Shqipëria ka fituar me rezultatin 2-1 përballjen me Ameninë në “Elbasan Arena” të vlefshme për eliminatoret e europianit “Francë 2016” Ndeshja e cila dhuroi mjaft emocione u vendos nga Gashi dhe Mavraj, të cilët në pjesën e dytë të lojës përmbysën avantazhin fillestar të armenëve.
Ndeshja nisi keq për kuqezinjtë, të cilët pësuan gol që në minutën e tretë. Mikhtarjan, mesfushor i Borusia Dortmund “trullosi” mbrojtjen kuqezi dhe në tentativë për të pasuar topin në qendër të zonës “përfitoi” nga një pasiguri e Mavrajt i cili në vend që të largonte topin e përcolli në portën e mbrojtur nga Berisha.
Kuqezinjtë tentuan të reagonin. Ishte Ansi Agolli që me harkimet e tij nga e majta i dha mundësi, Xhakajt, Abrashit apo dhe Çikalleshit të rrezikonin seriozisht portën Armene. Kaq për pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, kuqezinjtë barazuan rezultatin në minutën e 73’ përmes Mavrajt, që “u fal” menjëherë nga tifozët për autogolin e pjesës së parë, ndërsa goli i Gashit gjashtë minuta më pas përmbysi rezultatin e pjesës së parë duke i dhënë fitoren Shqipërisë.
Tashmë Shqipëria është në kuotën e 7 pikëve, aq sa edhe Danimarka në krye të klasifikimit. Në ndjekje të kuqezinjëve dhe danezëve është Portugalia me 6 pikë. Serbia dhe Armenia mbyllin klasifikimin me nga 1 pikë.