zhurmë e pandershme mbi standardin e gjuhës shqipe”

“Gjuha është prodhimi më befasues i njeriut. Cilësorët: “e hyjnueshme, misterioze”, mund të duken të tepruara në fillim për të, më pas do të jenë të pamjaftueshme. Gjuha është më tepër se kaq. Ajo është një pakt i vështirë. Më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre. Me anë të saj, njeriu shpalos atë që duket e pamundur: të fshehtën e pafundme të vet. Si e tillë, ajo vetë, gjuha, çështja e saj, meritojnë të gjithë seriozitetin tonë.
Pikërisht ky seriozitet mungon në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi. 
Zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapështira saqë nuk ka nevojë t’i shtojmë një krim të paqenë”.
Ismail Kadare

Në një pjesë të intervistës që shkrimtari i madh Ismail Kadare i jep gazetares Arbana Xharra për gazetën “Zëri” në Kosovë, flet për debatin mbi gjuhën shqipe në të cilin janë përfshirë akademikë e gjuhëtarë.

Të flasim pak për debatin mbi standardin e gjuhës shqipe. A duhet rishikuar njëjësimi i 1972-shit?

Është vështirë që brenda kushtëzimit të një interviste të flitet për ndoshta çështjen më të ndërlikuar të kohës.
Gjuha është prodhimi më befasues i njeriut. Cilësorët: “e hyjnueshme, misterioze”, mund të duken të tepruara në fillim për të, më pas do të jenë të pamjaftueshme. Gjuha është më tepër se kaq. Ajo është një pakt i vështirë. Më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre. Me anë të saj, njeriu shpalos atë që duket e pamundur: të fshehtën e pafundme të vet. Si e tillë, ajo vetë, gjuha, çështja e saj, meritojnë të gjithë seriozitetin tonë.
Pikërisht ky seriozitet mungon në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi. 
Në kohën kur Shqipëria, e lodhur pas komunizmit, ka nevojë për të marrë veten, qindra mijëra fëmijëve shqiptarë u pështyhet mu në sy, mjeti kryesor me anë të të cilit ata zbulojnë botën, dijet, të vërtetën. Pas spekulimit me fjalën “standard”, fjalë që nuk është shqiptuar asnjëherë prej Kongresit të Drejtshkrimit, për gjuhën e sotme shqipe përdoren cilësimet: bunker, burg, prangosëse trush, torturuese fëmijësh, shtypëse dialektesh etj., etj.
Ju mund të pyesni, a ka ndonjë shkas për këtë ose së paku, a ka ndonjë vjegë (pretekst)? Mendoj se përgjigjja, në këtë rast, duhet të jetë e prerë: përveç çështjeve të zakonshme që herë pas here u dalin gjuhëve europiane, nga greqishtja e re te gjermanishtja, në gjuhën shqipe s’ka ndonjë gjë të veçantë që krijon alarm.
Zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapështira saqë nuk ka nevojë t’i shtojmë një krim të paqenë. Përndryshe ka gjasë që kjo grykësi të shkojë në favor të tij, duke bërë të pabesueshme të tjerat. Gegërishtja pra nuk u ndalua.
Do të mjaftonte vetëm një shembull, ai i Migjenit, shkrimtarit më të botuar, më të popullarizuar dhe më të studiuarit në të gjitha nivelet e shkollave shqiptare, për të hedhur poshtë mashtrimin mbi të cilin është bazuar zhurma kryesore”, kundër standardit. (Pa përmendur Ndre Mjedën ose përkthimet monumentale të Dantes, Virgjilit, Homerit, tekste bazë për leximet universitare, shumica në gegërisht).

Çfarë mund të jetë shkaku i zhurmës që bëhet?

