Në Plazhin në Torre San Giovanni në Lecce një turist gjen në rërë një pako me 4 kg marijuhanë, e nxjerrë nga dallgët në breg. Sipas agjentëve të policisë duhet të jetë hedhur në det nga skafistë shqiptarë
Romë, 5 korrik 2012 – Prej tre javësh deti nxjerr në bregdetin e Salentos sasi të mëdha marijuhane, që sipas forcave të rendit duhet të ketë prejardhje shqiptare, dhe të jetë hedhur në det nga skafistët nga frika e ndonjë kontrolli. E kështu nëse nga fundi i qershorit rreth 60 kg drogë pluskonte në ujërat mes Santa Cesarea Terme e Castros, tani plazhistët e gjejnë edhe nën çadër.
Për herë të fundit ka ndodhur më 4 korrik pasdite, në plazhin në Torre San Giovanni të Lecces. Një turist ka gjetur në rërë një pako me rreth 4 kg marijuhanë dhe ka telefonuar policinë. Në vendngjarje kanë shkuar agjentët e komisariatit Taurisano që kanë sekuestruar drogën.
Po më 5 korrik në darkë, nga ana tjetër e Adriatikut, forcat e policisë së kufirit detar dhe ato të sektorit të antidrogës në Durrës kanë bllokuar një sasi prej 260 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit, Sazan Vrapi 32 vjeç, që po e transportonte atë drejt Italisë.
Lexo edhe: Raporti. Në vitin 2011 janë paditur rreth 1.700 shqiptarë për trafik droge
Mbi 500 kg marijuanë e braktisur në bregdetin e Lecces