in

Kuestura i tërheq kartën e qëndrimit kujt humbet punën. Gjykatësi e ndalon

“Lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë mund t’u tërhiqet vetëm atyre që janë të rrezikshëm, mungesa e të ardhurave nuk ka asnjë rëndësi”. Një emigrant dhe ANOLF fitojnë gjyqin në TAR të Milanos

Romë, 7 korrik 2015 – Për vite me radhë kanë punuar dhe kanë përtërirë lejen e qëndrimit. Më në fund kanë arritur të marrin kartën e qëndrimit (lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë), dokumentin e përhershëm të cilin e ëndërron çdo immigrant në Itali.

Po kur, për faj të krizës, kanë humbur vendin e punës, Kuestura ua ka tërhequr kartën e qëndrimit. Sipas teorisë që, pa një kontratë të rregullt pune, nuk mund të konsiderohen “njerëz të mirë”, të denjë për të qëndruar në Itali. Sikur janë punonjësit ata që vendosin të mos punojnë apo të punojnë në të zezë.

Kjo u ka ndodhur, veçanërisht në Milano, të huajve që kishin kërkuar duplikatën apo një përditësim të kartës së qëndrimit. Kuestura ka pretenduar që t’i tregonin sërish se plotësonin kriteret e të ardhurave të parashikuara për lëshimin e kartës dhe, në mungesë të një kontrate pune, të kontributeve të derdhura etj., ka arritur deri aty sa t’ua tërheqë dokumentin e qëndrimit. E në këtë kohë krize, një gjë e tillë mund të përgjysmonte mbajtësit e kartës së qëndrimit.

E ka ndaluar më në fund këtë gjë Gjykata Administrative e Krahinës së Lombardisë që i ka kujtuar kuesturës çfarë thotë ligji. Gjykatësi i ka dhënë të drejtë qytetarit nga Sri Lanka që pasi ka punuar për shumë vjet si roje nuk ka arritur të gjejë një vend të ri pune, dhe ka bërë me faj Kuesturën që i kishte tërhequr kartën e qëndrimit sepse nuk kishte të ardhura.  

Veprimi i Kuesturës së Milanos, ka shpjeguar gjykatësi është i paligjshëm. Qoftë normat evropiane (neni 8 i direktivës 2003/109/BE), qoftë Teksti Unik mbi imigracionin që i ka pranuar (neni 9 i dekretit legjislativ nr. 286/98), duke parashikuar në fakt që “status ii qëndruesit afatgjatë është i përhershëm” e mund të hiqet vetëm “nëse i huaji është i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e shtetit, e jo thjesht sepse nuk ka të ardhura”.

Imigranti nga Sri Lanka mund të festojë, do të ketë sërish kartën e tij të qëndrimit që kishte marrë që në vitin 2005. E të njëjtën gjë mund të pretendojnë të gjithë ata që kanë vuajtur një padrejtësi të tillë. I kënaqur edhe patronati Anolf Cisl që kishte ngritur zërin mbi këtë rast duke kërkuar ndërhyrjen e Komisionit evropian e që iu vu në krah punonjësit të huaj në gjyqin në TAR bashkë me avokaten Silvia Balestro.

“Kriza ka goditur fort, veçanërisht sektorë të cakuar e mbi të gjithë punonjësit e huaj. T’u heqësh atyre kartën e qëndrimit vetëm pse kanë humbur vendin e punës do të thotë të bësh një hap të madh mbrapa në procesin e integrimit, për një situatë për të cilën ata nuk kanë faj. Si mund të thuash që kush nuk ka një punë të rregullt ka zgjedhur me vetëdije të punojë në të zezë apo të mos paguajë taksat?” thotë për stranieriinitalia.it, Maurizio Bove, president i Anolf Milano e përgjegjës për imigracionin i Cisl Milano.

Praktika e Kuesturës së Milanos, vë në dukje sindikalisti, çonte në ekstrem lidhjen mes punës dhe lejes së qëndrimit duke shkuar përtej asaj çka parashikon edhe vetë ligji, me një të drejtë vetëvendosjeje të tepruar e duke mos mbajtur fare në konsideratë rëndësinë e integrimit të atyre që jetojnë prej vitesh në Itali. Madje, një sentencë e ngjashme kishte hedhur poshtë edhe më parë vendime të tilla të Kuesturës, që me sa duket së fundi ka nisur të vlerësojë me më shumë vëmendje situatat individuale.

“Tani shpresojmë që ligji të zbatohet drejt në Milano e në mbarë Italinë. Duhet të jetë e qartë për të gjithë që kush humbet vendin e punës nuk mund të humbasë, për këtë arsye, edhe kartën e qëndrimit” përfundon Bove.

Ndoshta do të ishte e udhës dhe një hap i rëndësishëm përpara, shtojmë ne, që ministria e Brendshme t’ua shpjegonte mirë këtë concept të gjitha Kuesturave.

Shkarko sentencën e TAR të Milanos

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

Ikja që tronditi komunizmin

Firence. Shkatërrohet banda e trafikut të kokainës. 19 arrestime