Shkaku i një marrëzie s’është gjë fort e lehtë për t’u gjetur.
Së pari, nuk ka marrëveshje për termat. Kjo vjen kryesisht ngaqë një pjesë e polemizuesve, ata më të zellshmit, janë shpesh amatorë. Një amator kur flet për gjuhën është një gjë e bezdisshme. Por kur një amator bën për tre muaj kurs jashtë shtetit, ta zëmë në Kalabri, shumë-shumë në Napoli, atëherë ai, nga i bezdisshëm kthehet në të padurueshëm.
Marrëveshja për termat është e domosdoshme për të shmangur zjarrminë e tepërt, për të mos thënë histerinë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ka qenë kongres i drejtshkrimit dhe jo i standardit.
Për prirjen e njëjësimit të shqipes së sotme, rolin vendimtar e ka luajtur alfabeti i vitit 1908 dhe jo Kongresi i Drejtshkrimit. Dy ndër hartuesit kryesorë të alfabetit të 1908-s ishin Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, të dy veriorë.
Alfabeti i shqipes dallohet si ndër më të qëndrueshmit në Europë.
Përveç alfabetit, dihet se nga dy të folmet kryesore të Shqipërisë, ka qenë toskërishtja ajo që ka mundur të krijojë më shpejt atë që quhet koiné (koinos, gjuhë e përbashkët ndërdialektale).
Pavarësisht favorizimit emocional politik që, pa dyshim, ka pasur, ajo s’mund të vendosej në bazën e gjuhës letrare të njëjësuar pa faktorët që u përmendën më lart. 
Madje mund të thuhet se edhe në rast ngadhënjimi të antikomunizmit, vështirë se mungesa e përkrahjes politike do të pengonte toskërishten letrare të zinte, qoftë edhe me një farë vonese, të njëjtin vend.
Gjuha letrare përkon në një pjesë të madhe me standardin, por ruan atë që quhet liri e krijimit të autorit. Nëpërmjet saj, krejt pasuria e dialekteve e ka rrugën e hapur drejt gjuhës letrare të njëjësuar.
Asnjë gjuhë në Europë nuk ka një standard të përsosur. Ndërkaq, asnjë vend nuk lejon të ashtuquajturin “zhvillim të lirë të saj”, siç bëhet thirrje në Shqipëri, sepse nga një kinse liri e tillë, gjuha, nën trysninë e rrugës, mund të shkatërrohet për disa vjet.
Mendja e kursantëve tremujorë, përpara se t’u hyjë çështjeve të gjuhës, duhet të mësohet me idenë se ligjet e gjuhës janë më të ndërlikuarat në botë dhe se duhen së paku njëzet vjet për t’i përvetësuar. Për të sjellë vetëm një shembull, sipas këtyre ligjeve, në gjuhë, ajo që në pamje të jashtme mund të duket si pasuri, qëllon të jetë e kundërta.
Për të vazhduar me shembuj, një gjuhë me fjalor njëzet mijë fjalësh, ngjan dhe është vërtet e varfër, por kjo s’do të thotë se një gjuhë që mëton të ketë gjysmë milioni fjalë është e pasur. Madje kjo e dyta, me mizërinë e fjalëve të saj, tregon se po bën prapa, po kthehet në një paragjuhë, pra pushon së qenë pakt, dhe si e tillë po ecën drejt shuarjes së saj.
E solla rastin e mësipërm si shembull të paradoksit e të trilleve që janë të natyrshme për gjuhën, qoftë edhe kur bien në kundërshtim të plotë me ligjet e shoqërisë. Për një mendësi normale, vendosja e standardit gjuhësor prej shumicës së popullsisë, ngjan si e vetmja zgjidhje e logjikshme. Për habi, zakonisht ndodh e kundërta. Një zonë e ngushtë, një krahinë, qytet, madje një njeri i vetëm, si i famshmi rast i Dante Aligerit, mund të jenë vendimtarë.

Ju thatë se standardi nuk është pa probleme. A janë të riparueshme mungesat?

Natyrisht. Standardi, duke pasur në thelbin e tij mospërkryerjen, nënkupton dozën e detyrimit, të flijimit, pse jo, të trishtimit. Në këtë kah, ai mund të përcaktohet si një fitore jo e gëzueshme. E megjithatë, ai s’mund të ekzistojë veçse si i tillë. gadhënjimi i fshehur i tij do të shpalosej vetëm në rast humbjeje të tij. Në Europë nuk njihet asnjë rast që një standard, pas vendosjes, të jetë thyer. Është pikërisht rrënimi i standardit që po i propozohet sot Shqipërisë, pa kurrfarë përgjegjësie. Kjo është njësoj si të gërmosh një gropë të madhe, pa propozuar asgjë në vend të saj.
Për t’u kthyer te mungesat, ato janë të gjitha të riparueshme. Varfëria e fjalorëve të gjuhës, mungesa e fjalorëve me një minimum doze etimologjie, si gjithkund në Europë, përparësia e parimit fonetik mbi atë morfologjik, që, për mendimin tim, duhej të ishte e kundërta. Për këto nuk ka ndonjë faj standardi, por mendja e ngushtë e padijësve tanë. Ashtu siç ka ndodhur në rastin e ftohtësisë me zanafillë politike ndaj autorëve katolikë të Veriut, e shtrirë pa kurrfarë logjike në sferën e gjuhës.
E vetmja çështje dramatike që do ta vinte në faj të pandreqshëm standardin, do të ishte ajo e thesarit gjuhësor.
Me fjalë të tjera, e lejon apo e pengon ky standard futjen e krejt thesarit në shqipen e sotme? Më lejoni që për këtë pyetje themelore t’ju përgjigjem me të vetmen tagër që mund të ketë një shkrimtar: atë të përdoruesit (makinistit) të gjuhës. Dhe përgjigjja do të ishte e prerë: me gjithë përgjegjësinë publike që vetvetiu mbart standardi i shqipes së sotme, ai s’përbën asnjë pengesë që thesari i dialekteve, në radhë të parë ai i së folmes veriore, të jetë pjesë e plotë, harmonike e krejt gjuhës. Sipas studimeve të gjuhëtarëve të njohur, duke përfshirë në radhë të parë veriorët, në shqipen e sotme letrare, që është motra e standardit, kanë hyrë e janë duke hyrë harmonikisht jo qindra, por mijëra fjalë dhe lokucione veriore. Ju mund të pyesni: po paskajorja? Dhe unë pikërisht për një rast të tillë do t’ju kujtoja shprehjen “fitore jo e gëzueshme”, që u përmend më lart.
E megjithatë, pa mohuar keqardhjen për flijimin e tij të detyrueshëm sipas ekspertëve, duke sjellë në kujtesë fillimin e më të famshmit monolog të letërsisë botërore “To be or not to be” të Hamletit, i cili në dy versionet e shqipes do të jepej ose me paskajoren gegë “me qenë a mos me qenë”, ose me pjesoren e standardit “të jesh a të mos jesh”, nuk do të besoja se do të gjendeshim përpara një drame gjuhësore.
Sa për sofizmin e fundit të ndonjë filozofi, se gjuha e njëjësuar e sotme mund të krijojë një farë torture për fëmijët shqiptarë, mendimi i njëzëshëm i specialistëve është se, ashtu si kalimi nga një gjuhë te tjetra, kalimi nga dialekti te gjuha letrare dhe nga kjo te standardi, jo vetëm nuk e dëmton inteligjencën e fëmijëve, por e ngre atë në një nivel më të lartë, çka do të ishte një dhuratë për të gjithë jetën e tyre të mëvonshme.
Kam dëgjuar se fëmijët e Kosovës e përdorin me dëshirë dhe me shumë lehtësi shqipen e njëjësuar. Në qoftë se është kështu, ky do të ishte pa dyshim një lajm i mrekullueshëm dhe me një ngarkesë simbolike, madje profetike, jo vetëm për gjuhën, por për krejt kombin shqiptar.

