in

Kledi Kadiu “Më mirë se një përrallë”

Pas filmit “Passo a due”, jeta e Kledi Kadiut u jepet adhuruesve të tij tashmë në libër. Kësaj here është ai vetë që ulet të shkruajë biografinë e vet të romancuar për Mondadorin. “Meglio di una favola, i sapodalë më 27 janar shfaq që tani të gjitha shenjat e një suksesi më shumë për idhullin e qindramijëra italianeve.

kledi_grande.jpgE ka emrin Kledi simboli i shqiptarëve të mirë në Itali. Dhe historia e tij u shndërruar në një përrallë hirushi që rëndom gazetarët italianë imagjinonin pas çdo shqiptari të suksesshëm. Skema përmbante gjithë mendimet bajate që një italiani i vijnë ndërmend kur përpara syve u del një shqiptar: gomonia, Shqipëria e varfër – tokë e tmerreve, dhe në fund arritja eventuale e suksesit në një vend që nuk është i veti. Edhe kjo lloj historie është shndërruar në simbol të shqiptarëve të suksesshëm së bashku me vetë Kledin personazh publik të admiruar në Itali.

Por Kledi është shumë më tepër se kaq. Për të thënë këtë dhe për të rrëfyer edhe më tepër nga jeta e tij publikut i ofrohet më së fundi edhe një autobiografi e tij, botuar nga shtëpia botuese Mondadori. Libri titullohet “Meglio di una favola” dhe nuk mund të kishte titull më të përshtatshëm, që të sintetizonte suksesin e Kledit, dhe tejkalimin e pritmërive me të cilat ai zbarkoi në bregun tjetër të Adriatikut shumë vite më parë që sot duken shekuj të lënë pas nga ritmet e ndryshimit të gjithçkaje për Kledin dhe për shqiptarët.

Ai ishte një balerin, një nga më premtuesit e Teatrit të Operas dhe të Baletit të Tiranës që mori rrugën me një valixhe ëndrrash për arsye shumë më logjike e me këmbë në tokë se sa rëndom përshkruhen. Tirana kishte një shkollë të mirë baleti, një balet cilësor, por që siç ndodh shpesh në Shqipëri ngurronte të përditësohej e të kapte trenin e simotrave nëpër skenat po aq cilësore të botës. Dhe për një balerin premtues mbyllja në një skemë klasike të mbetur pas, kohërave të shkuara të zhvillimit artistik, shndërrohet në një tundim të papërballueshëm për tu larguar e për të mbërritur ato prurje të reja që rastësisht shfaqeshin në ndonjë cep të programacionit të televizioneve italiane që ishin aq të ndjekura në Shqipërinë e asaj kohe. Kështu ajo që motivoi nisjen e djaloshit shqiptar në ato vite të turbullta për gjithë shqiptarët ishte ambicia për tu përmirësuar profesionalisht që më pas Italia ia dha me bujari duke mos u kursyer madje për shumë më tepër se kaq.

“Meglio di una favola” sepse Kledi i atëhershëm nuk mund të mendonte se një ditë jeta e tij do të shndërrohej në një film, e më pas në libër dhe se djaloshi shqiptar do të listohej në krye të personazheve më të dashura të rinisë italiane. Këto janë të gjitha gjëra që Kledi, balerin nga teatri i Operas së Tiranës nuk kishte si t’i imagjinonte. Në një farë mënyre ndodhi që ai të zhytej kokë e këmbë në atë ëndërr që ishte televizioni në ato vite në Shqipëri, e prej andej të përcillte me të njëjtin vektor ato mesazhe mrekullie që kishte perceptuar dikur nga ana tjetër e ekranit. Sepse kjo është magjia e mediave televizive sot, krijojnë imazhe, manipulojnë imazhe, dhe janë një pushtet më vete shumë i fuqishëm se gjithë mediat e tjera, duke përcjellë mesazhe dhe imazhe me një shpejtësi marramendëse.

