Mjeshtri Bardh Jakova ngre një laborator interesant të promovimit të muzikës popullore shkodrane
Forlimpopoli – Në një pasdite të shkurtit, e ftuar nga Mjeshtri Bardh Jakova, u ndodha mes një grupi muzikantësh e këngëtarësh italianë e të huaj, profesionistë dhe amatorë të moshave të ndryshme, të organizuar në një ansambël artistik për interpretimin e muzikës dhe këngëve popullore qytetare shkodrane.
Ambienti ku ky laborator artistik mblidhej çdo të enjte ishte një dhomë karakteristike e një shtëpie në Forlimpopoli, në provincën e Krahinës Emilia- Romagna, por çuditërisht në mobilimin e saj syri im perceptoi edhe elemente të traditës shqiptare si qilimat apo shallet e kostumeve tona popullore. Një pritje e ngrohtë kjo, por nuk ishin këta elementet e vetëm që më bënë të ndihem menjëherë si në vendlindjen time në Shkodër: në momentin që unë hyra në këtë studio-laborator disa nga muzikantët mbanin në duar instrumente si dajre, lodër apo fyell, tipike të orkestrave tona popullore.
Mjeshtri Bardh Jakova më kishte folur prej kohësh për këtë grup artistik, aspak të zakonshëm për nga konstrukti i tij. “Lindja e këtij ansambli erdh krejt natyrshëm – thekson Bardhi – muzika popullore shqiptare e në veçanti muzika popullore shkodrane është pëlqyer nga studentët e mi të shkollës Ca’ Vaina në Imola, ku dhe drejtoj grupin e fizarmonikës. Me kohë lindi dëshira për t’u mësuar pjesë të kësaj muzike, e cila u kthye në pasionin dhe interesin e një grupi të madh të pasionuarish”.
Grupi, që fillimisht numëronte pak pjesëtarë, sot është rritur në 20 vetë dhe është pasuruar me instrumente si kitarë, violinë, fizarmonikë, violë e violonçel, perkusion etj., si dhe me këngëtarë me pasionin për të kënduar në gjuhën origjinale këngët.
Befasuese në programin e përgatitur posaçërisht për atë pasdite nga ky grup ishte interpretimi në dialektin shkodran nga dy soprano të këngëve “Fushat tona” dhe “Iptida për të parën herë”.
Kushdo që do të ishte në vendin tim në atë studio-laborator muzike atë pasdite do të emocionohej ndërsa dëgjonte këngët e repertorit historik të traditës muzikore shkodrane e zërin melodioz të sopranos italiane që shqiptonte me aq përpikëri fjalët e këngës. Sopranoja ishte nga Imola dhe këndonte në shkodranishte. Mendova se ky mund të ishte momenti kulminant i asaj pasditeje ku tingujt e njërës këngë pasonin atë të këngës apo melodisë tjetër, por s’ishte e thënë. I gjithë grupi që vetëquhet “Gli Spartiti per Scutari” (kuptim i dyfishtë i kësaj shprehjeje, që shpreh edhe një dashuri të çmendur për Shkodrën, për muzikën e saj) la veglat dhe me partitura në dorë u grumbullua për të kënduar në kor disa nga perlat e muzikës shkodrane.
U përpoqa që me aparatin tim fotografik të fiksoja këto momente, emocionuese e pse jo edhe historike. E përdora termin “historike” sepse të tillë e konsiderova këtë “event” që po ndodhte – Mjeshtri Bardh Jakova me grupin “Gli Spartiti per Scutari” po hidhte bazat e një Mrekullie shqiptare – atë të Promovimit të Muzikës popullore në një rrugë tepër origjinale e me një grup tërësisht me muzikantë të huaj.
Dashuria e Bardh Jakovës për muzikën shqiptare e dëshira për promovimin e saj e kishte çuar te kjo ide origjinale, duke i dhënë kështu një mundësi për të afirmuar vlerat e artit shqiptar në skenat e huaja por edhe për të vazhduar traditën e Familjes Jakova, kontributi i së cilës kulmohet me Prenkë Jakovën, “Nder i Kombit”, krijuesin e Operës së Parë shqiptare “Mrika”- gur themeltar në historinë e muzikës shqiptare.
Grupi në gjirin e të cilit aktualisht janë njëzet vetë është në hapat e para të afirmimit të tij. Pjesëtarët e tij Andrea Branchetti, Simone Rossi (klarinetë), Sarah Borderi, Debora Stenta (perkusion), Matteo Carutti, Giulio Cantore, Michela Loli, (kitarë) Enrica Camporesi (flaut), Renée Castiglione (violonçel), Fabrizio Chinaglia (bas), Marcello Di Camillo, Sara Galeotti (violinë), Gioiele Sindona (violë, violinë), Nicole Fabbri, Enrico Giorgi, Federico Nanni, Elena Salvucci , Fabio Strada (fizarmonikë), Roberta Fetti, Sabina Laghi (voce), Marco Nervegna (Oud), Ermes Sangiorgi (Bouzouki) të udhehequr nga Mjeshtri shkodran Bardh Jakova i ndihmuar nga Gioele Sindona (violë e violinë) përligjin me interpretimet e tyre punën e madhe të bërë e justifikojnë objektivin e laboratorit: koncerte në skenat e Italisë dhe të vendeve të ndryshme të Ballkanit, me një finale të një koncerti festiv në Shkodër.
Albana Temali – Shqiptari i Italisë mars 2008