Nga 29 maji deri më 15 korrik, çdo të mërkurë e të premte nga ora 10:30 në faqet Confronti të portalit të Shoqërisë Dante Alighieri do të prezantohen 14 shkrimtare e shkrimtarë të huaj që jetojnë në Itali e përdorin gjuhën italiane për të rrëfyer.
Mes shkrimtarëve të përzgjedhur edhe shqiptarët Darien Levani e Artur Spanjolli, përveç Karim Metref, Christiana de Caldas Brito, Anna Belozorovitch, Božidar Stanišic, Candelaria Romero, Mihai Mircea Butcovan, Adrián N. Bravi, Yousef Wakkas, Kossi A. Komla-Ebri, Amor Dekhis, Hu Lanbo dhe Widad Tamini. Levani do të jetë on line nga 12 qershori, ndërsa Spanjolli nga 8 korriku.
Siç shpjegojnë kuratoret projektit, Lucilla Pizzoli e Gabriella Cartago, është fjala për 14 intervista që kanë për qëllim të bëjnë të njohur disa nga autorët më domethënës të një prodhimtarie letrare me interes veçanërisht për ata që punojnë me gjuhën italiane: janë të gjithë shkrimtarë që nuk kanë gjuhë amtare italishten. Secili prej tyre, i ushqyer edhe me referenca kulturore të lidhura me vendlindjen ose me tokën e origjinës së familjes, në një mënyrë krejt personale ka krijuar një marrëdhënie intime me italishten duke e ndërthurur atë pashmangshmërisht me kode të tjera gjuhësore, dhe e ka përzgjedhur si formën gjuhësore shprehëse në veprimtarinë e vet letrare.
Shpesh në veprat e tyre gjejmë tinguj, fjalë, fraza të gjuhës amtare. Ndonjëherë në to eksperimentohen metafora dhe similituda të përftuara nga një imagjinar larg atij të zakonshmit për lexuesin italian. Madje propozohen edhe fjalë të reja duke luajtur me kombinimin e italishtes dhe gjuhëve të tjera.
Nga intervistat dalin në dritë pikërisht sa më sipër, por edhe aspekte të tjera thelbësore për punën e një shkrimtari si marrëdhënia me kulturën dhe letërsinë italiane, autorët të cilëve u referohen, temat e shkrimit, reflektimi mbi identitetin.
Projekti Confronti lind nga një bashkëpunim mes Shoqërisë Dante Alighieri e Qendrës kërkimore Lidia (Lingue d’adozione e universitetit shtetëror të Milanos).