Prej këtej rrodhi ajo që askush nuk kishte imagjinuar, një balerin i vetëm arrin të bëjë atë që për shumë vite nuk kishte ditur të bënte shteti shqiptar. Italianët zbuluan një tjetër lloj shqiptari, të parrezikshëm, punëtor, kreativ dhe artist, e madje edhe të bukur, sipas kritereve të një bukurie mesdhetare që tundon italianet. Dhe për Shqipërinë filloi të flitej si për një vend normal, që pakkujt i kishte shkuar ndërmend në Italinë provinciale para se në ekran të rrëfehej historia e Kledit. E njëjta histori që më pas u shndërruar në film, për të mbledhur në minutazhin e një filmi artistik atë që mund t’i ndodhë një balerini të talentuar shqiptar që i mbërritur në Italinë e vështirë, i takon të çajë përpara mes mijëra problemesh dhe rreziqesh për tu keqpërdorur nga të fortët e sektorit. Derisa ngjarjet morën për mirë, kur audicion pas audicioni ajo që vlente tashmë nuk ishte më shtetësia dhe prejardhja e dyshimtë e balerinit por vetëm dhe vetëm talenti i tij, dhe premtueshmëria e konsiderueshme.

Kjo duket në film, dhe po ashtu tejduket edhe në librin e sapodalë në treg që edhe pse në ditët e para, është duke shënuar rekorde shitjesh dhe porositjesh kopjesh pranë shtëpisë botuese.

Por ky libër nuk është një kënaqje e narcisizmit prej personi publik që shpesh i shtyn njerëz të njohur të hedhin në treg libra të pamotivuar për tua ofruar fansave të tyre. Përkundrazi, Kledi që ngelet modest sikur sapo të kish zbarkuar në botën e spektaklit italian, synon të japë mesazhe të konsoliduara nga përvoja e tij e gjatë personale në Shqipëri dhe në Itali. Bëhet fjalë kështu për një libër që shkon përtej komerciales, dhe si rrallë herë i ofron publikut të tij të përbërë kryesisht nga fansa të rinj në moshë një shembull të mirë për të ndjekur, drejt realizimit të objektivave dhe ëndrrave të tyre. “Sepse asgjë nuk arrihet vetëm në sajë të fatit” thotë Kledi, duke dashur tu përcjellë gjithë lexuesve të tij dobinë e disiplinës që e ka shpënë në të tilla nivele suksesi dhe fame. Është ky një mesazh i admirueshëm që shkon pozitivisht kundër rryme në një botë të rinjsh të mbushur me imazhe arritjesh të lehta që plogështojnë dhe tundojnë shumë më tepër se sa objektivat e realizueshëm pas lodhjes, punës dhe përpjekjeve konstante. Por meqë pjesa më e madhe e sa ndodh në jetë kalon nëpër këtë itinerar sforcimi dhe rrallë ndodh të dhurohet diçka, Kledi nëpërmjet “Meglio di una favola” tregon atë që nuk duket, vitet e gjata të punës, që fshihen pas Kledit të suksesshëm sot.

kledikopertina.jpg

Shqiptari i Italisë: Pas filmit “Passo a due”, jeta juaj përshkruhet në një libër…

Kledi Kadiu: Libri është pjesë e jetës sime të jetuar, e të kaluarës sime. Ka disa pjesë të rëndësishme të jetës sime, ndryshimet e mëdha nga pikëpamja profesionale, dhe nga pikëpamja personale. Por përveç kësaj janë në këtë libër edhe ato ndryshime të mëdha që Shqipëria dhe gjithë shqiptarët kanë përjetuar gjatë këtyre viteve. Është një periudhë shumë e ngjeshur me data dhe fakte. Libri trajton që nga fillimi, fëmijërinë time, momentin kur kam hyrë në akademinë e Tiranës. Janë në të të tetë vitet që kam kaluar në akademinë e Tiranës. Pastaj siç e dinë të gjithë vjen ajo etapë e jetës sime ku gjithçka ndryshoi. Bëhet fjalë për një etapë që e ndaj edhe me shumë shqiptarë të tjerë, tundimi që pjesa më e madhe prej nesh pati për të lënë Shqipërinë. Kështu flas për tundimin e parë, zhgënjimin, dhe rikthimin në Shqipëri në të njëjtën shkollë, turnetë e ndryshëm që kam bërë me shkollën dhe teatrin e Operas dhe Baletit, pastaj sërish ardhja në Itali por këtë herë me dokumente të rregullta. Të gjitha vështirësitë që një i huaj mund të gjejë në Itali, dhe pastaj suksesi, fitorja. Në këtë fazë historia mbaron, sepse pjesa tjetër vazhdon, dhe të gjithë ata që më njohin e dinë se cili jam unë sot, me se merrem, ku kam lindur e pse jam këtu ku jam.

