in

Lejeqëndrime të reja elektronike në horizont

Parashikohet ndërrimi i lejeqëndrimeve të tanishme elektronike me të reja në përputhje me normativat europiane. Rregulla të rrepta për mbrojtjen e të dhënave, fotografive dhe të shenjave të gishtërinjve të emigrantëve

Romë, 6 korrik 2012 – Lejeqëndrimi elektronik që kanë në xhep miliona shtetas të huaj në Itali është tashmë i vjetëruar. Do të zëvendësohet nga një i ri, i teknologjisë më të fundit që i përshtatet normativës europiane mbi dokumentete qëndrimit të shtetasve të vendee të treta në BE dhe që një muaj më parë ka marrë edhe aprovimin e Garantit të privatësisë.

Dokumenti do të sillet në fuqi me një dekret ministerial që është gati tashmë për firmën e ministrit të Brendshëm, të Administratës publike dhe të Ekonomisë. Dokumenti i ri i qëndrimit të të huajve në Itali do të jetë një teserë plastike e pajisur me një mikroprocesor me radio-frekuencë “contact-less”, pra i fshehur në brendësi të saj, që do të përmbajë të dhënat identifikuese (emër, mbiemër, etj.) dhe biometrike (fotografi dhe shenjat e gishtave tregues të të dyja duarve të titullarit) dhe do të  mund “të lexohet” vetëm nga organet e kontrollit për të verifikuar identitetin e emigrantit dhe vërtetësinë e dokumentit.

Të dhënat do të përfshihen në një bankë të dhënash pranë qendrës elektronike kombëtare (CEN) të policisë së shtetit. Të dhënat personale dhe fotografitë, lexohet në vendimin aprovues të Garantit, do të mbahen “për aq kohë sa zgjat leja e qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë , e për një periudhë jo më të gjatë se dhjetë vjet për të gjitha tipet e tjera të lejeve të qëndrimit”, ndërsa ruajtja e shenjave të gishtërinjve do të lejohet për “kohën e nevojshme të komletimit të procedurave administrative të lëshimit apo të përtëritjes” së dokumentit.

Të dhënat e pranishme në teserë dhe të ruajtura pranë CEN do të mund të përdoren vetëm për qëllime të lidhura ngushtë me verifikimin dhe administrimin e lejeve të qëndrimit. Për më tepër, duke shprehur mendim pozitiv mbi skemën e dekretit, Garanti ka rezervuar të drejtën e vlerësimit edhe të rregullave teknike që do të nxirren nga një komision ndërministror, i ngritur pranë ministrisë së Brendshme, “me të cilat do të saktësohen masat që do të adoptohen për garantimin e integritetit dhe të sigurisë së të dhënave, veçanërisht të elementeve biometrike”.

Lejeqëndrimi i ri ashtu si aktuali do të shtypet në Poligrafikun e Shtetit, por sidoqoftë do të kalojë kohë para se emigrantët të fusin në xhep. Edhe për faktin që pas miratimit të dekretit dhe të rregulloreve përkatëse, do të nisë një fazë eksperimentale vetëm në provincën e Viterbos.

Roaming. Hyn në fuqi rregullorja e BE-së që përcakton një tavan për tarifat

Miratohet përfundimisht dekreti i sanksioneve për punën në të zetë. E sanatoria?