A mund të di çfarë ishte kjo kontrata e qëndrimit e çfarë ka ndryshuar për mirë tani që nuk duhet më?
E ashtuquajtura “kontratë qëndrimi” ishte pjellë e ligjit Bossi-Fini të vitit 2002, i cili me modifikimin e Tekstit unik të imigracionit (d.Lgs. 286/98) futi detyrimin për punëdhënësit të përpilonin “modelin Q” dhe t’ia nisnin atë me postë të porositur me lajmërim marrjeje Sportelit unik për imigracionin të provincës ku ishte marrëdhënia e punës.
Ishte jo vetëm një detyrim formal por një deklaratë e mirëfilltë e punëdhënësit që merrte përsipër t’i jepte punonjësit një stremi të përshtatshëm, si edhe të mbulonte shpenzimet e riatdhesimit në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Detyrime të shkruara vetëm në një copë letër që faktikisht askush nuk verifikonte nëse përmbusheshin apo jo. Riatdhesimet e shtetasve jokomunitarë të kthyer në klandestinë, edhe kur bëheshin, ishin në kurriz të ministrisë së Brendshme (njëherë e një kohë ekzistonte edhe Fondi për Riatdhesimet).
Kontrata e qëndrimit ishte barrë edhe për Kuesturat që mes dhjetëra dokumenteve duhet të kërkonin edhe një kopje të modelit Q (kështu quhej modeli ku përpilohej kontrata e qëndrimit) dhe kuponin postar të nisjes së këtij dokumenti Sportelit Unike, si edhe fletë-lajmërimin e marrjes nga Sporteli. Kështu, koha e përtëritjes së lejeve të qëndrimit zgjatej pasi fletë-lajmërimi i marrjes vonohej apo nuk mbërrinte, dhe jo gjithnjë ishte e lehtë të sigurohej në postë një dublikatë që të pranohej nga Kuestura.
Nga nëntori i shkuar, në kuadrin e thjeshtëzimeve të praktikave të punësimit, ku thuajse gjithçka bëhet on-line, modeli Q i nisur me postë u hoq. Nuk ka më kontratë qëndrimi, nuk ka më model Q. Nga 15 nëntori i shkuar, kush punëson një shtetas jokomunitar duhet të shkarkojë modelin UNILAV nga siti i Ministrisë së Punës dhe të Politikave Shoqërore, të vlefshëm për të gjitha punësimet dhe t’ia nisë Qendrës për Punësimin, ose INPS-it në rastin e punës shtëpiake, të paktën 24 orë para nisjes së marrëdhënies së punës (edhe në ditë festive).
Avv. Mascia Salvatore