Për gjuhën shqipe ka mendime të ndryshme, nga lavdet më të mëdha tek e kundërta.

Nuk ndodh vetëm me shqipen. Shqipja ka nxitur lavde të mëdha, shpesh mallëngjyese edhe për arsye se ka qenë një kohë e ndaluar. E kanë quajtur me fjalët më përkëdhelëse të botës, natyrisht naive, krejt të pavërteta e fëminore, si p.sh. nëna e të gjitha gjuhëve. Ndërkaq, kjo s’është ndonjë arsye që ne, për një farë drejtpeshimi, nga qumështi i nënës t’i kthehemi krahasimit me zinxhirë apo gijotina, siç u tha më lart.
Gjuha shqipe, në hartën e idiomave botërore, ka një status shumë më të nderuar se ç’kujtojnë përgjithësisht shqiptarët. Në trungun gjenealogjik të gjuhëve, në çdo botim serioz ajo hyn ndër dhjetë ose dymbëdhjetë gjuhët themeltare të Europës (brenda kufijve të saj), sikurse greqishtja e re, të dyja pa familje.

Mos po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve, tentimi për gjuhën kosovare, ndarja kombëtare

Natyrisht prirja për përçarje bëhet e dukshme, por kjo s’duhet as të na habisë e as të na ligështojë shpirtërisht. Duke qenë në natyrën njerëzore, ajo kalon te shoqëria, kombet, shtetet. Ka raste kur përçarja shfaqet me maskën e demokracisë, ashtu si tirania me maskën e unitetit.
Përçarja bëhet veçanërisht shqetësuese kur kërkohet me ngulm, siç ndodh shpesh te ne. Në fazë pasdiktatoriale etja për të është njëfarësoj e kuptueshme, siç u tha më lart. Në të vërtetë koha është për të kundërtën.
Kombi shqiptar ndodhet sot në një kohë ndërtimi. Kjo s’është një metaforë. Është thelbi i kësaj kohe. Duke përdorur fjalën “ndërtim”, e kuptoj se ajo është problematike. “Ndërtimi i socializmit” është leksema më e shpërdoruar e kohës me të cilën jemi ndarë përgjithmonë. Ndërkaq, ne e dimë, dhe ju matanë kufirit e dini, se ajo që bënim ne ishte diçka që veç ndërtim s’mund të quhej. Mjaftonte zbërthimi i parullës kryesore të ditës: sa më shumë përparon socializmi, aq më e fortë bëhet lufta e klasave, për të kuptuar se ajo që ndërtohej s’ishte gjë tjetër veçse përçarje, trysni dhe terror. S’po zgjatem me shpalljet e tjera të kohës, si armiqësinë për vdekje me Europën, me Shqipërinë fenerndriçues, dhe vallen në gojën e ujkut, deri te ngrënia e barit si dëshmi besnikërie ndaj doktrinës.
Ne i kemi lënë pas marrëzitë, por një pjesë e tyre kërkojnë të rikthehen. Dhe midis tyre është, padyshim, përçarja.

Lexo intervistën të plotë në Gazetën Zëri: Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur

 

Noi e quel pallone gonfiato chiamato Bunker

Shtetësia italiane. Tani është ligj: kush e kërkon si pasardhës italiani paguan 300 euro