Pse ndiet nevojën të shkruanit këtë libër? Jo gjithmonë balerinët marrin laps e letër në dorë për të treguar jetën e tyre…

Libri flet për ëndrrën për të realizuar suksesin – them sukses duke e përgjithësuar, por do të ishte më e përshtatshme të thuhej objektivat e gjithsecilit në jetë. Libri përbëhet, të themi, nga përpjekjet që i duhen kushtuar pikërisht mbërritjes së këtij objektivi. Nuk do të thotë kjo se kjo është mënyrë e vetme për të gjithë, por në rastin tim është mënyra që dha rezultat. Kam dashur të tregoj këtë eksperiencë, sepse mendoj se është një arsye e mirë për tu dhënë një shembull të mirë të rinjve se si të arrijnë objektivat e tyre. Dua që të mos mendojnë se gjithçka varet thjesht nga fati. Fati është një kombinim që lidhet ngushtë me talentin dhe me përpjekjet për realizimin e objektivave. Natyrisht ky mesazh vlen për këdo, secili në fushën e interesave të veta, jo vetëm për balerinët. Gjithashtu dua të them se këtë libër ia kushtoj gjyshes sime, një njeriu që gjithmonë më ka qenë shumë e dashur dhe vendimtare për jetën time dhe që fatkeqësisht prej pak kohësh nuk e kam më. Ishte si të thuash edhe një dhuratë për të, duke parë mbrapa nga kjo pikë ku jam tani.

Pra bëhet fjalë për një biografi, përshkruese të gjithë etapave të jetës suaj deri tani. Është edhe një lloj bilanci, ku duket Kledi i fillimit dhe Kledi sot. Me pak fjalë si është ky bilanc?

Është një lloj bilanci, është shumë e drejtë. Madje edhe titulli doli në mënyrë shumë spontane kur isha duke folur me përfaqësuesit e Mondadorit. Nuk mund të kishte titull më të përshtatshëm se “Meglio di una favola”. Asnjëherë nuk do të kisha menduar se një ditë do të filloja të bëja kaq shumë gjëra, disa prej të cilave nuk kanë fare të bëjnë me sferën time. Prandaj shkoi më mirë se në përrallë. Është e vërtetë ky libër është një përrallë, që përfundon për momentin në të tashmen. Kuptohet nuk kishte si të ishte ndryshe përderisa unë nuk jam 70 vjeç tani, jam vetëm 35.

Etapat tuaja nuk mund të mos gërshetohen disi edhe me etapat që ka kaluar edhe emigracioni shqiptar në Itali, shumë shqiptarë mund të gjenin elementë të përbashkët me bilancin tuaj.

Ky i imi është një bilanc i privilegjuar. Ka shumë shqiptarë të tjerë, kolegë të mi, apo të sferave të tjera që i kanë realizuar plotësisht objektivat e tyre në jetë, por unë e ndiej veten shumë të privilegjuar dhe mjaft me fat. Por kur them me fat nuk dua që të mendojnë keq se ishte vetëm fat dhe asgjë tjetër. Duke qenë televizioni një mjet komunikimi qe mbërrin shumë më shpejt se gjithë të tjerët, emri im u ka mbërritur njerëzve shumë më shpejt se sa ai një balerini tjetër që shihet vetëm në teatër, apo se emri i gazetarit, apo profesionistit tjetër shqiptar po aq të suksesshëm e të realizuar sa të meritojë famë. Imazhi popullariteti, kanë bërë që të ndihem si pjesë e atyre njerëzve që kanë realizuar ëndrrat e tyre. Por historia ime është e veçantë sepse unë isha një djalë shqiptar që hyri në televizionin italian si shqiptar, që për mua ishte normale, ashtu si për gjithë bashkëkombësit e mi, por që për italianët ishte diçka pak e njohur. Kështu nuk dihej çfarë linim pas, çfarë kishim jetuar, imazhi i anijes dhe i skafeve hidhte pastaj tym të errët mbi gjithçka.

Si është të jesh shqiptar sot krahasuar me të kaluarën?

