in

Legjislacioni për imigrantët

“La normativa sugli immigrati e sui rifugiati in Italia: tra formalità e operatività”, një përmbledhje ligjesh që u kushtohet të gjithë atyre që punojnë në sektorin e imigracionit, por edhe atyre që dëshirojnë ta njohin më thellë këtë dukuri të ndërlikuar

Një libër i dobishëm. Gjykim i pranuar nga shumë vetë ky për vëllimin me titull “La normativa sugli immigrati e sui rifugiati in Italia: tra formalità e operatività” (Legjislacioni për imigrantët e për refugjatët në Itali: midis formalitetit e operativitetit) me autor Paolo Iafrate, botuar në italisht nga “Affari Sociali Internazionali”, shtëpia botuese Idos (Romë, shkurt 2018, f. 176). Dobishmëria e njohur e librit i detyrohet kryesisht temës së trajtuar dhe qasjes konkrete ndaj saj. Në fakt, publikimi paraqitet si një përmbledhje ligjesh që u kushtohet të gjithë atyre që punojnë në sektorin e imigracionit, por edhe atyre që dëshirojnë ta njohin më thellë këtë dukuri të ndërlikuar.

Nuk duhet harruar konteksti në të cilin shfaqet libri i Paolo Iafrate, profesor i ri i Universitetit Tor Vergata në Romë. Jemi në pikën maksimale të fushatës zgjedhore për parlamentin e ri italian, gjatë së cilës tema e imigracionit zë një vend të rëndësishëm, madje bëhet karakterizuese për forcat politike në garë. Por është edhe tema rreth së cilës vijnë përqark shumë spekulime e lajme të rreme.

Përveç kësaj, po bëhet gjithnjë e më i vështirë orientimi në detin e pafund të informacioneve për temën e imigracionit dhe të refugjatëve. Në këtë konfuzion total, ndonjëherë të shkaktuar qëllimisht, një mjet i zhdërvjellët e sintetik për njohjen e ligjeve të imigracionit ishte të paktën i urueshëm.

Vëllimi ofron me gjuhë të thjeshtë udhëzime e orientime në jurisprudencën kombëtare dhe europiane. Pjesa e parë u kushtohet ligjeve për imigrantët e refugjatët. Kapitulli fillestar trajton kushtet e pranimit të qytetarëve të duaj, pra vizat e lejeqëndrimet. Kapitujt e mëpasshëm flasin për argumente të rëndësishme si: procedurat në lëmin e migracionit e të strehimit politik, veçoritë e të miturve të huaj të pashoqëruar, hyrja në tregun e punës, dispozitat për regjistrimin në gjendjen civile e për praninë e familjarëve, hyrja në vend për studim, stazh e kërkim shkencor, aspektet shtrënguese si mospranimi, mbajtja, dëbimi.

Pjesa e dytë e librit shkëputet nga përmasa ligjore për t’u përqendruar në përmasën socio-kulturore. Evoluimi i imigracionit në Itali kalon nga analiza e aspekteve socio-statistike, por edhe të disa temave qendrore në debatin aktual për imigracionin, duke prekur argumente paksa delikate, por të rëndësishme, si shtetësia për të huajt, konteksti shumëfetar, feja islamike, terrorizmi, kriminaliteti, etj. Autori i vëllimit ka bërë zgjedhje të mirë duke përfshirë në kapitujt e fundit çështje të jurisprudencës europiane për të drejtën e strehimit politik (azilkërkuesit), një sërë përthellimesh për mirëqenien sociale, diskriminimin, veprën penale të hyrjes së parregullt dhe disa aspekte të marrëdhënieve midis së drejtës islamike dhe sistemit juridik italian.

Plotësimi i punës së zhvilluar nënvizohet edhe nga pasthënia e Tiziano Treu, president i Cnel (Këshilli Kombëtar i Ekonomisë e i Punës), që e përcakton si “vizion harmonik të nevojshëm për ta kapërcyer destabilizimin juridik”, pa lënë pas dore karakterin përmbledhës të paraqitjes, në mënyrë të tillë që “lexuesi mund t’i kuptojë më lehtë themelet e tij, të njihet me lidhjet ekzistuese, të shohë në mënyrë sintetike evoluimin, të ndalet tek referimet më interesante për të kaluar, në rast nevoje, tek analizat e aspekteve të veçanta”.

Përfaqësuesit e qendrës së studimeve e kërkimeve shkencore Idos, Ugo Melchionda e Franco Pittau, nënvizojnë “ndjeshmërinë shoqërore” të vëllimit. Në fakt, autori e ka plotësuar pjesën legjislative e juridike, duke shtuar aspekte socio-statistike e socio-fetare, duke rivlerësuar rëndësinë e lidhjeve të tilla. Nga një anë, të dhënat statistikore i ndihmojnë zbatuesit e ligjeve e ligjvënësit në qeverisjen e në normimin e dukurisë, nga ana tjetër analizat shumëdisiplinore kontribuojnë në kuptimin e saj dhe në kapërcimin e paragjykimeve e të frikës.

Pa dyshim që shoqëria italiane, sot më shumë se kurrë, ka nevojë t’i njohë migracionet përtej thjeshtëzimeve të çfarëdollojshme, por për ta bërë këtë gjë lipset që të pranohet para së gjithash së dukuria është komplekse dhe e nyjëtuar. E siç shtoi sociologu Maurizio Ambrosini, gjatë prezantimit të vëllimit, dallohet një “tension etik” në libër, ngaqë në ligje trupëzohen të drejtat njerëzore universale.

Një tjetër tension  – i theksuar nga Tatiana Esposito, Drejtoreshë pranë Ministrisë së Punës italiane – është ai midis formalitetit e operativitetit (dy koncepte të rimarra në titull) – sepse shpesh ligjet nuk janë të përditësuara e si rrjedhim nuk u përgjigjen kërkesave konkrete të realitetit. Që këtej edhe nevoja e hapjes së një reflektimi të qetë për ta rishikuar legjislacionin lidhur me imigracionin.

Duhet pranuar se libri “Legjislacioni për imigrantët e për refugjatët në Itali: midis formalitetit e operativitetit” i Paolo Iafrate, është qetësisht i guximshëm, ngaqë nuk tërhiqet përballë argumenteve shpërthyese, si kriminaliteti e imigracioni, që normalisht provokojnë polemika të forta.

Së fundi, përveçse aktual, libri flet për ligje – në analizë të fundit për respektin e ligjeve -, porse duke e shmangur paraqitjen e tyre në mënyrë sterile apo neutrale, ose të shkëputur nga njeriu e nga të drejtat e tij.

Rando Devole

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

INPS zbaton urdhëresën e gjykatës së Milanos: 800 € për lindjet të gjitha nënave

Hahn: “Komisioni Evropian i gatshëm për hapjen e negociatave me Shqipërinë”