Liga e Serisë A ka konfirmuar se ndeshja finale e Kupës së Italisë mes Milanit dhe Juventusit, do të luhet në stadiumin Olimpik të Romës më 21 maj në orën 20.45. Nuk ka afrim date siç kërkoi trajneri i kombetares italiane Antonio Conte në mënyrë që t’i kishte lojtarët që do të marrin pjesë në kampionatin Evropian të lirë nga angazhimet e klubeve përkatëse sa më parë.
Shitja e biletave do të nisë mesditën e të mërkurës, 30 mars.
Në Kupën e Italisë, dy skuadrat janë ndeshur në finale edhe tre herë të tjera. Herën e parë në vitin 1942 dhe atëherë fitoi Juventusi falë rezultatit 4-1 në ndeshjen e kthimit. Hera e dytë regjistrohet në vitin 1973 e përfundoi me penallti e rezultati i buzëqeshi këtë radhë Milanit. Herën e fundit në finale të Kupës dy skuadrat e veriut të Italisë janë ndeshur në vitin 1990 e për Juventusin fitorja e arritur ishte tejet e vyer sepse nga ana tjetër kishte Milanin e pamposhtur të Sacchit.