Opinioni ndaj shqiptarëve është sot shumë ndryshe krahasuar nga ai i shumë viteve më parë. Mendoj se pjesërisht është edhe meritë e atyre djemve e vajzave që kanë dalë në televizion këto vite sepse siç thashë televizioni ka këtë privilegj. Shqiptarët gjithmonë shiheshin si përfaqësues të së keqes, dhe gjithçkaje negative në një shoqëri. Por ardhja e shumë artistëve shqiptarë, natyrisht u tregoi italianëve një fytyrë tjetër të Shqipërisë që bënë që të ndryshonin mendim tashmë për shqiptarët. është një gjë që e shoh edhe tek vetja ime. Unë kur erdha para shumë kohe, këtu thoja “Jam një balerin i teatrit të Operas së Tiranës” dhe njerëzit buzëqeshnin të sjellshëm, por sapo thoja origjinën time, Shqipërinë, ndryshonin menjëherë fytyrë. Tani nuk është më kështu. Të thuash që je shqiptar nuk është më as diçka e jashtëzakonshme as diçka negative. Kjo sigurisht nuk mund të thuhet se ka ndodhur vetëm për meritën time dhe të ndonjë kolegu tim që ka dalë në të njëjtin ekran televizori, është pa tjetër edhe për meritë të atyre mijëra djemve e vajzave që edhe pse nuk janë të famshëm, e nuk dalin në televizor, arrijnë rezultate që i kanë bërë italianët që ndeshen me ta të harrojnë paragjykimet kur dëgjojnë fjalën shqiptarë. Mesazhet e-mailet që të gjithë ne marrim, shprehin mirënjohjen e tyre ndaj nesh, që çojmë lartë dhe përmirësojmë imazhin e shqiptarëve, dhe të flamurit tonë. është diçka që më shkakton shumë kënaqësi por mbi të gjitha më mbush me shumë përgjegjësi.

Megjithatë nuk ka qe e lehtë të jeni shqiptar?

Sigurisht kjo sferë, e sporteve apo arteve, është diçka tjetër, është një përjashtim. Kur dikush thotë: jam balerin, këngëtar, apo aktor, është shumë ndryshe nga dikush tjetër që thotë: jam murator, elektricist, etj pra një punë larg prozhektorëve edhe pse jo më pak të denjë për tu nderuar e respektuar. Unë jam plotësisht kundër kësaj, por për fat të keq njerëzit gjithmonë udhëhiqen nga aparenca. Duhet t’i njohësh më parë njerëzit e pastaj të flasësh për ta, jo të gjykosh menjëherë për origjinën. Duhet pasur vullnet për të njohur njerëzit, për të njohur tjetrin. Mirëpo kohët e fundit gjithmonë e më shpesh po ndodh që këtu po mbyllen dyert në Itali. Kohët e fundit italianët nuk janë bërë të ftohtë, por janë bërë mosbesues ndaj të huajve, kjo edhe për shkak të gjërave negative që kanë ndodhur.

Përveç kësaj ka një përmirësim të imazhit edhe duke u nisur nga prania e shumë shqiptarëve tashmë në skenat italiane, Kledi, Ambeta, Leon Cino…

Po janë tashmë shumë të tillë dhe të gjithë janë cilësorë. Kemi të gjithë pak a shumë të njëjtën histori. Të gjithë kemi ardhur nga Shqipëria, nga ajo shkollë e baletit, dhe kemi trokitur pak a shumë në të njëjtat porta, me të njëjtatt vështirësi, por pastaj jemi shndërruar në balerinë të adhuruar nga teleshikuesi italian. Kjo është pozitive. Kuptohet unë ndihem mirë kur shikoj këta kolegë që siç thashë vijnë pak e shumë nga i njëjti rrugëtim që kam ndjekur edhe unë. Sepse ndoshta të ishte një Kledi i vetëm, apo ndonjë Anbetë e vetme, nuk do të kishin mjaftuar për të ndryshuar opinionin e keq që u krijuar për shqiptarët. Me siguri njerëzit do të thonin “ka nganjëherë ndonjë shqiptar të mirë” siç edhe kam dëgjuar të thonë veçanërisht shumë vite më parë. Tani gjërat kanë ndryshuar, dhe askush mendoj unë nuk habitet më kur dëgjon që dikush është shqiptar por është edhe artistit, del në televizion apo në skenat më të dëgjuara të Italisë për të punuar me koreografët më të mirë të baletit evropian, siç u ndodh tashmë shumë balerinëve shqiptarë. Për mendimin tim, nuk mund të thuhet ende se ka një përmirësim të plotë të mendimit për shqiptarët por ka ndërsa mendimi i keq që mbizotëronte para disa vjetësh është zbehur pothuaj fare, ekziston tani edhe mendimi se shqiptarët janë në përgjithësi njerëz me talente, kuptohet secili në sektorin e vet – nuk mund të jemi tëgjithë balerinë – dhe që punojnë dhe përpiqen me ambicie dhe këmbëngulje për të realizuar objektivat e tyre. Megjithatë sot Italia nuk është akoma një vend i hapur mentalisht, kjo është shumë evidente.

