in

Klodiana Çuka, fituese e një prej çmimeve Moneygram për sipërmarrësit e huaj

U ndanë sot në Romë çmimet MoneyGram për sipërmarrësit e huaj. Fituese e kategorisë Përgjegjësia Sociale i shkon Klodiana Çukës, presidente e shoqatës Integra ONLUS. Mes finalistëve edhe Anisa Dedej për Novacionin

Romë, 12 qershor 2014 – U mbajt në Shtëpinë e Kinemasë në Romë, edicioni i gjashtë i Moneygram Award për sipërmarrësit e huaj në Itali. Me këtë konkurs, prej gjashtë vjetësh MoneyGram International, gjiganti i transferimit të parave, promovon më të mirat mes qindra mijërave ndërmarrjeve të drejtuara nga sipërmarrës të huaj në Itali dhe vlerëson ata që kanë dëshmuar aftësitë e udhëheqjes dhe të përshtatjes me sukses së punës së rrugën e tyre me vendin tonë.

Juria e këtij viti, e drejtuar nga Natale Forlani, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së imigracionit të Ministrisë së Punës Ministria e Punës dhe e përbërë nga eksponentë të rëndësishëm të ekonomisë, financës dhe të komuniteteve akademike, shpallën sot finalistët dhe fituesit e pesë kategorive (Rritje, Punësim, Novacion, Sipërmarrje e të Rinjve dhe Përgjegjësia Sociale) të çmimit Moneygram si edhe çmimin e madh “Sipërmarrësi i vitit”.

Ndër kategoritë e ndryshme, ajo e Përgjegjësisë Sociale u fitua nga Klodiana Çuka, për shoqatën që drejton Integra Onlus.

Klodiana Çuka, 42 vjeçe, ka lindur në Durrës e nga viti 1992 jeton në Lecce. Në vitin 2002 ka themeluar Integra Onlus, shoqatë që drejton edhe sot e kësaj dite. Integra Onlus merret me politikat e migrimit, duke ofruar shërbime nga më të ndryshmet për pritjen e integrimin e imigrantëve në Itali. Në vitin 2013, shoqata e Klodiana Çukës numëronte 7 punonjës të varur e rreth 20 bashkëpunëtorë.

“Krenare që drejtoj e përfaqësoj Integra Onlus – shkruan sot Klodiana Çuka në profilin e saj Facebook – Krenare që tregoj për dhjetëra e dhjetëra operatorët që çdo ditë punojnë me gjithë shpirt për më të dobëtit. Sot ndiej zemrën shqiptare të mbushur me gëzim ndërsa vazhdoj të përcjell vlerat e Salentos nëpër Itali përmes solidaritetit”.

Sipërmarrësi i huaj më i mirë i këtij viti u shpall 32-vjeçarja nga Filipinet, Christine Chua, për ndërmarrjen e saj DeltaContract SpA që merret me shitjen e objekteve të ndriçuara, veçanërisht për anijet e kroçerave. E ngritur në vitin 2011, ndërmarrja e saj ka sot 5 punonjës; vitin e shkuar ka pasur një rritje të shitjeve me 65% dhe një xhiro prej 1,2 milionë euro, që Chua llogarit të rrisë me 22% këtë vit. Christine Chua është shpallur fituese edhe për kategorinë e Rritjes.

Fituesit e kategorive të tjera, veç Klodiana Çukës dhe Christine Chua janë: pakistani Awais Muhammad me agjencinë e tij të shërbimeve për imigrantët fiton çmimin për kategorinë Sipërmarrjet e të Rinjve; argjentinasi Santiago Luca me ndërmarrjen e tij lider në tregun e mjaltit  fiton çmimin për Punësimin; dhe bullgarja Radoslava Petrova me kooperativën e peshkimit të përbërë vetëm nga gra, çmimin për Novacionin.

Një ndër finalistët për kategorinë e Novacionit ishte edhe Anisa Dedej për DidatticApp –laborator didaktik digjital, ku punojnë vetëm gra, që ofron mbështetje didaktike të personalizuar e specifike kryesisht për të rinj me probleme të mësimnxënies. Anisa ka lindur në Durrës në vitin 1981 dhe prej 17 vjetësh jeton me të shoqin e dy fëmijë në Imperia. Është diplomuar në Shkenca të Formimit, me specializim në probleme specifike të mësimnxënies, në universitetin e Genovas në vitin 2006.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Vrau dy shqiptarë në vitin 2009, dënim i përjetshëm për Morandin

Bari. Bllokohet në det skafi me një ton drogë. Arrestohen dy persona