in

Leje nga puna për martesë

Së shpejti do të martohem, dhe desha të di nëse kam të drejtë të marr disa ditë pushimi për martesën. Punoj me dokumente të rregullt nga viti 2009, po me të njëjtin punëdhënës. Çfarë duhet të bëj?

Punonjësi i varur, me rastin e martesës ka të drejtë për një leje të jashtëzakonshme që ndryshe quhet edhe leje martese. Kjo e drejtë, është qoftë një ndër parimet e sanksionuara nga Kushtetuta italiane (neni 31 paragrafi 1) ashtu edhe e përcaktuar me ligj. Legjislacioni mbi mbi lejen e martesës daton në vitet 30-të (RDL 24 qershor 1937 nr. 1334). Dispozitat e mëtejshme për mënyrën se si të përfitohet nga kjo leje disiplinohen nga Kontratat kolektive kombëtare që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe nga qarkoret e INPS.

Kriteret

Kriteri kryesor për të mund të përfituar nga  leja e martesës është vlefshmëria e martesës. Martesa duhet të njihet dhe të kenë vlefshmëri civile në Itali.

Nëse martesa është celebruar jashtë vendit, për të mund të përfituar nga kjo leje e jashtëzakonshme, është e nevojshme që personi të ketë vendbanimin në Itali. Për shembull punonjësi jo komunitar, ka të drejtë për këtë leje, me kusht që të jetë rezident në Itali, që përpara datës së martesës.

Për të mund të gëzuar këtë lloj lejeje, është e nevojshme t’i dorëzohet punëdhënësit certifikata e  martesës. Nëse martesa është celebruar jashtë Italisë, punonjësi duhet t’i japë punëdhënësit certifikatë martese të lëshuar nga autoritetet e huaja kompetente (të përkthyer dhe e legalizuar) dhe certifikatën e gjendjes civile të lëshuar nga komuna e rezidencës, certifikatë që vërteton se kërkuesi është i martuar me personin e përmendur në certifikatën e martesës të lëshuar nga autoritetet e huaja.

INPS ka specifikuar se, në qoftë se shteti i përkatësisë së të huajit pranon poligaminë, mundësia për të përdorur lejen jepet vetëm për një martesë,  përveç në rastet e shkurorëzimit apo vdekjes së bashkëshortit dhe një martese të mëpasshme (INPS qarkore nr. 190 e vitit 1992).
Shumica e kontratave kolektive kombëtare nuk parashikojnë leje martese për punonjësit në periudhë prove.

Punonjësi duhet të paralajmërojë punëdhënësin  për leje për martesë nga 15 deri në 6 ditë përpara (periudha e  njoftimit paraprak mund të jetë e ndryshme në varësi të Kontratës kolektive që rregullon marrëdhënien e punës). Punonjësi është i detyruar t’i paraqesë punëdhënësit, brenda 60 ditësh, certifikatën e martesës ose një certifikatë të përbërjes familjare, e cila vërteton kryerjen e martesës.

Sa zgjat leja nga puna për martesë

Leja e martesës parashikon një periudhë mungese nga puna të paguar e me kohëzgjatje prej 15 ditësh (por kontratat kolektive kombëtare mund të parashikojnë periudha të ndryshme). Gjatë periudhës së kësaj lejeje, punonjësi ka të drejtën e një shpërblimi normal që në shumicën e rasteve është në ngarkim vetëm të punëdhënësit  (në disa raste, si në at të punëtoreve shtëpiake, Kontrata  kolektive kombëtare parashikon që shpërblimi për periudhën e lejes të merret kur paraqitet dokumentacioni që vërteton kryerjen e martesës).

Në qoftë se punonjësi i përket kategorive të punonjësve të ndërmarrjeve industriale, të artizanëve dhe kooperativave, një pjesë e pagës jepet nga punëdhënësi dhe një tjetër nga INPS-i. Leja duhet të kërkohet dhe të shfrytëzohet  brenda 30 ditëve nga data e martesës, me përjashtim të rasteve kur paraqiten rrethana të  paparashikueshme ose nevoja të veçanta të punëdhënësit. Leja e martesës është një leje e jashtëzakonshme, dhe si e tillë nuk mund të përkojë me lejen e zakonshme, as me periudhën e mundshme të paralajmërimit për pushim nga puna. Në rast se ajo përkon me lejen e zakonshme, punonjësi do t’i ruajë ditët e lejes së zakonshme dhe do të mund t’i shfrytëzojë në një periudhë të mëvonshme.

Çeku për lejen e martesës

Për disa kategori punonjësish një pjesë e shpërblimit për periudhën e lejes së martesës, jepet drejtpërdrejt nga INPS, nëpërmjet një çeku, pas paraqitjes së kërkesës për leje nga puna për martesë brenda një viti nga martesa dhe pas paraqitjes së certifikatës së martesës. Është fjala për disa kategori të veçanta punonjësish mes të cilëve përfshihen punëtorët, praktikantët, punonjësit që ofrojnë shërbimin e tyre në shtëpi (të cilët nuk janë bashkëpunëtorë familjarë, të ashtuquajtur colf ose badanti), punëtorët që me gjithë ekzistencën e marrëdhënies së punës, për ndonjë arsye të justifikuar nuk janë në punë (sëmundje, pezullim i përkohshëm nga puna).

I takon ky çek edhe punëtorëve të  papunë të cilët janë në gjendje të dëshmojnë të  tregojnë se në periudhën 90 ditore përpara datës së martesës, kanë punuar për të paktën 15 ditë pranë një punëdhënësi.

Pagesa nuk i takon të punësuarve të industrisë, artizanëve, kooperativave, dhe të përpunimit të duhanit me kualifikimin e nëpunësit, praktikantit ose të drejtuesit. Ashtu siç nuk i takon punonjësve të bujqësisë, të tregtisë, të fushës së kredive, të sigurimeve.

Mënyra e paraqitjes së kërkesës është e shpjeguar në faqen internet të INPS (www.inps.it).

Avokat Andrea De Rossi

Mbi të njëjtën temë mund të lexoni edhe:
 

Berishës i dorëzohet progres-raporti. “Fajin e ka opozita”

Java e Kulturës shqiptare në Trieste, falë studentëve të ASAT