Nuk është absurde një gjë e tillë pas shumë vitesh që emigrantët dhe veçanërisht ata shqiptarë janë më se të integruar e madje janë shpesh herë të suksesshëm?

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbylljen e italianëve, kjo është edhe injorancë dhe zili. Është diçka që shikoja edhe në rastin tim. Kur fillova të kisha sukses dhe njerëzit më ndalonin në rrugë kur më shikonin, kishte edhe një kategori tjetër njerëzish që hidhnin batuta “pa shih pa shih shqiptarin, ku paska arritur…”. Por janë gjëra të cilave nuk u kam dhënë kurrë peshë sepse nuk janë njerëz me të cilët ia vlen të merresh, prandaj duhet të lihen provokime siç janë. Kuptohet që një pjesë e mirë e njerëzve, nuk kanë nivelin e nevojshëm për tu hapur me ata që vijnë nga larg, edhe pse Shqipëria po ta mendosh mirë nuk është edhe aq larg, apo ata që janë të ndryshëm prej tyre, sepse edhe mjetet e informacionit janë shumë provinciale dhe nuk mbërrin informacion. Nëse ti dëgjon një lajm në tg për Shqipërinë apo për Rumaninë një herë në kaq vjet vetëm nëse ka ndodhur ndonjë gjë e kobshme është normale që nuk ke si të dish ndonjë gjë të madhe për këto vende, dhe kur të vjen shqiptari apo rumuni nuk di çfarë të mendosh për të. Në të tilla kushte vetëkuptohet që njerëzit priren të mendojnë keq për atë që nuk e njohin. Pastaj përveç që nuk ofrohet informacion, dihet që njerëzit tani nuk mund të shkojnë të gërmojnë për të zbuluar nga vinë shqiptarët apo rumunët, ndërsa duhet të lëvizin si të munden për të mbijetuar.

Ka një lloj radikalizmi të ksenofobisë, gjithmonë çuditërisht në kah të kundërt me zhvillimin e emigracionit në Itali. Nga ana tjetër vetëm pak muaj më parë edhe ju pësuat një provokim, në ambientet e shkollës suaj.

Ishte një episod që u fry tej mase, por nuk ishte diçka që mund të quhet racizëm. Ishte thjesht një sjellje jo e ndershme e një njeriu që u gjend në një ambient prindërish, dhe që u soll keq nuk ishte kundër Shqipërisë apo shqiptarëve. Mund të thonin edhe “napoletano, torinese apo milanese di merda”, nuk besoj se ky mund të cilësohet si një episod racizmi. Unë sot nuk ndihem i huaj në këtë shoqëri, dhe mendoj se edhe gjithë shqiptarët e tjerë që kanë kaq shumë vite sa unë këtu, nuk duhet të ndihen të tillë. Prandaj edhe diskriminimi që mund të ekzistojë sot është njësoj si diskriminimi midis italianëve, sepse duam nuk duam ashtu si edhe kalaberezët, napoletanët apo torinezët që jetojnë në Romë për shembull edhe ne jemi pjesë e kësaj Italie që ka kaq shumë pjesë të ndryshme brenda.

Ju shpesh herë cilësoheni si një promovues i përmirësimit të imazhit të Shqiptarëve në Itali. Por këto lloj spektaklesh shikohen kryesisht nga një publik adoleshentësh, a arrin mesazhi juaj deri tek politikani 60 vjeçar?

