Detyra më e rëndësishme për një udhëheqës është të bëhet baba shpirtëror e politik i të gjithë kombit. Mandela e arriti këtë.
Nga Ilir HASHORVA*
Pas Gandit dhe Martin Luter Kingut, vjen përnjëherë Mandela, si një nga personat më të rëndësishëm e më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, si një prej atyre që, pasi emancipuan popujt e tyre, emancipuan dhe vetë botën.
Përse është i madh Mandela? Për kulturën e gjerë, apo për oratorinë? Ka me mijëra e me qindra mijëra që janë më lartë se Mandela në këto fusha. Mos vallë për burgun e gjatë që bëri? Vetëm në Shqipëri ka plot nga ata që kanë bërë burg më të gjatë se Mandela dhe për nga vuajtjet ia kalojnë shumë më shumë atij. Pastaj, kohëzgjatja e burgut nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me zotësinë apo vlerën e të burgosurit.
Mandela është i madh, sepse është idealist pozitiv, se është personi që luftoi nga fillimi i jetës, deri në fund të saj për idealin e tij, për një Afrikë të Jugut ku të jetonin në barazi dhe harmoni të gjitha racat. Mandela është i madh, sepse lufta që bëri qe tërësisht e moralshme, ajo nuk njihte hipokrizi, demagogji, apo hile. Mandela është i madh për karakterin e tij.
Madhështia e Mandelës vihet në dukje më shumë pas daljes së tij nga burgu me pesë veprime kryesore të tij: me shmangien e një lufte të armatosur civile midis të zinjve dhe të bardhëve si dhe midis të zinjve midis tyre; me krijimin dhe vënien në punë të “Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit”; me përpjekjet e tij për pajtim kombëtar; me sigurimin e të bardhëve se jeta e tyre në Afrikën e Jugut do të ishte e sigurt dhe se ata ishin të nevojshëm për Afrikën e Jugut dhe, së fundi, me largimin vullnetar nga jeta politike.
Detyra më e rëndësishme për një udhëheqës është të bëhet baba shpirtëror e politik i të gjithë kombit. Mandela e arriti këtë.
Shmangia e luftës civile
Pas daljes së Mandelës nga burgu, por pa e marrë vetë në dorë fuqinë, vendi ishte i ndarë dhe i përçarë dhe gati për të filluar një luftë civile. Mandela arriti ta shmangte këtë luftë. Krahas partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan, ku bënte pjesë Mandela dhe shumica e atyre që luftuan aparteidin, kishte edhe parti apo grupe që, për interesa të tyre të ngushta ishin të gatshme të luftonin me këdo që i pengonte të realizonin ato interesa. Më kryesorja ndërmjet tyre ishte Partia e Lirisë Inkatha e drejtuar nga Buthelezi. Kjo parti më përbërje raciale kryesisht të zezë të fisit më të madh indigjen afrikanojugor zulu, e ndihmuar fshehtazi nga qeveria e bardhë, godiste ushtarakisht përkrahësit e Kongresit Kombëtar Afrikan, partisë së Mandelës. Ndonëse ishin shmangur shumë përplasje e të zinjve me trupat qeveritare, përplasjet e të zinjve me njëri-tjetrin vazhdonin, përplasje që rrezikonin të ktheheshin në luftë të egër raciale e civile.
Në vitin 1990, Mandela u foli rreth 100000 pjesëmarrësve në një miting në Durban, ku shumica ishin zulu, ithtarë të Inkatas, partisë së Buthelezit, dhe iu lut që të linin armët dhe t’i jepnin njëri-tjetrit dorën në paqe: “ Hidhni në det pushkët, mashetat dhe kamat! Mbyllini punishtet e vdekjes! Jepni fund kësaj lufte sa më parë!”
Njëkohësisht, Mandela i bëri thirrje qeverisë që të hiqte dorë nga armatosja e zuluve si dhe të mos lejonte që në mitingjet që zhvilloheshin, pjesëmarrësit të shkonin të armatosur me armë tradicionale.
Po në këtë kohë nga Partia e Kongresit Afrikan, u bë një grevë e përgjithshme kundër dhunës së mbështetur edhe nga qeveria. Më se katër milion punëtorë morën pjesë në atë grevë dhe e bënë atë të ishte protesta më e madhe politikë në historinë e Afrikës së Jugut. Njëqindmijë persona marshuan drejt selisë së qeverisë në Pretoria, ku u mbajt edhe një miting i madh.
Me përpjekje të mëdha të Mandelës, me takime personale me Buthelezin dhe me Presidentin de Klerk, u arrit shmangia e një luftë civile të egër prej së cilës do të kishte vetëm të humbur e prej së cilës do të kishte mbetur një armiqësi e brendshme e përhershme.
Krijimi i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit (KVP)
Pasi u shmang lufta civile dhe pasi Mandela mori kryen e shtetit, si detyra më e rëndësishme e fillimit ishte të gjendej mënyra më e mirë dhe më efikase e trajtimit të atyre që kishin qenë përgjegjës për krimet e kryera gjatë periudhës së aparteidit. Në vitin 1994, parlamenti afrikanojugor miratoi një numër ligjesh, kryesori ndër të cilët ishte krijimi i “Komisionit të së Vërtetës dhe të Pajtimit”, i cili do të fillonte punën në vitin 1996, për të hetuar krimet e kryera në periudhën e aparteidit, me qëllim për të “paraqitur një pamje sa më të plotë… për natyrën, shkaqet dhe përmasat e shtrirjes së dhunimit të të drejtave të njeriut”, si dhe për të hedhur bazat e pajtimit kombëtar i cili do të vinte si pasojë e shpalljes dhe e njohjes së krimeve të kryera nga të gjitha palët në konflikt.
Metoda e ideuar dhe zbatuar në Afrikën e Jugut, e cila më pas u zbatua edhe nga vende të tjera në botë që dilnin nga diktatura të ndryshme, pati si qëllim kryesor jo dënimin e kriminelëve në përputhje me krimin, por pohimin dhe tregimin me hollësi prej vetë kriminelëve të krimeve që kishin kryer dhe, në vartësi të shkallës së krimit dhe të saktësisë dhe vërtetësisë së tregimit, do të përfitonin edhe amnistinë. Sipas metodës së përdorur, prioritare do të ishte shpallja e së vërtetës, shpallja e krimit, dhe jo dënimi.
Krimineli, pas vetëdeklarimit të krimeve që kishte kryer, do të njihej botërisht. Ai nuk do të mund të mbulohej më me maskën e mbështetësit të pushtetit të ri, ai nuk mund të shëtiste më me kapadaillëk nëpër rrugët e vendit, ai nuk do të kishte më fytyrë të pretendonte për poste të niveleve të larta të shtetit, ai nuk do të sillej sikur nuk kishte ndodhur gjë, ai nuk do të mund të thoshte se kishte vepruar në atë mënyrë se ashtu ishte sistemi, se ashtu ishte koha. Gjithashtu, kriminel nuk do të ishte më vetëm spiuni, por i gjithë zinxhiri i krimit, që nga ish-Presidenti e deri tek ai që tërhiqte këmbëzën e revoles për të vrarë kundërshtarin e regjimit, apo që mbante në dorë kopaçen për ta torturuar atë.
“Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit” (vini re se me sa kujdes dhe domethënie është zgjedhur emri i tij) u bazua në parimin: “Pajtimi varet nga falja dhe falja mund të jepet pasi të njihet e vërteta, pasi të njihet krimi”.
Nuk ishin të gjithë të një mendjeje për dobinë e Komisionit. Kishte nga ata që mendonin se ai do të hapte plagë të vjetra e të thella që do të shkaktonin turbullira civile e hakmarrje të reja. Por, shteti i Nelson Mandelës mendonte se nuk duhej mohuar e shkuara për hir të së ardhmes, sepse shkalla me të cilën të bardhët e Afrikës së Jugut do të bëheshin pjesë e kombit të ri ishte e lidhur ngushtë me njohjen prej tyre të dhembjes që kishin krijuar ata vetë.
Komisionit iu dha njëfarë karakteri fetar, kur u vendos që atë do ta kryesonin jo politikanë, apo njerëz të lidhur me parti politike, por dy klerikë me shumë integritet: Kryepeshkopi Anglikan Desmond Tutu, laureat i Çmimit Nobel për Paqe, si kryetar dhe Alex Boraine, si zëvendës i tij, predikues metodist, ish-President i Kishës Metodiste të Afrikës së Jugut. Kryesimi prej tyre i atij komisioni si dhe përfshirja në të edhe e dy klerikëve të tjerë, i bënin seancat e punimeve të atij komisioni të dukeshin si një përzierje e gjyqit, konfesionit dhe e mësimit moral.
Puna e Komisionit do të kryhej në këtë mënyrë: cilido që pranonte të dëshmonte se kishte kryer krime apo mendonte se ishte viktimë e dhunës, mund të shkonte të paraqitej para Komisionit, të bënte dëshmitë dhe të dëgjohej nga Komisioni, nga publiku, nga të afërm të tij apo nga kundërshtarët e tij, nga gazetarë të medieve të ndryshme jugafrikane e botërore. Nga sinqeriteti i tregimit të krimeve, do të varej në një shkallë shumë të madhe amnistia që do të përfitonte personi. Ata që nuk do të paraqiteshin vetë para Komisionit, do të gjykoheshin dhe do të dënoheshin në bazë të fajit.
Komisioni i filloi punimet në shkurt të vitit 1996 në Katedralen Anglikane në Kep Taun, para një audience shumëracore. Në një poster të madh ishin shkruar fjalët e Ministrit të Drejtësisë, Dullah Omar: “Ju ftoj të bashkoheni në kërkim të së vërtetës, pa të cilën nuk mund të ketë pajtim real” dhe në një tjetër: “E vërteta dhemb, por heshtja vret”.
Komisionarët pranuan kërkesën e Kryetarit Tutu në takimin e tyre të parë, që të tërhiqeshin në një vend të ndarë, në një qelë, ku të mund të shtonin aftësitë e tyre shpirtërore dhe të mprihnin ndjeshmërinë. Ata u ulën në këmbët e një udhëheqësi shpirtëror, dhe qëndruan aty në heshtje për një ditë.
Komisioni pranoi, po ashtu, propozimin tjetër të Desmond Tutut që në fillim dhe në përfundim të seancave të bëheshin lutje. Kur viktimat dhe të mbijetuarit shkonin para komisionit për të dëshmuar, do të krijohej një atmosferë solemne me lutje, himne dhe me ritualin e ndezjes së qirinjve për të përkujtuar viktimat e vdekur. Desmond Tutu do t’i drejtonte seancat i veshur me rrobën e purpurt të kryepeshkopit. Sipas Tutut, Komisioni duhej t’i hapte plagët në mënyrë që t’i pastronte.
Presidenti i Republikës Federale Gjermane në atë kohë, Richard von Weizsacker, në një simpozium në Berlin në vitin 1999, tha: “Bota nuk mund të besojë atë që sheh. Ju po krijoni shpresë për të ardhmen. Ju arritët një tranzicion të jashtëzakonshëm, të arsyeshëm, paqësor. Ju kaluat nga mizoria e shtypjes, në një stabilitet relativ të demokracisë. Ju habitët të gjithë me mënyrën e re të trajtimit të së kaluarës mizore. Ju ndofta habitët edhe veten tuaj me qetësinë që treguat në disa nga rastet më tronditëse që nxorët. Kjo ishte një përvojë të cilën bota nuk mund ta lejë pas dore”.
Në vitin 1998, tre vjet pasi filloi punën, “Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit” e përfundoi detyrën dhe botoi raportin e tij në pesë vëllime, të cilin mund ta lexonte kushdo e ku dokumentoheshin të gjithë kriminelët dhe krimet e kryera prej tyre.
Pajtimi kombëtar
Pasi shmangu luftën civile, pasi shpalli se ç’kishte ndodhur në Afrikën e Jugut gjatë aparteidit dhe se cilët qenë përgjegjësit për ato që ndodhën, Mandela nisi politikën e pajtimit dhe të unifikimit të kombit. Ai u dallua si njeriu që, kur pati rastin dhe mundësinë të hakmerrej dhe të dënonte armiqtë e popullit të tij, ai i fali.
Presidenti Amerikan Bill Klinton, pasi u takua një herë me Mandelën, tha: “Ai ka shumë për të na mësuar për faljen. Falja nuk ka lidhje me të qenit i butë, i ndjeshëm, apo i dobët. Mandela kishte kuptuar se falja ishte strategjia për mbijetesë. Ai gjeti një zemër falëse në kushtet më të rënda, ai mësoi të urrente aparteidin, pa urryer të bardhët… Në këtë proces ai nuk çliroi vetëm afrikanojugorët e zinj, por edhe afrikanojugorët e bardhë”.
Kur Mandela i kërkoi këngëtares së njohur afrikanojugore Miriam Makeba të kthehesh në atdhe, ai i tha: “Ndofta nuk duhet të harrosh kurrë, por duhet të falësh”.
Një seri ngjarjesh të tjera asaj kohe, dëshmojnë për gatishmërinë e Mandelës për falje dhe pajtim. Ai shkonte e u bënte vizita simbolike ish-kundërshtarëve të tij. Në nëntor të vitit 1995, ai shkoi dhe vizitoi ish-Presidentin e bardhë Botha. Në ceremoninë që u bë me rastin e betimit të tij si president, në krah kishte një prej gardianëve të burgut.
Ragbia ishte sporti i kombëtar i afrikanojugorëve të bardhëve. Ai sport u jepte të bardhëve krenari, pasi ishte i shpejtë, brutal, intensiv. Të zinjtë e urrenin, sepse për ta ai sport simbolizonte brutalitetin e bardhë dhe mundjen e skuadrës afrikanojugore nga skuadrat e tjera e shihnin si fitore kundër aparteidit, si goditje ndaj tij. Të zinjtë kishin si sport të tyren futbollin.
Kur në vitet 1994-1995, lufta midis racave arriti kulmin, Mandela përdori sportin për të ndihmuar pajtimin dhe për të bashkuar kombin. Për vite partia e Mandelës kishte bërë çmos që skuadra kombëtare e ragbisë të ndalohej nga aktivitetet ndërkombëtare dhe kishte arritur ta ndalonte. Tashti Mandela po bënte çmos që ai ndalim të hiqej dhe që kampionati botëror i ragbisë të zhvillohej në Afrikën e Jugut. Ditën që skuadra afrikanojugore do të ndeshej me kampionen e deriatëhershme, me Australinë, në maj të vitit 1995, Mandela u shkoi në fushë lojtarëve të bardhë të ragbisë dhe u tha se ata tashti nuk po luanin vetëm për të bardhët, por për të gjithë vendin dhe të gjithë, të bardhët dhe të zinjtë u bashkuan me të. Kur ai vuri në kokë një kapele të skuadrës së bardhë, të gjithë të bardhët në stadium filluan të thërrisnin emrin e tij. Një nga shokët e burgut të Mandelës tha me këtë rast: “Ai ishte çasti kur unë kuptova qartë se lufta për çlirim nuk ishte vetëm për të çliruar të zinjtë nga robëria e bardhë, por edhe për të çliruar të bardhët nga frika”.
Në vitin 1995, Mandela mblodhi në një drekë gra të bardha e të zeza, që kishin qëndruar në mbështetje të burrave të tyre gjatë periudhës së aparteidit, pa marrë parasysh se në ç’krah të politikës ndodheshin burrat e tyre. Shumë prej tyre ishin gra të kryeministrave apo presidentëve të bardhë racistë të mëparshëm. Mandela i bashkoi gratë si “një mënyrë praktike për të lënë mënjanë të shkuarën, si një shenjë të vendosjes së një tulle në ndërtesën e re.” Znj. Verwoerd, të vesë së ish- Kryeministrit Verwoerd, në atë kohë 94 vjeçare, që për arsye shëndetësore nuk mundi të merrte pjesë në atë drekë, Mandela i shkoi në shtëpi.
Mandela dha një drekë për Percy Yutar, prokurorin e çështjes Rivonia i cili e kishte dënuar për herë të fundit Mandelën. Gazetarëve prokurori u tha: “Nuk di, në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni një tjetër si ai që, pasi ta keni dënuar me burgim të përjetshëm, të vijë t’ju takojë miqësisht”.
Mandela i thërriste në telefon ata që konsideroheshin si opozitarë të tij dhe i uronte në raste ditëlindjesh apo festash të tjera personale, u shkonte në funerale. Disa nga gardianët e tij të burgut i mbante në krah, edhe pse disa prej tyre ai vërtetë nuk i donte.
Kur de Klerku njoftoi se Partia Nacionale tërhiqej nga Qeveria e Unitetit Kombëtar, Mandela e priti me keqardhje largimin e të bardhëve prej qeverisë dhe deklaroi se “I jemi mirënjohës atij (de Klerkut) dhe të tjerëve që punuan së bashku me ne për të shmangur një luftë civile të përgjakshme”.
Siguria që u dha të bardhëve
Pajtimin me të bardhët Mandela e konsideronte si një akt kuraje dhe jo si një akt dobësie. “Njerëzit kurajozë nuk e kanë frikë faljen për hir të paqes”, thoshte ai. Pajtimi ishte me shumë rëndësi për strategjinë e tij politike.
Në një konferencë për shtyp në Kep Taun, pak pasi u lirua nga burgu, e pyetën për frikën që kishin të bardhët. Ai u tha: “E di se njerëzit pritnin që unë të kisha mëri ndaj të bardhëve. Por unë nuk kisha. Në burg, zemërimi ndaj të bardhëve m’u ul, ndërsa urrejtja ndaj sistemit të aparteidit m’u ngrit. Doja që Afrika e Jugut të shihte se unë i doja edhe ata që silleshin si armiq dhe urreva sistemin që na vuri kundër njëri-tjetrit”.
Në deklaratat që bënte, kishte kujdes të tregonte gjithnjë urtësi. Kështu, pasi doli nga burgu, tha: “Ishte gjatë këtyre viteve, gjatë të cilave ndodhesha i vetmuar, që etja për liri për popullin tim u shndërrua në etje për liri për të gjithë popullin, të bardhë e të zi. E dija fare mirë se shtypësi duhej çliruar njëlloj si dhe i shtypuri, sepse edhe atyre u ishte grabitur liria. Kur dola nga burgu, misioni im ishte të çliroja njëkohësisht të shtypurin dhe shtypësin”. Në një intervistë tjetër ai tha se, po të donte, mund t’i kishte shkatërruar me lehtësi kundërshtarët e tij politikë, por nuk ishte kundërpërgjigjur, sepse “Kisha përgjegjësi ta mbaja kombin të bashkuar. Më duhej të mbytja ndjenjat e mia dhe të mendoja përmes zemrës dhe jo përmes gjakut”.
Ndryshe nga shumë drejtues të rinj afrikanë që, pasi u çliruan nga kolonizatorët evropianë, deshën të hidhnin në det të gjithë të bardhët, Mandela ua njohu të bardhëve vlerat dhe kontributin në kthimin e Afrikës së Jugut në vendin më të zhvilluar afrikan.
…
Lexo të plotë në Respublica: Një homazh për Nelson Mandelën