Prezantohet në Tiranë projekti pilot për formimin profesional të 255 shqiptarëve që dëshirojnë të punojnë në Itali. Ministria e Punës e Shqipërisë dhe ajo e Italisë shpallin çeljen e regjistrimit të kandidatëve
Romë, 26 mars 2012 – Gjatë një Konference për Shtyp të mbajtur në Ministrinë e Punës në Tiranë, në të cilën morën pjesë Ministri i Punës, Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i imigracionit i Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, është prezantuar sot në Tiranë një projekt bashkëpunimi në fushën e emigracionit dhe të punës.
Ky bashkëpunim do të fillojë me zbatimin e një projekti pilot, që bazohet në nenin 23 të Tekstit Unik mbi imigracionin, që ka të bëjë me hapjen e kurseve falas të formimit profesional e gjuhësor për 255 shtetas shqiptarë që dëshirojnë të punojnë në Itali. Projekti garanton punësimin e të paktën 50% të pjesëmarrësve në kurse.
Kjo ndërhyrje përfshihet në kuadrin e zbatimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit” që u nënshkrua në datën 19 Korrik të vitit të shkuar mes Ministrive respektive të të dy vendëve, i cili ka një objektiv të dyfishtë: të favorizojë hyrjen e rregullt në Itali për motive pune të shtetasve shqiptarë dhe të lehtësojë gjetjen e profesionistëve të kualifikuar nga ana e ndërmarrjeve dhe e familjeve italiane.
Gjatë Konferencës u shpall çelja i procedurave të regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të kandidojnë për të pasur mundësinë për të punuar në mënyrë të rregullt në Itali. Të interesuarit do të mund t’i drejtohen Sporteleve të Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (Zyrave të Punës) në qendrat e banimit, për të paraqitur kandidaturën e tyre sipas modaliteteve të parashikuara dhe për të regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë.
Informacioni mbi procesin e regjistrimit gjendet në faqen e internetit http://www.mpcs.gov.al (tek menu MIGRACIONI, ku do të interesuarit mund të shkarkojnë edhe formularin e aplikimit). Regjistrimi pranë Sporteleve të Migracionit, në Zyrat e Punës së Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë do të kryhet nga data 27 mars deri në 10 prill 2012.
Për të promovuar një menaxhim të koordinuar dhe efikas të flukseve migratore dhe për të lehtësuar mekanizmat e kooperimit, edhe në formimin profesional dhe gjuhësor, Ministria italiane e Punës dhe Politikave Sociale ka ngritur Zyrën e Koordinimit Vendor (ZKV) në Shqipëri që vepron në bashkëpunim me Përfaqësinë Diplomatike Italiane dhe Ministrinë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. ZKV luan një rol lehtësues për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve të punësimit në Itali dhe Shqipëri, duke nxitur afrimin e kërkesës me ofertën për punë ndërmjet dy vendeve.
Gjatë konferencës së shtypit, ministri shqiptar Spiro Ksera deklaroi se “bashkëpunimi midis dy Qeverive tona, veçanërisht ndërmjet dy ministrive përkatëse, në fushën e migracionit dhe të punës, ka arritur në një nivel të ri i cili i përgjigjet dëshirës dhe ndjenjave përkatëse të popujve tanë për bashkëpunim, miqësi e fqinjësi të mirë, por edhe për ndihmë dhe zgjerim të mundësive të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur midis dy brigjeve të Adriatikut, si qytetarë e punëtorë të lirë, me njohuritë, shprehitë dhe standardet që kërkon tregu italian dhe tregjet evropiane të punës e të shërbimeve”. Duke iu referuar fillimit të projektit, ministri i Punës theksoi se ky është vetëm hapi i parë në zbatim të Marrëveshjes dhe se realizimi me sukses i tij do të hapë rrugën shtrirjes në kohë dhe në hapësirë të Marrëveshjes.
Drejtori i Përgjithshëm i Imigracionit në ministrinë italiane të Punës, Natale Forlani, e përcaktoi ecurinë e marrëdhënieve mes dy Ministrive si ‘cilësi’. Ai prezantoi mënyrat teknike të zbatimit të projektit dhe deklaroi se planet e bashkëpunimit mes dy Ministrive për periudhën 2012-2013 në fushën e migracionit të punës do të bazohen tek ecuria e kërkesave dhe ofertave në tregjet përkatëse të punës.