Kam 1 muaj që kam ardhur në Itali me pasaportën biometrike, pa vizë. Si t’ia bëj që të gjej punë këtu dhe si ta marr një leje qëndrimi?
Liberalizimi i vizave ka bërë të mundur që shqiptarët të lëvizin lirisht në zonën Schengen për maksimumi 90 ditë çdo gjashtë muaj. Gjatë kësaj periudhe çdo shqiptar me një pasaportë biometrike mund të udhëtojë lirisht në Schengen për turizëm, apo për ndonjë kurs formimi që nuk zgjat më shumë se 90 ditë. Por është krejtësisht e pamundur që liberalizimi i vizave të përdoret për bashkimet familjare apo për të kërkuar punë, në Itali apo në çdo vend tjetër të zonës Schengen.
Për më tepër, në Itali mund të vihet për punë vetëm përmes dekreteve të flukseve, që përcaktojnë një numër të caktuar hyrjesh shqiptarësh për të cilët paraqitet kërkesë punësimi nga një sipërmarrës në Itali, me disa përjashtime të pakta figurash profesionale që mund të vijnë në Itali edhe jashtë kuotave të flukseve siç janë punonjësit e spektaklit apo drejtues të lartë, profesorë universitarë, por edhe për këta nevojitet kërkesë dhe kontratë punësimi nga Italia.
E pra, ardhja në Itali me pasaportë biometrike nuk jep asnjë mundësi punësimi apo të marrjes së lejes së qëndrimit. Përkundrazi, qëndrimi më gjatë se tre muaj në Itali, mund t’i kushtojë shtrenjtë personit që e bën një gjë të tillë, pasi do t’i heqë të drejtën të hyjë në Itali apo në një vend tjetër të zonës Schengen për një kohë të gjatë.
Shqiptari i Italisë