Në galerinë Kombëtare të Arteve, nga 16 janari deri më 2 prill 2017
Mbi 100 vepra për të treguar pasurinë e gjallërinë artistike të Romës së gjysmës së parë të shekullit XX.
Quhet “Kryeveprat e artit italian të viteve 1900” ekspozita që do të përurohet më 16 janar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë e do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 prill 2017.
Ekspozita organizohet nga Arthemisia Group dhe promovohet nga Kryeministria e Qeverisë shqiptare, Ambasada e Italisë në Tiranë, Ministria shqiptare e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Bashkëpunim me Bashkë e Romës dhe Galerinë e Artit modern të Romës.
Veprat e ekspozuara në Tiranë, të përzgjedhura nën kujdesin e Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi mes tremijë veprave të ruajtura në Galerinë e Artit Modern të Romës, janë të ndara në gjashtë seksione që i përkasin Simbolizmit, Shkëputjes Romane, Futurizmit, Klasicizmit të Ri, Shkollës Romane dhe Abstraksionizmit.
Siç shpjegon Claudio Parisi Presicce, Drejtues i Pasurive Kulturore të Bashkisë së Romës, seksionet e kësaj ekspozite “shoqërojnë vizitorin gjatë një udhëtimi që niset nga shprehjet e para simboliste, ajo “pikturë e peizazhistëve” në të cilën Gabriele D’Annunzio shikonte fillimet e një estetike të re, e një poezie të natyrës që synonte të kapërcente shfaqjen e realitetit në krahët e emocioneve që ky krijonte. Udhëtimi ekspozues vazhdon me artistët e lëvizjes “Shkëputja romane”, të cilët sollën ripërtëritjen dhe modernitetin me padurim ashtu sikurse nevojën për t’u shprehur në shumëllojshmërinë e stileve të tyre personale, të liruar nga një homologim i llojit akademik. Udhëtimi shkon pastaj në ngjitje me seksionin që i dedikohet Futurizmit dhe Aeropikturës, entuziazmit të fluturimeve në ngjitje dhe të atyre pamjeve të para, të reja, nga lart, për të paraqitur kuptimin e një zotërimi të ri: atë të lidhjes së njeriut me makinën dhe me shpejtësinë. Më tej shikimi kthehet pas te rifitimi i traditës italiane dhe te dialogu me antiken, i nxitur me shpirt nga një territor, ai roman, që është qendër natyrore e një pasurie të pafund, fryt i një historie mijëravjeçare, e artit dhe kulturës. Seksioni që i dedikohet “Shkollës Romane” dokumenton një ndërrim drejtimi të ri që synon të zëvendësojë saktësinë e formës dhe të propozojë një pikturë të pamposhtur, shumë shprehëse, të paqartë dhe ndonjëherë të fortë, të ndezur nga ngjyra e verdhë në të kuqe dhe e murrmë në të kuqërremë. Udhëtimi mbyllet duke u kthyer drejt viteve të tranzicionit, periudha që shtrihet mes viteve dyzet dhe pesëdhjetë, ajo dekadë e brejtur nga lufta e dytë botërore ku përbëhet ajo urë e varur, në ekuilibër delikat, mes dy shtyllave të Figurativizmit dhe Abstraksionizmit. Një braktisje graduale, por e pakthyeshme, e pikturës të së vertetës për të fshehur, në shenja që duhen interpretuar, tmerret dhe plagët e një faqeje historie nga e cila duhet të largohemi”.
Artistët protagonistë të ekspozitës janë mbi 60 e mes tyre spikasin de Chirico, Guttuso, Capogrossi, Balla, Casorati, Sironi, Carrà, Mafai, Scipione.
“Kjo është një ekspozitë e rëndësishme, unike, që për herë të parë shfaq në Tiranë, njëherazi, më shumë se një qind kryevepra të artit Italian, fryt i bujarisë së Bashkisë së Romës dhe së Galerisë së Artit Modern të kryeqytetit italian, të institucioneve shqiptare që kanë mirëpritur me interes dhe entuziazëm këtë ide, dhe rezultat i punës dhe i energjive të forcave të shumta, publike dhe private, që e kanë mundësuar atë” thotë Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri, në katalogun dygjuhësh që shoqëron ekspozitën.
“Pas një çerek shekulli në liri, më në fund realizohet ëndrra për të shijuar nga afër një koleksion origjinal të kryeveprave pa pasur nevojë të kalohet deti. E pabesueshme por, fatkeqësisht, kjo është e vërteta dhe është thellësisht e mrekullueshme” fjalët e kryeministrit Edi Rama në të njëjtin katalog.
Mbërritja e 102 kryeveprave të artit italian të viteve 1900, të përzgjedhura nga Galeria e Artit Modern të Romës, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë: