Kontigjenti “Eagle 2” i përbërë nga 44 specialistë të ushtrisë shqiptare ka përfunduar misionin e tij gjashtëmujor në Kandahar dhe është kthyer më 9 gusht në Shqipëri. Në ceremoninë e pritjes në Rinas, mes të tjerëve ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu si edhe Atasheu ushtarak i SHBA-së, Komandant Glen Brawn
Tiranë 9 gusht 2011 – Kontigjenti paqeruajtës i batalionit të Forcave Speciale “Eagle 2”, i përbërë nga 44 specialistë të ushtrisë shqiptare është kthyer sot në atdhe, pas përfundimit të misionit në Kandahar të Afganistanit. I përbërë nga ushtarë profesionistë, një nënkolonel dhe një kolonel, kontingjenti kreu shërbimin e tij për 6 muaj në linjën e parë të luftimit përkrah forcave speciale amerikane.
Para nisjes së tyre me mision në Afganistan në janar të këtij viti, “Misionarët e Paqes”, iu nënshtruan një programi special trajnimi dhe kualifikimi.
Aktualisht, Forcat e Armatosura shqiptare nëpërmjet strukturave të Forcës Tokësore marrin pjesë me trupa në Operacionet e Mbështetjes së Paqes “ISAF” të drejtuara nga NATO në Afganistan me dy kompani në Herat, një togë në Kabul për operacione siguruese, shoqërimi, si dhe një kompani speciale në operacion luftarak në Kandahar, Afganistan. Kjo kompani zëvendësohet tashmë nga kontingjenti “Eagle 3”.
Në ceremoninë e pritjes të zhvilluar në Aeroportin “Nënë Tereza”, merrnin pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, Atasheu ushtarak i SHBA-së, Komandant Glen Brawn, ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura si dhe miq e të afërm që kishin ardhur për t’u uruar mirëseardhjen.
Në fjalën e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi vlerësoi trupat “Eagle 2” të cilët sipas tij, për 6 muaj me radhë përfaqësuan denjësisht Forcat tona të Armatosura dhe shtetin shqiptar në një mision të vështirë në shërbim të paqes në Afganistan. “Ju vepruat dhe zhvilluat operacione përkrah aleatëve tanë të NATO-s në zonat më të nxehta të konfliktit, me një motiv të qartë për të rritur sigurinë, për të mbrojtur jetë të pafajshme dhe për të garantuar një jetë më të mirë për popullin afgan, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, guxim dhe besim”, nënvizoi Gjeneral Gjunkshi.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm falënderoi edhe Forcat e Armatosura të vendeve të NATO-s, për të gjithë mbështetjen që i kanë dhënë trupave tona gjatë misionit të tyre në Kandahar për besimin, vlerësimin dhe partneritetin që kanë ofruar për të operuar dhe kryer së bashku me sukses këtë mision.
Trupat paqeruajtës “Eagle 2” janë përshëndetur edhe nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve të Forcave Speciale, Nënkolonel Dritan Demiraj, i cili theksoi se me kthimin e këtij kontingjenti në atdhe u realizuan dy objektiva kryesore, kryerja me sukses e misionit si dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit tonë në strukturat Euroatlantike.