in

Kuvendi miraton ligjin për regjistrimin e emigrantëve. Pasojat negative që mund të ketë

Ligji “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” parashikon detyrimin e regjistrimit të adresës brenda 6 muajve nga ardhja në fuqi e ligjit, kujt nuk e bën, “autoritetet do t’i refuzojnë shërbimet e kërkuara”. Dhe nëse nuk ndryshohet kodi zgjedhor, kush vetëdeklaron vendbanimin jashtë shtetit humbet krejtësisht të drejtën e votës në Shqipëri. Teksti i ligjit

Tiranë, 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten në mbrëmje, me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Gjatë diskutimit në sallë, lidhur me këtë projektligj, deputeti i PS-së z. Pirro Lutaj sqaroi se kjo nismë ligjore do të rregullojë regjistrimin e popullsisë që jeton jashtë Shqipërisë. “Ne e konsiderojmë tejet të rëndësishëm dhe mbështesim angazhimin e qeverisë për ta miratuar këtë ligj dhe nëpërmjet këtij do të ketë një përgjigje të saktë për numrin e popullsisë, me të dhëna të qarta të shtetasit dhe për adresat e tyre. Qëllimi i këtij ligji është që emigrantët të mos vuajnë si deri sot për të marrë shërbimet nga shteti i tyre qoftë edhe një certifikatë”,- theksoi Lutaj.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, z. Oerd Bylykbashi tha se ky projektligj rrezikon përjashtimin e votës së emigrantëve për proceset e ardhshme zgjedhore duke shpjeguar se në bazë të një tjetër ligji kush ka vendbanimin jashtë shtetit humbet vendbanimin në Shqipëri dhe në bazë të kodit zgjedhor kush nuk ka vendbanim në Shqipëri nuk regjistrohet në qendrën e votimit.  “Ne së bashku kemi miratuar ligjin për gjendjen civile, që është miratuar me konsensus. Në atë ligj ne kemi parashikuar që qytetarët shqiptarë të kenë një vendbanim. Me ligjin e Tahirit, 1,5 milionë emigrantëve, ata që e kanë deklaruar vendbanimin tyre në Itali dhe Greqi, e humbasin vendbanimin e tyre në Shqipëri. Po një ligj tjetër nuk i lejon shqiptarët që të votojnë nëse nuk e kanë vendbanimin. Kodi thotë se nëse nuk jeton në Shqipëri, ai nuk regjistrohet në qendrën e votimit”, tha Bylykbashi.

Ministri i Brendshëm Tahiri, që ashtu si në Komision mbrojti projektligjin edhe në sallë, u shpreh sërish se votimi i tij është një “akt patriotik”, që politika shqiptare “ia ka borxh emigrantëve”.

Çfarë parashikon ligji

Ligji i sapomiratuar thotë që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për “një periudhë më të gjatë se tre muaj pa ndërprerje, apo më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik”, kanë detyrim të regjistrohen në “Programin e Regjistrimit të Adresës”. Mund të vetëdeklarohen online ose pranë konsullatave me anë të një formulari vetëdeklarimi që do të vihet në dispozicion, forma dhe përmbajtja e të cilit “do të miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të Jashtëm”. Përfaqësitë diplomatike e konsullore kanë detyrim të verifikojnë nëse shtetasi shqiptar që paraqitet pranë tyre për të pasur shërbime është regjistruar dhe nëse të dhënat janë të sakta. Regjistrimi i adresave bëhet në mënyrë që aty qytetarëve të mund t’u ofrohen shërbime publike. Sipas nenit 10, në fakt “Autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar dhe të konfirmuar, këto shërbime: a) Shërbime të gjendjes civile; b) Shërbime të gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore”.

Por le të shohim pikat e dobëta e më të debatuara në Kuvend të ligjit, që sipas opozitës, me ardhjen në fuqi, i heqin të drejta emigrantëve.

