in

Kukël, vendi ku punoi Ndre Mjeda, do të kthehet në ‘Monument Kulture’

Përkujtohet  Ndre Mjeda në 145 vjetorin e lindjes. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi: “Fshati Kukël, vendi ku Ndre Mjeda ushtroi aktivitetin e tij si meshtar, poet dhe atdhetar, do të ketë statusin ‘Monument Kulture’”

Tiranë,  20 nëntor 2011 – “Rilindja kombëtare nuk do të vinte nëse nuk do të kishte njerëz si kolosi Ndre Mjeda dhe të tjerë që në atë moment morën mbi supe aspiratat, ëndrrat e një kombi dhe realizuan atë që ne sot kemi këtë shtet, këtë komb. Gjithçka është në sajë të tyre, po të mos ishin ata nuk do të kishte rilindje kombëtare, nuk do të ishim ne sot këtu”.

Kështu u shpreh të shtunën Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të zhvilluar në Kukël, rreth 30 kilometra larg qytetit të Shkodrës, kushtuar 145 vjetorit  të lindjes së personalitetit të madh të kulturës shqiptare, poetit, Dom Ndre Mjeda, organizuar nga famullia e këtij fshati, komuna Bushat dhe qeverisja vendore. Ai shtoi gjithashtu se fshati Kukël, vendi ku Ndre Mjeda ushtroi aktivitetin e tij si meshtar, poet dhe atdhetar, së shpejti do të ketë statusin “Monument Kulture”. Ai theksoi se institucioni që drejton do të vijojë të mbështesë në vazhdim edhe ngritjen e muzeut të Mjedës, që do të përfshijë zonën në fjalë, veshjet  shumë interesante dhe me traditë të hershme, të cilat do të jenë pjesë e një Muzeu Etnografik.

Për figurën dhe veprën e Dom Ndre Mjedës folën në këtë aktivitet edhe drejtuesit vendorë, deputetë, studiuesi i mirënjohur i veprës së Mjedës, profesor Mentor Quku, ndërkohë për të pranishmit u interpretuan valle karakteristike të zonës, si dhe këngë dhe recitime me pjesë nga veprat e Mjedës.

Ministri Bumçi vuri në dukje se Ministria e Kulturës ka nënshkruar një marrëveshje ‘Opera Romana Pellegrinaggi’ dhe me shtetin e Vatikanit, të cilët e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e  rrugës së lashtë që të çon në tokën e shenjtë. “Shqipëria është përcaktuar si vend pushimi për ata që  do të vijnë nga veriu apo perëndimi i Europës për të shkuar drejt tokës së shenjtë”, tha ministri Bumçi.

Sekuestrohet në Vlorë automjeti i vjedhur në Itali

Ali Kuçi, antinazisti shqiptar