Vladimir Merkaj është dënuar me 23 vjet 7 muaj burg, për dhunë seksuale, shfrytëzim prostitucioni, emigracion të paligjshëm, rrëmbim personi dhe trafikim lëndësh narkotike
Tiranë, 27 qershor 2013 – Policia e Vlorës kapi sot një 37 vjeçar nga ky rreth, i cili kërkohej nga drejtësia italiane, që e kishte dënuar me 23 vjet e 7 muaj burg për disa vepra penale, mes të cilave trafik lëndësh narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se Vladimir Merkaj, me identitet të ndryshuar në Dalan Merko, u kap gjatë një operacioni policor të koduar “Sipërmarrësi”, në zbatim të një urdhër arresti ndërkombëtar.
“Merkaj ka qenë i shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit dhe Gjykata e Apelit Bolonja, me vendimin e vitit 2010 e kanë dënuar me 23 vjet 7 muaj burg, për disa veprat penale si dhunë seksuale, shfrytëzim prostitucioni, emigracion të paligjshëm, rrëmbim personi dhe trafikim lëndësh narkotike,” theksohet në deklaratën zyrtare të policisë së Vlorës pas përfundimit të këtij operacioni. Sipas saj, arrestimi i Merkajt, banor i fshatit Babicë e Madhe, 5 km në veri të Vlorës, u krye falë një bashkëpunimit me forcat italiane të rendit.
Materialet procedurale në ngarkim të tij i janë përcjellë Prokurorisë së Vlorës, për kryerjen e procedurave të mëtejshme gjyqësore për ekstradimin e tij në Itali.