in

Kujtim Mehmeti, gjiganti shpirtmirë

Të dielën e shkuar ka ndërruar jetë Kujtim Mehmeti, 48 vjeç. E kujtojnë të gjithë si njeri të qeshur, të dashur e të gatshëm për të ndihmuar këdo, ndaj vdekja e tij e papritur ka tronditur thellë jo vetëm komunitetin shqiptar në provincën e Parmës por edhe banorët e fshatit Torrile, ku jetoi 23 vjet. Sjellim këtu të përkthyer me lejen e autores, shkrimin e botuar dje në Gazzetta di Parma nga Chiara De Carli

Kujtim Mehmeti, ditën e betimit për shtetësinë italianeKujtim Mehmeti ishte 48 vjeç. Mëngjesi i të dielës së shkuar ishte si shumë të tjerë: pazari me të shoqen Esmeralda dhe djemtë Daniel e Klevis, një xhiro në qendrën tregtare e më pas në shtëpi për t’u marrë me ato ato gjerat e vogla që puna e përditshme të detyron t’i lësh gjithnjë për në fundjavë.

Duke bërë shkallët e pallatit në rrugën Grandi ku familja jeton, Kujtimi takon fqinjin. “Po iki për ca ditë nga shtëpia, a mund të më presësh pak barin në oborr?” e pyet. Kujtimi iu përgjigj po, i gatshëm t’i hynte punës që atë pasdite.

Por nuk arriti ta sistemonte atë të shkretë oborr: papritur u ndie keq nga ana shëndetësore, aq keq sa për pak minuta ndërroi jetë duke tronditur thellë familjen e gjithë fshatin Torrile ku jetonte.

Kujtimi ishte nga Fieri por jetonte në Torrile prej 23 vjetësh e gjatë kësaj kohe kishte bërë të gjithë për vete falë karakterit të tij bujar e të qeshur.

“Kishte ardhur në Itali si klandestin, si shumë nga ne shqiptarët gjatë atyre viteve, në kërkim të një jete më të mirë” tregon Gentian Alimadhi, sot avokat e një nga miqtë e tij më të shtrenjtë. I nisur me një varkë nga bregu tjetër i Adriatikut, herën e parë iu desh të kthehej mbrapsht ndërsa të dytën rrezikoi të mbeste në mes të detit bashkë me të tjerët që bënin të njëjtin udhëtim. Motori kishte pasur një defekt e vetëm aftësia e tij për të zgjidhur problemet i kishte shpëtuar ata të gjithë nga një vdekje e sigurt.

“Para se të bëheshim me dokumente, jetonim si të mundeshim, por miqësia e gëzimi që dintë të përcillte në çdo situatë na jepnin forcë të shkonim përpara: ishte i qeshur si askush”. Pastaj arriti leja e qëndrimit dhe më në fund një vend pune. I pari qëpati besim te ky djalë i vullnetshëmishte Giovanni Boscaglia, pronar i ndërmarrjes G&G Footwear në Vicomero, ku sot punojnë vëllezërit e Kujtimit.

“Punonte me ne prej 23 vjetësh, ishte burrë i aftë dhe serioz, sa i kishim dhënë një detyrë me përgjegjësi: nuk na zhgënjeu asnnjëherë. Ishte person i mrekullueshëm, i sjellshëm dhe inteligjent dhe në ndërmarrje gëzonte besimin e të gjithëve. Për herë të fundit e pashë të premten: punonte i qetë pranë një makinerie e u përshëndetëm si gjithnjë. Të dielën pastaj më telefonuan nga familja e sot po e ndiejmë shumë humbjen e tij”.

Jo vetëm komuniteti shqiptar dhe ish kolegët kanë mbetur të tronditur nga kjo zi e papritur: Kujtimin e njihte dhe e donte gjithë fshati, ku për shumë vjet ka organizuar, bashkë me të huaj të tjerë të pranishëm në Torrile, Festën Multikulturore të ideuar pikërisht nga komuniteti shqiptar.

E festuan të gjithë më 1 janar 2015, kur më në fund mori shtetësinë italiane, duke kurorëzuar kështu një “ëndërr” për të vërtet të rëndësishme.

“Ishe si një gjigant i mirë – shkruan Anna në profilin e tij Facebook – Kishe gjithnjë dy fjalë për të këmbyer e një buzëqeshje për të gjithë. Ishe shpirtmirë, njeri i sjellshëm dhe plot respekt, me zemër të madhe e buzëqeshje ngjitëse”.

Edhe San Polo Calcio, klubi me të cilin luan i biri Danieli, u mblodh rreth familjes e është bërë nismëtare e mbledhjes së parave – në vend të luleve dhe telegrameve – për t’ua dhënë du fëmijëve të mbetur pa baba.

Këto ditë Kujtimit do t’i bëhet autopsia për të zbardhur shkaqet e vdekjes dhe më pas do të përcillet në banesën e fundit. Varrimi do të bëhet të premten në orën 11 në San Polo të Torriles, pasi këtu jetojnë të gjithë, e shoqja me fëmijët, dy vëllezërit e nëna 72-vjeçare, e ve prej 20 vjetësh.

L’originale in italiano: Kujtim, il gigante buono d’Albania che aveva conquistato il cuore di Torrile

 

Tragjedi në Legnano. Dy të rinj shqiptarë humbin jetën të shtypur nga treni

Lind Shërbimi Civil Universal, edhe për të huajt