“Duhet të kishte në qendër të vëmendjes pensionistët, të moshuarit, të rinjtë pa punë që nuk ia dalin të shtyjnë muajin” tha dje në Senat Bricolo, kryetari i grupit legist
Romë 18 nëntor 2011 – “Qeveria e re u jep prioritet imigrantëve, në një kohë kur duhet të kishte në qendër të vëmendjes pensionistët, të moshuarit, të rinjtë pa punë që nuk ia dalin të shtyjnë muajin”.
Kështu deklaroi dje kryetari i grupit të Legës në Senat, Federico Bricolo, gjatë seancës së deklaratave të votës për qeverinë e Mario Montit, duke iu referuar ngritjes së ministrisë për Kooperimin ndërkombëtar dhe Integrimin.
“Nuk do t’i jappim votëbesimin qeverisë Monti. Do të jemi një opozitë serioze, e vëmendshme, e vendosur në mbrojtjen e interesave të tokës sonë të Veriut dhe të Padanias”. Senatori legist ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj kryeministrit Monti edhe për krijimin e ministrisë së Kohezionit Territorial, që sipas tij “përfaqëson antifederalizmin”.
Në fund të seancës, Qeveria e Montit mori votëbesimin e të gjithë Senatit me përjashtim të 25 vetëve, përfaqësues pikërisht të Legës.
Lexo edhe: Riccardi për Integrimin. Sinjal pozitiv për politikat e imigracionit