in

KQZ përmbys rezultatin fillestar të Lezhës: 4 mandate i shkojnë të djathtës e 3 të majtës

Me mbledhjen e 10 korrikut dhe përmbysjen e rezultatit fillestar në Lezhë, mazhoranca e koalicionit të majtë zbret në 83 mandate

Tiranë, 11 korrik – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën, me katër votat e anëtarëve të pranishëm, nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore të qarkut Lezhë, i cili përmbyll dhe nxjerrjen e rezultatit për të 12 qarqet e vendit. 
Nxjerrja e rezultateve për këtë zonë u shoqërua dhe me ndryshim në ndarjen e mandateve sipas koalicioneve. Kështu, koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” fiton 4 mandate, kundrejt 3 mandateve të koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Miratimi i tabelës përmbledhëse të qarkut Lezhë u bë pas verifikimit nga administrata të tabelave origjinale të 248 qendrave të votimit në këtë zonë zgjedhore, ndërsa për 10 qendrat e votimit të ZAZ-së nr. 13, për të cilat Komisioni nuk dispononte tabela origjinale, rezultati doli pas kalkulimit të të dhënave të sistemit elektronik të KQZ-së.

Para votimit të vendimit për rezultatin e qarkut Lezhë, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj, u shpreh kundër procedurës së ndjekur nga kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, ndërsa paralajmëroi se akti do të ankimohet: “Ne na u vu në dispozicion tabela e ndryshuar sipas procedurës së montuar nga ju. Por, zonja kryetare pa dashur të hyj në shifrat sipas subjekteve përkatëse, kjo që ju sapo na prezantuat bën të mundur lëvizjen e një mandati nga një koalicion në tjetrin. Ky veprim në këtë formë nuk bazohet në kodin zgjedhor dhe është një procedurë që nuk parashihet në nenet e tij. Ajo që do të kërkoja, për hir të interesimit për këtë qark, është zbardhja sa më shpejt e këtij vendimi tuaj që të përgatisim ankimimin ndaj tij.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, e përshëndeti miratimin e aktit të qarkut Lezhë si dhe procedurën e ndjekur. “E vlerësoj angazhimin e KQZ-së për t’iu drejtuar sistemit elektronik të institucionit, që ka funksionuar dhe ka qenë transparent, një sistem i pacenueshëm. Rezultati është mëse i besueshëm dhe i vërtetë”, deklaroi Kosovrasti.

Rezultatet paraprake për qarku Lezhë fillimisht kishin nxjerrë  fitues koalicionin e majtë me katër mandate, kundrejt 3 mandateve të së djathtës.

Por pas verifikimit dhe korrigjimit nga KQZ të rezultateve të 10 QV-ve në ZAZ-në nr. 13 të kësaj zone zgjedhore, numri i votave ndryshoi në favor të koalicionit të djathtë, duke i kaluar një mandat. Me këtë vendim, tani koalicioni i të majtës numëron 83 mandate. (sipas ATSh)

Emigracioni ilegal, armiku i parë i liberalizimit të vizave për Kosovën

RE-PET di Leonard Sherifi, quando l’arte sposa la causa dell’ambiente