Loja me kandidaturat për Këshillin Koordinues të Diasporës
Të kandidosh për Këshillin Koordinues të Diasporës e të mos dish gjë. Kjo gjë u vërejt me habi të madhe nga disa prej nesh këtu në Itali që panë emrin e tyre në listën e kandidatëve të botuar në portalin e Diasporës e të përhapur të premten me newsletter të nisur nga Ministri i Shtetit për Diasporën.
Në listë, me dhjetëra të propozuar nga të katër anët e globit si kandidatë (kandidatura të përcaktuara sipas VKM 340/2018 “Rregulla të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës”) për këtë “organ përfaqësues dhe koordinues i marrëdhënieve me diasporën”, siç shkruhet në ligjin për Diasporën (Nr. 16/2018, ku ç’është ky Këshill, kompetencat dhe përbërja e tij përshkruhen në nenet 18-21).
Kur shkon e lexon emrat e kandidatëve nga Italia, kush kishte parë muaj më parë listën e botuar nga ambasada (që shpjegonte se u kish lënë në dorë shoqatave të propozonin e kujtdo të vetëkandidohej), mbetet gojëhapur: kjo listë është shumë më e gjatë se e para. Por më të shastisur se shumica mbeten disa, si unë për shembull, që gjejnë emrin në listë pa pasur asnjë dijeni. As nuk kam vetëkandiduar, as ndonjë shoqatë më ka kërkuar të propozonte emrin tim (e në fakt emrin nuk e kisha në listën e botuar muaj më parë nga ambasada). Po kështu i ka ndodhur kolegut Rando Devole, i cili u befasua shumë kur pa emrin e vet në listën e kandidatëve për Këshillin Koordinues të Diasporës.
Kandidimi për një post ose për një organizëm çfarëdo nënkupton medoemos jo vetëm njoftimin, por edhe pranimin e tij nga të interesuarit. Kjo nuk vlen vetëm për vetëkandidimin, që e përmban në mënyrë implicite pëlqimin. Në të gjitha rastet e tjera kërkohet shprehimisht pranimi i kandidaturës nga personi i interesuar, çka më pas përkthehet si autorizim për përdorimin e emrit. Pranimi i kandidaturës është i domosdoshëm, sepse çdo njeri mund të ketë me dhjetëra arsye për të mos e pranuar: mund të jenë politike, por edhe personale, procedurale, por edhe thelbësore.
Ç’ka ndodhur ndërkohë? Vështirë të thuhet me siguri, fakt mbetet që papritur e pa kujtuar, pa asnjë sqarim se nga vijnë këto kandidatura të reja, shtohen disa emra.
Hamendësimet janë të ndryshme, e asnjë prej tyre i pëlqyeshëm.
Ndoshta Agjencisë, apo Ministrit për Diasporën, apo Ambasadës, niveli i kandidaturave është dukur i pamjaftueshëm, kështu që ka menduar të shtojë të tjerë. Në të drejtë të tyre ta bëjnë, por të mbajnë përgjegjësinë para kandidatëve të parë e ta thonë hapur që kanë vënë emra të rinj që nuk kanë vetëkandiduar as nuk janë propozuar nga shoqatat, por “nga lart”. Dhe ndaj kandidatëve të dytë duhet të kishin “mirësinë” t’i pyesnin nëse e pranonin kandidaturën.
Një hamendësim tjetër është që, në të vërtetë, njëri apo të dy përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Italisë në Këshillin Koordinues të Diasporës ishin zgjedhur me kohë. Por meqë emri/emrat e të përzgjedhurve nuk ishin në listën e parë të kandidaturave të prezantuara fillimisht nga Ambasada, janë shtuar më pas. E për të mos rënë në sy, bashkë me ta kanë shtuar në listë edhe disa persona të tjerë, e meqë për këta të fundit nuk do të ndryshonte asgjë as që u lajmëruan fare.
Mungesë e plotë serioziteti, qoftë ndaj atyre që u përdoren emrat, qoftë ndaj kandidatëve të parë. Një sjellje që vetëm përçarje mund të sjellë në gjirin e komunitetit shqiptar në Itali.
Nga strukturat e reja të Diasporës pritej shumë, por sjellje si këto, jo vetëm nuk i afrojnë emigrantët, por i largojnë të mërzitur.
Kështu, nëse po të më ishte kërkuar më parë mendim rreth kandidimit në këtë organ do të isha menduar para se të jepja përgjigje, sot them prerazi “Jo”.
Keti Biçoku
Shqiptari i Italisë