Pas rasteve të ndryshme në mbarë Italinë, udhëzimet për kuesturat. Kush është martuar jashtë Italisë me një italian duhet konsideruar familjar i tij
Romë, 8 nëntor 2012 – Shtetasit e huaj që janë martuar jashtë Italisë me italianë të të njëjtës gjini kanë të drejtën e kartës së qëndrimit sepse konsiderohen familjarë. Pas rasteve të regjistruara në mbarë Italinë, nga ministria e Brendshme arrijnë udhëzime të qarta për Kuesturat.
Sqarimet kërkoheshin nga zyrat e imigracionit të Firences dhe Pordenones, të cilat nuk dinin si të vepronin me dy të huaj meshkuj që janë martuar me italianë në Spanjë. Përgjigjja mbërriti pak ditë më parë nga prefekti Rodolfo Ronconi, drejtor i përgjithshëm për imigracionin dhe policinë e kufirit.
Ronconi parashtron që ligji italian nuk e njeh martesën e homoseksualëve, por më pas i referohet një sentence të gjykatës, që “ka mbushur një boshllëk legjislativ”. Shkurtin e shkuar, kujton ai, gjykata e Reggio Emilias “ka konfirmuar mundësinë e aplikimit të dekretit legjislativ 30/2007 për lëshimin e dokumentit të qëndrimit, duke konsideruar të interesuarin jo me statusin e bashkëshortit që nuk njihet nga ligji, por thjesht si familjar”.
Ai vendim ka si “pararendës logjik” sentencën e Kasacionit 1328/2011, sipas së cilës nocioni i “bashkëshortit” vlerësohet në bazë të legjislacionit të vendit ku lidhet martesa. Për këtë arsye, “i huaji që ka lidhur martesë në Spanjë me një qytetar europian të të njëjtës gjini duhet konsideruar familjar për të drejtën e qëndrimit në Itali”.
Së fundi, Ronconi kujton edhe një sentencë të Gjykatës Kushtetuese (138/2010). Kjo pohon që çiftit homoseksual “i kuptuar si bashkëjetesë e qëndrueshme mes personash të të njëjtës gjini”, i takon “e drejta themelore e të jetuarit lirisht statusin e çiftit” dhe që “e drejta e unitetit të familjes që shprehet në garancinë e bashkëjetesës së bërthamës familjare përbën shprehjen e një të drejte themelore të individit”.
EP