Me urdhëresë të ministrisë së Jashtme, nga data 26 janar 2009, të gjitha veprimet konsullore, për të cilat normat në fuqi nuk kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit, kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar
Nëse këto ditë do të paraqiteni në zyrat konsullore shqiptare për legalizime dokumentesh, derën do ta gjeni mbyllur. Për praktika që nuk kërkojnë praninë fizike të personit, nga fundi i janarit konsullata nuk pret njerëz, por zarfe. Nga fundi i janarit, çdo praktikë konsullore legalizimi bëhet vetëm me postë.
Është ndryshimi më i fundit për emigrantët që çon drejt shkëputjes së marrëdhënieve të drejtpërdrejta të nëpunësve të shtetit me emigrantët.
Mënyra e re e shërbimit konsullor ka krijuar fillimisht jo pak probleme. Kryesisht sepse nuk është paralajmëruar me kohë (njoftimi i vënë në faqen internet të ambasadës mban datën 29 janar) dhe sepse telefonave të konsullatave dhe ambasadës sonë nuk i përgjigjet askush. Paragjykim? Ndërsa shkruhej ky artikull provuam disa herë, në ditë të ndryshme, të lidheshim me telefon me konsullatën e Barit, të Milanos dhe zyrën konsullore të Romës, por asnjërës prej dhjetëra thirrjeve tona nuk iu përgjigj kush nga krahu tjetër. Kështu, ka pasur nga ata që duke mos ditur gjë për praktikën e re, kanë marrë rrugën, janë paraqitur në sportel dhe janë kthyer mbrapsht pa mbaruar punë.
Me dy fjalë, pranë konsullatave, këtej e tutje duhet shkuar vetëm për veprime konsullore për të cilat ligji parashikon praninë fizike të të interesuarit. Të tilla veprime janë aplikimi për pasaportë apo për vizë, përgatitja e prokurave, kërkimi i leje-kalimeve. Ndërsa për legalizim të dokumenteve, shqiptare apo italiane, shqiptarët duhet t’u drejtohen zyrave të postës. Të kryejnë pagesën me vaglia postale dhe të nisin në një zarf dokumentet e tyre, fletë-pagesën, një zarf ku të kenë shkruar saktë adresën e tyre dhe t’i nisin me postë në adresë të Zyrës konsullore të Ambasadës.
Praktika e në konsullatat shqiptare e ka zanafillën në urdhëresën nr. 8 të datës 8 janar 2009 të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Ndokush mund të mendojë që shkaku i vërtetë i këtij ndryshimi është emisioni “Fiks Fare” që, këtë fillim viti, nxori sheshazi në dukje korrupsionin që mbizotëron në konsullatat tona, por një gjë të tillë nuk e pohon askush zyrtarisht. Dhe si zakonisht, lufta ndaj korrupsionit rëndon më shumë mbi emigrantët sesa mbi nëpunësit e korruptuar të shtetit.
Në urdhëresën e ministrit shkruhet e zezë mbi të bardhë që “duke filluar nga data 26 janar 2009, të gjitha veprimet konsullore do të kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar. Përjashtohen nga ky rregull vetëm aplikimet për pasaportë, nënshkrimi i prokurave dhe aplikimet për vizë, për të cilat aktet normative në fuqi që kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit”. Madje urdhëresa parashikon edhe që mund të bëhen përjashtime nga rregulli i mësipërm vetëm kur “autorizohen me shkrim vetëm nga Titullari i Përfaqësisë Diplomatike ose Konsullore” dhe vetëm “për raste shumë të veçanta dhe të argumentuara, duke vënë në dijeni Drejtorinë Konsullore”.
I përmbahet kësaj urdhërese edhe njoftimi i Ambasadës sonë në Romë dhe i konsullatave të Milanos dhe Barit, që sqaron më hollësisht edhe cilat dokumente bëhen duke shkuar personalisht në sportelet e konsullatave e cilat shërbime mund të kërkohen me postë, kostot dhe mënyrat e pagesës.
I kontaktuar nga Bota shqiptare, ambasadori Llesh Kola thotë se “vështirësitë e fillimit do të kapërcehen, tashmë shqiptarët në Itali janë mësuar të komunikojnë me administratën publike përmes postave. Shumica dërrmuese paraqesin në postë kërkesën për lejen e qëndrimit”. Madje përmend se kjo praktikë e re e adoptuar nga shteti shqiptar për shërbimin konsullor “nuk është ndonjë risi absolute: edhe konsullata të vendeve të tjera veprojnë në të njëjtën mënyrë. Ne po bëjmë edhe më shumë, po u dërgojmë në shtëpi të interesuarve dokumentin e legalizuar, me postë rekomande”. Ambasadori kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga anë e emigrantëve: “Që ky proces të vejë sa më mirë është e domosdoshme që të gjithë të jenë sa më të kujdesshëm kur dërgojnë me postë dokumente për të legalizuar”. Kështu p.sh., nëse dokumentet janë të lëshuara nga shteti italian, duhet të autentifikohen më parë nga Prefekturat italiane apo nga Prokuroritë pranë Gjykatave italiane, të cilat përkatësisht autentifikojnë firmat e nëpunësve të zyrave të bashkive e komunave, të shkollave e universiteteve etj., dhe të nëpunësve të gjykatave. Ndërsa nëse dokumenti që duhet legalizuar është lëshuar në Shqipëri duhet të ketë kaluar më parë edhe në zyrat e autentifikimit të Prefekturave shqiptare. Një tjetër element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit është edhe shkrimi i saktë i adresës së personit ku do të kthehet dokumenti i legalizuar. “Ka pasur raste kur dokumentet janë kthyer mbrapsht pikërisht për mungesë të adresës së saktë – shpjegon ambasadori”. E megjithatë, ambasadori siguron se të gjithë ata që do të vijnë në zyrën konsullore të ambasadës për veprime që kërkojnë praninë fizike të personit, do të mund të bëjnë edhe praktikat e tjera: pra nëse dikush shkon në Ambasadë për të bërë një prokurë, bashkë me të mund të bëjë edhe legalizimin e ndonjë dokumenti. “Megjithatë, – siguron ambasadori Kola – është ende herët për të thënë se cila është ecuria, po përpiqemi të perfeksionojmë shërbimin konsullor. Nëse do ta shohim të arsyeshme do t’i propozojmë ministrisë edhe rrugë të reja, që do të kenë gjithnjë si qëllim final përmirësimin e shërbimit ndaj shqiptarëve”.
Keti Bicoku
Bota shqiptare 208