Politikani 60 vjeçar nuk shikon spektaklet e mia, por përsëri edhe adoleshentët nuk i shikojnë vetëm ato spektakle, i shikojnë me prindërit, kështu që mesazhi ka të bëjë me një pjesë të shoqërisë që është përtej asaj grupmoshe për të cilët kryesisht prodhohen këto spektakle. Por nuk duhet të funksionojë kështu. Nuk duhen mbajtur sytë nga televizioni për të përmirësuar imazhin. Duhet të bëjë pjesë në kulturën e individëve, ndërsa në të vërtetë pjesa më e madhe e njerëzve janë të mbyllur, nuk kanë aspak kuriozitet për të njohur kulturat e tjera, njerëz të tjerë, vende të tjera. Sot një përqindje e mirë e teknologjisë sot është çuar përpara nga të huajt. Është e lehtë të vjellësh ksenofobi me idenë se të huajt janë aty për të bezdisur. Por këta të huaj çojnë përpara vendin ku kanë ardhur dhe emrin e vendit prej nga vijnë. Për fat të keq ka shumë injorancë. Pastaj janë mediat, që edhe ato kanë përçueshmëri të madhe të mesazheve të tyre, por që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i pikturojnë të huajt me ngjyrat më të errëta. Tani protagonistë janë rumunët ashtu siç ishim ne para dhjetë vjetësh. Nuk bëhet fjalë për imazhin negativ vetëm të Shqipërisë por të çfarëdolloj të huaji. Kronika e zezë zë pjesë në faqe të parë të gjitha mediave, prandaj edhe njerëzit janë të bombarduar me lajme të këqija që kanë për protagonistë gjithmonë emigrantët. Shpresoj që përveç kësaj të bëhet edhe një promovimi i pozitives që kanë këta të huaj. Dihet që këtë e ka bërë media që ka baltosur figurën e të huajve si më keq ka mundur. Kuptohet që nëse ti hap edicionin e lajmeve me kronikën e zezë dhe në fillim fare thua ja shqiptari, ja rumuni ka bërë këtë krim makabër dhe flet për të 10 minuta, ndërsa lajmin e fundit ia dedikon të njëjtit lloj krimi por që e ka bërë një italian, dhe atëherë i kushton më pak se një minutë, kuptohet që ai italian që dëgjon lajmet do të bombardohet më këtë propagandë negative dhe nuk ka se si të krijojë simpati për të huajt. Kuptohet po të shohë një të huaj do të ruhet, do ta shmangë se do të thotë, ky është si ai që dëgjova në lajme. Sado që ne kemi bërë peticione të shumta, e letra të hapura gazetarët italianë mbeten të njëjtë. Më vjen keq për rumunët që po kalojnë atë që kemi kaluar ne në vitet ’90.

Po cili është stereotipi i shqiptarëve sot sipas jush?

Dikur ishte gjithçka negative, sot nuk është më kështu. Sot nuk janë shqiptarët në shënjestër. Natyrisht në vitet ’90 ka ndodhur edhe ndonjë episod negativ por kjo nuk do të thotë se duhet të hidhet baltë mbi një popull të tërë. Është një arsyetim shumë i thjeshtë ky. Edhe për italianët tek e fundit thuhet se janë mafiozë, por kjo nuk do të thotë se unë personalisht duhet të konsideroj Italinë si një vend mafioz, sepse ka shumë njerëz të mirë, dhe të këqij nga ana tjetër, si të gjitha vendet. Personalisht në jetën e përditshme kam të bëjë me tipa të ndryshëm njerëzish, por takoj edhe shumë italianë të mirë, që kur mendon për stereotipin që qarkullonte dhe që ndihet nga pak edhe sot në Zvicër apo në Gjermani, se ata janë mafiozë, çuditesh dhe thua si ka mundësi. Prandaj unë jam kundër stereotipave sepse janë vetëm paragjykime të gënjeshtërta, asgjë më shumë. Janë gjëra që krijojnë vetëm probleme.

Profesionalisht përse zgjodhët Italinë?

Unë erdha në Itali sepse në Tiranë bëhej vetëm balet klasik, dhe unë doja të eksperimentoja dhe të përmirësohesha, edhe në lloje të tjera baleti që shikoja në televizor dhe që më pëlqenin, pro që nuk dija se si t’i kërceja. Kështu vendosa të nisesha. Kisha një bazë shumë të mirë kuptohet dhe kështu u nisa. Historia ndryshoi në të mirë, dhe unë përfitova, natyrisht nuk do të kisha mbërritur këtu nëse Shqipëria nuk do të dilte nga izolimi.

Çfarë ju ka sjellë Italia?

