Krimi i “hyrjes dhe i qëndrimit ilegal” mbetet jashtë dekretit mbi depenalizimet. Orlando: “Temë e nxehtë, të diskutojnë Dhoma e Deputetëve dhe Senati”. Por Parlamenti e kish diskutuar dhe vendosur një vit e gjysmë më parë
Romë, 16 nëntor 2015 – Çudi e madhe! Mbi shfuqizimin e veprës penale të klandestinitetit, qeveria vendosi të mos vendosë.
Një vit e gjysmë më parë Parlamenti votoi në favor të shfuqizimit të “hyrjes dhe qëndrimit të parregullt në territorin italian”. Një vepër penale që nuk funksionoi asnjëherë si masë parandaluese, as nuk çoi kënd në burg: dënimi ishte sidoqoftë dëbimi, i parashikuar edhe para futjes në fuqi të veprës penale, për cilindo që kapej në Itali pa dokument qëndrimi.
Por ajo vepër penale ktheu çdo imigrant të parregullt në kriminal, duke mbingarkuar me punë Prokuroritë, të detyruara të vinin me mijëra persona nën hetim. Në bankën e të akuzuarve përfunduan edhe viktimat e trafikantëve, si të mbijetuarit e masakrave të skafeve, duke filluar nga ata të Lampedusa-s.
Me miratimin më 2 prill 2014 të ligjit delegues mbi depenalizimet, Dhoma e Deputetëve dhe Senati kishin autorizuar Qeverinë “të shfuqizonte, duke e kthyer në shkelje administrative”, veprën penale të klandestinitetit. Më 13 nëntor 2015 Këshilli i ministrave miratoi më në fund paraprakisht dekretin legjislativ për depenalizimet, por në brendësi të tekstit mbi të cilin do të japin opinionin e tyre Dhoma e Deputetëve dhe Senati, nuk ka mbetur asnjë gjurmë e atij shfuqizimi.
“Lamë hapur një dritare për një reflektim të Parlamentit për sa i përket çështjes së veprës penale të klandestinitetit” shpjegoi në konferencën e shtypi ministri i drejtësisë Andrea Orlando. “Është një temë e nxehtë që nuk u përfshi në këtë tekst. Vepra penale mbetet, nuk dekriminalizohet – theksoi – Mendojmë që në komisione do të ketë diskutim dhe besoj që do të jetë i rëndësishëm për vendimin përfundimtar që do të mbajë qeveria”.
Duke i përmbledhur të gjitha për ata që humbën fillin. Parlamenti autorizoi qeverinë të zhdukte veprën penale të klandestinitetit. Por një vit e gjysmë më pas, qeveria i kërkon sërish parlamentit nëse duhet ta heqë. Me sa duket dikush ka frikë mos përcëllohet nga “tema e nxehtë”.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)