in

Komisioni Europian i mohon Shqipërisë statusin e vendit kandidat

“Shqipërisë nuk i jepet statusi i vendit kandidat në BE, pasi nuk ka përmbushur ende reformat”. Këtë deklaroi sot  komisioneri europian për zgjerimin Stefan Fyle.  Ai nënvizoi faktin se plotësimi i kushteve ekonomike dhe politike nga vendet aspirante për statusin e vendit kandidat është i panegociueshëm

Bruksel, 9 nëntor 2010 – Lidhur me opinionin për Shqipërinë, Fule theksoi se “Komisioni Europian rekomandon që negociatat të hapen sapo vendi të arrijë në një nivel të nevojshëm të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit”.
Shqipërisë i kërkohet stabilitet i institucioneve që garantojnë demokracinë dhe shtetin ligjor, gjë që nuk mund të negociohet dhe që sipas opinionit të Europës  vendi ynë nuk plotëson ende.

Nga ana tjetër, sa për përgjegjësitë e klasës politike Stefan Fule deklaroi  që “politikanët shqiptarë kanë të njëjtat përgjegjësi dhe duhet të zgjidhin krizën politike që po përjeton vendi muajt e fundit”.
“Nëse zgjidhet kjo krizë politike dhe adresohen prioritete kyçe atëherë ju mund të prisni që vitin tjetër vërtet të ketë një rekomandim pozitiv nga Komisioni”, tha Fule.

“Për Shqipërinë opinoni arrin në përfundim se negociatat për anëtarësim duhet të hapen sapo vendi të arrijë një nivel të nevojshëm të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, veçanërisht kritereve politike të Kopenhagenit, që kërkojnë stabilitet të institucioneve, që garantojnë demokracinë dhe shtetin ligjor”, deklaroi Fule. Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje Shqipërisë për përpjekje të mëtejshme për të vazhduar progresin e arritur deri tani”.

Duke shtuar se raporti i sotëm është pakoja e parë e përgatitur që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lisbonës, Fule theksoi se “tani mundemi me forca të përbashkëta të zgjidhim në mënyrë efikase çështjet kyçe në rajon”.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë i suksesshëm në të shkuarën dhe do të jetë dhe në të ardhmen. Ne na nevojiten politika më rigoroze dhe të besueshme për zgjerimin pasi nëpërmjet këtyre politikave forcohet paqja dhe stabiliteti në Evropë. Zgjerimi na bëri më të fuqishëm, më të gatshëm për promovimin e vlerave dhe interesave tona”, theksoi ai.

Informacione me e-mail ose sms për patentën dhe revizionin e makinës

Heqja e vizave, shans për të treguar dinjitet