Shumë përmirësim, pa tjetër, por nuk është vetëm Italia. Mendoj se do t’ia kisha dalë me punë dhe përkushtim edhe diku tjetër. U bëra njeri i famshëm dhe kjo është diçka që nuk e kisha programuar. Përveç kësaj nuk kisha programuar që një ditë do të bëhesha madje edhe aktor, do të isha i ftuar në kaq shumë spektakle, e në fund si po ndodh këto ditë se do të botoja edhe një libër, biografinë time, e se do të kisha kaq shumë fansa. Kuptohet si gjithë balerinët edhe maksimumi që mendoja se do të arrija në lidhje me publikun ishin duartrokitjet pas shfaqjeve por gjërat rrodhën shumë më mirë. Prandaj edhe libri titullohet kështu. Unë e kisha shkruar dhe nuk kisha asnjë ide për titull. Kur shkova të bisedoja me njerëzit e Mondadorit, njëri prej tyre tha: e si tjetër mund ta titullosh jetën tënde përveç se “Meglio di una favola”, dhe unë nuk kisha ç’të komentoja. Pranova menjëherë.

Po me Shqipërinë si janë marrëdhëniet tuaja pas kaq vitesh, dhe natyrisht me baletin shqiptar?

Në Shqipëri shkoj shumë shpesh sepse atje kam familjen dhe të afërmit. Kuptohet që ngelem shqiptar dhe e ndjek Shqipërinë me shumë vëmendje. Është gjithmonë shumë bukur kur shkoj sepse shikoj gjithmonë një Shqipëri të ndryshuar, të përmirësuar. Edhe pse jo gjithmonë ata që jetojnë atje e ndiejnë këtë, ne që e shikojmë herë pas herë e ndiejmë tej mase ndryshimin. Ndërsa për sa i përket anës profesionale, burokracia atje është gjithmonë e më e ndërlikuar dhe kjo nuk lejon që të arrihet asgjë pozitive. Mund të të vijnë ide të mira, por kur mendon tu hysh meandreve të burokracisë së artit shqiptar stepesh dhe heq dorë sepse artisti duhet të punojë jo të lodhet me humbje kohe. Për mua gjithë ajo burokraci është humbje kohe. Pastaj është shumë e vështirë për brezin e ri të hyjë në këtë art dhe prandaj ka pak prure të reja nga sa kam parë. Baleti shqiptar ka gjithmonë një cilësi të mirë por kushtet janë të tmerrshme. Balerinët bëjnë prova në salla me temperaturë 0 gradë apo -2 gradë. Nuk ka as kushte më minimale që balerini të vërë trupin e tij në gjendje pune sepse punohet me trup. Të mos flasim pastaj për veshjes, etj. Kjo është një gjë që më irriton tej mase, sepse baleti shqiptar i ka mundësitë të prodhojë gjëra cilësore dhe të përmirësohet prandaj më vjen keq që të vuajë akoma sikur Shqipëria sapo të kishte dalë nga komunizmi. është e tmerrshme ta imagjinosh në ç’kushte punojnë balerinët në Tiranë.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Plane për të kontribuar në baletin shqiptar?

Projektet janë ato që kam pasur. Amici, promovimi i librit, shkolla e baletit që kam në Romë etj. Kurse për të shkuar në Shqipëri e për të kontribuar mendoj se nuk janë ende kushtet e përshtatshme. Për të kontribuar në Shqipëri duhet të jem atje dhe për momentin nuk mund të planifikoj të tilla iniciativa. është një ide shumë e mirë, më duhet ta pranoj. Cilido shqiptar mendoj që ka arritur diçka jashtë shtetit do të ishte i prirë të kthehej në Shqipëri dhe të ofronte edhe ai kontributin e vet. Veçanërisht në arte, e veçanërisht ata që si unë apo të tjerë kanë të bëjnë me këtë fushë që ka shumë për të ofruar në Shqipëri. Por tani për tani kam vënë rrënjë në jetën time të këtushme dhe është vështirë të nis gjëra të tjera. Por e ardhmja do të sjellë të tjera gjëra, që ndoshta tani nuk jam as në gjendje të imagjinoj. Sidoqoftë lidhja ime me Shqipërinë ngelet e hapur.

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit shkurt 2009

 

Dhimitër Anagnosti, kinemaja si ndërgjegje

Loja me shifrat e shqiptarëve në burgje