Edhe pse tezën e Oerd Bylykbashkit (PD), sipas të cilës ligji u heq shqiptarëve që nuk regjistrohen në kohë mundësinë e marrjes së disa shërbimeve publike, ministri i Brendshëm në Komision e hodhi poshtë duke thënë se afati nuk ka të bëjë me regjistrimin e adresës por me kohën minimale të qëndrimit jashtë Shqipërisë pas të cilës ata duhet të konsiderohen rezidentë jashtë shtetit, duke lexuar tekstin e ligjit të botuar së fundi në portalin e Kuvendit duket se opozita ka të drejtë.

Në fakt neni 9 në pikat 2 dhe 3 parashikon: “2. Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 3. Në rast ndryshimi të adresës, shtetasi deklaron adresën e re brenda 60 ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo shitblerjes së objektit të banimit, si dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës”. Ndërsa neni 11 parashikon: “1. Autoritetet përgjegjëse brenda dhe jashtë territorit të Republikës Shqipërisë, në rast konstatimi të mospërmbushjes së detyrimit për deklarimin e adresës së shtetasit dhe të regjistrimit të saj, i refuzojnë atij shërbimin e kërkuar, deri sa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës…. 2. Bëjnë përjashtim nga pika 1, e këtij neni, shërbimet me karakter humanitar që përfaqësitë diplomatike dhe konsullore u ofrojnë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Nga ana praktike, kjo pikë është e kapërcyeshme, pasi në çastin kur një emigrant shkon e kërkon një shërbim në konsullatë, për shembull, njëkohësisht përmbush edhe detyrimin për deklarimin e vendbanimit duke treguar një dokument të vlefshëm italian.

Një tjetër aspekt i debatuar është përfshirja e emigrantëve në sistemin zgjedhor. Për Tahirin, ligji për regjistrimin e emigrantëve është “gur themeli” që ata të kenë të drejtën e votës atje ku jetojnë. Por, me ligjet e kodin e tanishëm në fuqi, opozita ka të drejtë kur thotë se ligji për regjistrimin e adresave i lë emigrantët pa të drejtë vote, u heq atyre edhe të drejtën që po të duan të kthehen në atdhe për të votuar. Në fakt, sipas nenit 44 të kodit zgjedhor, që qytetari shqiptar të bëjë pjesë  në një listë zgjedhësish duhet veç të tjerash “të ketë vendbanimin në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit”.  Ndërsa sipas neneve 14 e 15 të ligjit Nr.10129, të datës 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, shtetasit “kanë të drejtë të zgjedhin lirisht në cilën banesë të jetojnë zakonisht ose të shumtën e kohës. Banesën, në të cilën shtetasi jeton zakonisht për më shumë se tre muaj pa ndërprerje ose më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik, ka detyrimin ta deklarojë si vendbanimin e tij” si edhe “nuk mund të deklarojnë njëherazi më shumë se një vendbanim”.

Në të dyja pikat e kundërshtuara të ligjit që sapo u votua në Kuvend, opozita duket se ka të drejtë. Mbetet për t’u parë nëse ky ligj do të pasohet menjëherë me ndryshime në ligjet e tjera ekzistuese. Në të kundërt, rrezikohet që emigrantët shqiptarë jo vetëm të jenë të detyruar të vetëdeklarohen brenda 6 muajve nga ardhja në fuqi e ligjit (në të kundërt do t’u refuzohen shërbimet), por njëherazi me deklarimin e vendbanimit të tyre jashtë Shqipërisë edhe t’u hiqet krejtësisht e drejta e votës, pra të mos e kenë më atë as në letër.

Lexo tekstin e plotë të ligjit të miratuar në Kuvend më 18 shkurt 2016 “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Azilkërkuesit shqiptarë që duan, por nuk largohen dot nga Gjermania

Reforma e shtetësisë. Shtyhen për në mars konsultimet e Senatit me ekspertë e shoqata