in

Kushtetuesja pezullon Vetingun e kërkon ndihmën e “Komisionit të Venecias”

Gjykata kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar kërkesën e parlamentarëve të PD-së për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (Vendimi i Plotë)
Reagojnë BE e ShBA: “Njohim autoritetin shqiptar”
Kostitucionalistët: “A është Gjykata Kushtetuese në konflikt interesi?”

Gjykata Kushtetuese vendosi të martën, më 25 tetor të pezullojë punën për zbatimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohur më së shumti si “procesi i vetingut”, dhe njoftoi se do të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias para se të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen, një masë kjo që pritet të shtyjë për të palktën disa muaj fillimin e procesit që konsiderohet si thelbi i Reformës në Drejtësi.

Procesi i Vetingut parashikon që korpusi aktual i Gjykatësve dhe Prokurorëve të kalojnë në një hetim të thelluar të aftësisë profesionale dhe të pastërtisë së figurës përmes analizimit të aseteve dhe aktiviteteve të tjera ekonomike të tyre, proces që synon të pastrojë sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët që rezultojnë me pasuri të pajustifikuara.

Pas miratimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi në korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e vetingut në gusht 2016, në një seancë të jashtëzakonshme ku opozita u ankua se qeveria po i krijonte mundësi vetes të kontrollonte procesin e kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Gjithsesi, Presidenti Bujar Nishani nuk e dekretoi dhe as nuk e ktheu për shqyrtim në parlament këtë ligj, duke bërë që ligji të hyjë në fuqi automatikisht. Partia Demokratike pas kësaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila mori vendimin e pezullimit.

Procesi i vetingut përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut-Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Por roli i institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces shkaktoi krisjen e konsensusit të arritur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

PD konteston rolin kyç sipas saj që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme do të kenë në procesin e vetingut.

Ndërkohë, dërgimi i ligjit në fjalë nga Gjykata Kushtetuese për në Komisionin e Venecias për opinion nënkupton që edhe shumë muaj të tjerë do të duhet të kalojnë para se ligji në fjalë të hyjë në fuqi.

Ja si e argumenton Kushtetuesja vendimin e saj:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot me daten 25.10.2016 në çështjen me:

Kërkues: 1/5-ta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë – Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë

Objekti: Deklarimi i papajtueshmërisë me Kushtetutën i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pezullimi i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Baza Ligjore: Nenet 4, 7, 17, 32, 42, 49, 78, 124, 131/a, 134/c, 145, 148, 179/b dhe nenet A-G të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 6 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,

Vendosi:

– Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

– Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

– Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar.

Të dielën kthehet ora diellore, akrepat një orë mbrapa

Kur frika fiton mbi Amerikën dhe Evropën