in

Lejeqëndrime vetëm atyre që paguajnë taksën, urdhri që u jepet Kuesturave

Ministria e Brendshme jep udhëzimet (në një kohë rekord) pas vendimit të Këshillit të Shtetit. Do të kontrollohen edhe kërkesat e paraqitura gjatë muajve të shkuar

Romë, 20 shtator 2016 – “URGENTISSIMO”. Me një urgjencë të kuptueshme, ministria e Brendshme u ka komunikuar të gjitha Kuesturave ringjalljen e taksës mbi lejet e qëndrimit.

Kur, në maj, kontributi për lëshimin e përtëritjen e dokumenteve të qëndrimit (nga 80 deri në 200 euro) u hoq nga një sentencë e TAR-it, ministria e Brendshme nuk u merakos shumë të lajmëronte sa më parë kuesturat për risinë duke lënë për javë të tëra zyrat e imigracionit e qytetarët e huaj pa asnjë lloj informacioni. Vetëm në korrik, dhe tërthorazi, u mësua që kuesturat po i përshtateshin vendimit e që po pranonin e përpunonin praktikat pa kërkuar taksën.

Më 14 shtator, ama, Këshilli i shtetit pezulloi sentencën e TAR-it, duke risjellë në fuqi taksën të paktën deri më 13 tetor kur do të mbahet një senacë mbi këtë çështje e do të jepet vendimi përfundimtar mbi pezullimin. Nuk kanë kaluar as dy ditë dhe Drejtoria e Imigracionit e Departamentit të Sigurisë Publike nisi një mesazh “shumë urgjent” që u shpjegon të gjithë kuestorëve pasojat e këtij vendimi të ri.

Kuesturat, thotë mesazhi, “do të kenë kujdes të lëshojnë e të përtërijnë lejet e qëndrimit vetëm nëse është paguar, nga i interesuari, shuma e parashikuar nga neni 5 paragrafi 2/ter, i tekstit unik për imigracionin”. E do të duhet “të bëjnë të njëjtin verifikim edhe për kërkesat e paraqitura para 14 shtatorit që akoma nuk janë mbyllur me lëshimin e dokumentit të qëndrimit”.

Me fjalë të tjera mesazhi thotë që kush kërkon sot e tutje lejen e qëndrimit duhet të paguajë taksën, nga 80 në 200 euro, përndryshe kërkesa nuk do të shqyrtohet. Por edhe kërkesat e paraqitura gjatë muajve të shkuar pa paguar taksën do të bllokohen. Deri kur? Këtë ministria nuk e thotë, por është e mundur që t’u kërkohet të interesuarve të paguajnë taksën për të shbllokuar praktikat.

Dhe e gjithë kjo ndërsa afrohet 13 tetori, kur mund të ketë sërish të papritura në kah të kundërt.

Elvio Pasca 

Lexo mesazhin shumë urgjent të nisur kuesturave

 

Brescia. 99 arrestime në një operacion antidrogë

“Shqipëria, 1207 km lindje”, ekspozitë e artistëve shqiptarë në Marsejë