in

Konflikti, gjuhë e përbashkët e politikës shqiptare

Letër në redaksi nga Redan Bushati

Nga sharjet dhe ofendimet tek konfrontimet fizike në parlament, nga akuzat e drejtpërdrejta për korrupsion tek zgjedhjet me probleme, nga protestat tek dhuna dhe nga bojkotimi i institucioneve të shtetit tek kryeneçësia individuale e liderëve politik. Me pak fjalë nga konflikti në konflikt dhe produkti ka emëruesin e përbashkët: krizë politike, krizë ekonomike dhe krizë sociale.

Zgjedhjet mbaruan, më në fund! Votat kanë kohë që janë numëruar, ndërsa si gjithmonë rezultati final kërkon jo më pak se një muaj. Kush e ka fajin? Populli, jo. Ai shkoi votoi dhe përfundoi detyrimin e tij qytetar dhe kushtetues. Ajo që nuk e kaloi provën është politika shqiptare, e cila në gjirin e saj vazhdon të mbajë mafiozë e kontrabandistë, ndyrësira dhe «puçistë».

Ju kujtoj që vetëm njëherë në këto vitet e fundit, dy forcat e mëdha politike në Shqipëri gjetën gjuhën e përbashkët, pikërisht për ndryshimet kushtetuese, edhe ato të shumëpërfolura. Që nga ajo kohë shqiptarët kanë dëgjuar vetëm probleme. Protestat dhe manifestimet kanë shoqëruar kudo jetën e vendit. Turmat e popullit të udhëhequra nga listat partiake mbushnin autobusët dhe çuditërisht shumica prej tyre ishin të papunë, shërbëtorë të pushtetit dhe militantë të regjur.

Sot, pasi Kolegji Zgjedhor dha verdiktin dhe i dorëzoi z. Lulzim Basha mandatin për të kryesuar Bashkinë e Tiranës, z. Edi Rama deklaron që nuk bëhet fjalë të dorëzojë karrigen e kryetarit. Në dukje befasuese një deklaratë e tillë në një shtet sovran dhe demokratik. Pyetja që shtrohet është « Si u zhvilluan këto zgjedhje? » Askush nuk mund të japin një përgjigje të saktë, ku vetëm për disa ditë me radhë kishe dy fitues në Tiranë. Ndërsa sot, pas shumë ditësh shqiptarët nuk e kanë mendjen se çfarë bëhet. Interesi për politikën ka rënë aq sa fqinjëve grek, ku për ato politika është profesioni më i urryer për momentin.

Ndërkombëtarët si gjithmonë flasin me shumëkuptueshmërinë e tyre dhe në asnjë rast nuk e kanë ndarë « shapin prej sheqerit ». Ne i kemi respektuar dhe i kemi dëgjuar aq shumë në këto 20-vite saqë minimumi kërkojmë që ato të ndërhyjnë për të sugjeruar dhe imponuar kompromisin mes palëve. Aktualisht, në vendin tonë nuk bëhet fjalë për ndonjë pol të tretë politik, prandaj me këto dy forca politike do të mund të marrim e japim, ne shqiptarët. E nëse PD-PS mbjellin vetëm konflikte, situata do të vazhdojë drejt rendimit. Në pak vite shqiptarët do të largohen aq shumë nga politika, saqë kjo e fundit do të sforcohet drejt popullit. Në këtë mënyrë edhe ideja për filiza të rinj, por jashtë oborrit të « kapedanëve » të kësaj politike do jetë e mundur, por nën monitorimin e rreptë të ndërkombëtarëve.

Me shpresën dhe besimin tek Zoti, tek vullneti dhe ambicia individuale e atyre të rinjve plot perspektivë për të përmirësuar jetën politike dhe ekonomike të vendit, mendoj që skenarë të tillë që ndotin vlerat europiane të mos përsëriten në vendin tonë. Sot, konflikti është gjuha e vetme e komunikimit dhe zgjidhja duket e largët për politikën tonë. Ka nevojë për katarsis, jo si ai i Fatos Nanos. Ka nevojë për ndryshime rrënjësore, jo ato që gatoi dhe solli me dorën e vet Ramiz Alia, ka nevojë për rend e qetësi dhe jo për skenarë politik që zhdukën Arben Brocin në 1991-shin, Azem Hajdarin në 1998-tën e Gramoz Pashkon, Kosta Trebickën, Fatmir Xhindin etj etj…

Së fundi, më lejoni t’ju them se vendi ynë është futur që në marsin e këtij viti në vendet me origjinë të sigurt. A ka siguri në vendet ku ka krizë politike dhe ekonomike?! A ka siguri aty ku zhdukesh natën dhe qahesh ditën?! A ka siguri aty ku vrasjet e bujshme nuk kanë marrë akoma një emër?! A ka siguri në një vend ku për të ndjerin, pishtarin e demokracisë z. Azem Hajdari akoma ngjarja ka dritë-hije?! E kam thënë edhe në një opinion, se demokrat është ai që në shpirt dhe mendje ka demokracinë. E demokracia njeh ligjin, shtetin, sovranin dhe njeh mbi të gjitha rotacionin dhe konsensusin e bashkëpunimin politik për të mirën e vendit, për të mirën e atyre që kanë zgjedhur për përfaqësim.

Lexo edhe: Zgjedhjet. Mbyllet më në fund edhe beteja për Tiranën

 

 

Bleona Qerreti është amerikane dhe nuk thotë as faleminderit në shqip

Xhufi: “Ligji i regjistrimit, antikushtetues e pro qarqeve greke