Në lejen e qëndrimit do të shkruhet nëse është e vlefshme për punë. Trefishohet koha e lëshimit dhe e përtëritjes, të paktën në letër. Kërkesat e flukseve do të shqyrtohen vetëm nëse ka akoma kuota në dispozicion. Shfuqizohet norma diskriminuese që ndalonte punësimin e të huajve si shoferë të transportit publik. Dekreti në Gazetën Zyrtare
Romë, 24 mars 2014 – Nga 6 prilli 2014 do të jetë më e lehtë të kuptohet nëse një leje qëndrimi lejon punësimin e mbajtësit; do të ndryshojë procedura e shqyrtimit të kërkesave të flukseve të hyrjes; koha maksimale e parashikuar nga ligji për lëshimin, përtëritjen apo konvertimin e lejes së qëndrimit do të triplikohet (të paktën në letër, por nuk është rasti për t’u bërë merak sepse nuk mund t’i shqyrtojnë praktikat më ngadalë se sot). Gjithnjë nga 6 prilli, me ligj imigranti do të ketë të drejtë të bëhet edhe shofer i transportit publik.
Janë disa nga risitë që përmban një dekret legjislativ i botuar në Gazetën Zyrtare më 22 mars dhe që do të hyjë në fuqi pikërisht më 6 prill. Teksti përvetëson direktivën evropiane 2011/98, që ka të bëjë me “Procedurën e njësuar të kërkesës për lëshimin e një lejeje unike që u lejon qytetarëve të vendeve të treta të qëndrojnë e të punojnë në territorin e një shteti anëtar ë BE-së dhe me një sërë të drejtash për punonjësit e Vendeve të treta që jetojnë në mënyrë të ligjshme në një Shtet anëtar”.
Procedura që sjell të huajt me flukset dhe leja e qëndrimit unike, në të vërtetë, në Itali ekzistojnë tashmë: leja e qëndrimit që u jepet të huajve që vijnë me flukse, për shembull, është e vlefshme qoftë për qëndrimin qoftë për punën. Madje, edhe parashikimi tjetër i direktivës, barazia e trajtimit dhe e të drejtave të punonjësve të rregullt me punonjësit italianë, ekziston.
Dekreti sjell në fuqi edhe risi të tjera duke filluar nga shënimi “Perm. Unico lavoro” mbi lejet e qëndrimit që autorizojnë edhe mundësinë e punësimit të mbajtësit. Kjo do t’u lejojë punëdhënësve të kuptojnë menjëherë nëse mund të punësojnë një imigrant që ka ardhur në Itali për motive të tjera (si për bashkim familjar, për shembull), por që gjithsesi, sipas ligjit, mund të kërkojë punë.
Në këtë pikë ka edhe disa përjashtime. Edhe pse mund të lejojnë punësimin, nuk do të kenë të shkruar “Perm. Unico lavoro” lejeqëndrimet BE për qëndruesit afatgjatë, për punë stinore, për punë të pavarur, për motive humanitare, për refugjatë, për mbrojtje ndëkombëtare, për studime, dhe pëër disa figura profesionale që hyjnë në Itali jashtë kuotave të flukseve.
Me përvetësimin e direktivës futen edhe disa norma të tjera që mund të bëjnë bujë. Modikohet neni i Tekstit Unik sipas të cilit “leja e qëndrimit lëshohet, ripërtërihet apo konvertohet brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës” dhe kjo kohë ngrihet në 60 ditë. Bëhet 60 ditë, kundrejt 40 që karashikohen nga ligji sot, edhe koha brenda të cilës Sporteli Unik i Imigracionit duhet të shqyrtojë kërkesën për flukset e të lëshojë autorizimin për hyrjen e punonjësit në Itali. Por sidoqoftë vështirë që këto dy norma të përkeqësojnë situatën. Të ngrejë dorën ai që ka marrë lejen e qëndrimit brenda 20 ditëve. Apo punëdhënësi që ka marrë brenda 40 ditëve autorizimin për sjelljen në Itali të punonjësit. Praktikisht flasim për procedura që. Pavarësisht nga ç’thotë ligji, që nuk zgjasin me ditë por me muaj në mos vite.
Një risi e ardhur në fuqi me këtë dekret do të lehtësojë disi barrën e sporteleve unike për Imigracionin. Dekreti thotë që kërkesat për punësimin nga jashtë “shqyrtohen deri në arritjen e kufirit maksimal të kuotave” të vendosura nga dekreti i flukseve. Kërkesat që mbi këtë kufi mund të shqyrtohen vetëm “nëse ndonjë kuotë do të jetë përsëri në dispozicion”.
Çfarë ndryshon me këtë normë? Kur mbarojnë kuotat e flukseve, Sportelet Unike për Imigracionin mund të mos i shqyrtojnë hiç praktikat e tjera, e nuk janë të detyruara të komunikojnë motivin e hedhjes poshtë të kërkesave.
Dekreti heq edhe detyrimin e demonstrimit të kontratës së qëndrimit për përtëritjen e lejes së qëndrimit për punë. Një kontratë e mirëfilltë qëndrimi lidhet vetëm në punësimin e parë të punonjësit të huaj në Itali. Më pas, nëse ndërrohet punëdhënësi, komunikimi i zakonshëm i punësimit përmban edhe informacionet që parashikoheshin nga kontrata e qëndrimit.
Së fundi, dekreti i sapobotuar në Gazetën Zyrtare shfuqizon një nën të një dekreti mbretëror të vitit 1931 sipas të cilit personeli i hekurudhave, autobusëve, i transportit publik në përgjithësi duhej të ishte patjetër shtetas italian. Është fjala për një normë të një epoke tjetër, që prej vitesh gjykata të ndryshme e kanë deklaruar të shfuqizuar edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse e kanë konsideruar diskriminuese. Por shumë ndërmarrje transporti lokal vazhdonin ta konsideronin të vlefshme, duke përjashtuar të huajt nga konkurset për vendet e lira të punës.
EP