Prej dy muajsh në Konsullatën e Milanos, çdo shërbim që parashikon praninë e të interesuarve kryhet duke marrë takim në një numër telefonik me tarifë speciale, deri në 15 euro telefonata. Që në fillim Shqiptariiitalise ngriti zërin kundër kësaj takse të vendosur në mënyrë arbitrare nga konsullata e Milanos, që u justifikuar me faktin se duhet të përballojë një numër të madh qytetarësh çdo ditë.
Çështja iu shtrua edhe ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto që u përgjigj “është një çështje të cilën ne jemi duke e shqyrtuar, duke parë mundësinë për të reaguar në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave. Prandaj shumë shpejt do të kemi një ndërhyrje për sa i përket ndryshimit të këtij regjimi që ekziston aktualisht”. Kështu u shpreh ministri më 30 mars, e deri më sot nuk dimë të ketë ndonjë reagim, shqiptarët që duhet të marrin shërbime dhe informacione konsullore në Milano vazhdojnë të prenotojnë takimet përmes telefonit me tarifë të lartë.
Para pak ditësh, ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi konsullatën e Milanos pasi nuk varet nga ana administrative prej tij, por la të kuptohej që ishte kundër një zgjedhjeje të tillë: “E vetmja gjë që unë mund të them është se zyra konsullore në Romë ofron modelin e saj të punës. Këtu u shërbejmë të gjithëve shtetasve shqiptarë që paraqiten në sportel, edhe sikur punonjësve të konsullores t’u duhet të rrinë në punë deri në 7 të darkës. Pa prenotim, pa asnjë qindarkë më shumë nga ç’janë tarifat shtetërore. Shtimin e fluksit jemi përpjekur ta zgjidhim duke shtuar një person në ndihmë të ekzistuesit që merret me pasaportat”.
On line, (siç mund të shohë kushdo nën artikujt mbi këtë temë, apo në profilin facebook të gazetës) vazhdojnë komentet e qytetarëve kundër prenotimit me pagesë. Këtu sjellim letrën e nisur konsulles së përgjithshme të Milanos dhe redaksisë së gazetës nga Oneda Kabali, që mes të tjerash shkruan: “kontrollova në internet ambasadat/konsullatat e disa shteteve të tjera (Kroacia, Hungaria, Mbretëria e Bashkuar) dhe asnjëra nga këto përfaqësi u kërkon shtetasve të paguajnë shifra absurde për një informacion ose takim”.
Znj. Nauzika Spahia!
Të njejtat lajme i gjeta edhe në faqen zyrtare të konsullatës, domethënë janë informacione zyrtare.
Para se t’ju shkruaja kontrollova në internet ambasadat/konsullatat e disa shteteve të tjera (Kroacia, Hungaria, Mbretëria e Bashkuar) dhe asnjëra nga këto përfaqësi u kërkon shtetasve të paguajnë shifra absurde për një informacion ose takim. Të gjitha këto përfaqësi diplomatike vënë në dispozicion të shtetasve nr. telefoni me tarifë urbane.
Persona, bashkatdhetarë, që kanë telefonuar në këtë nr. sjellin dëshmi që kanë shpenzuar 12,00 – 13,00 euro për të marrë takim për praktikën e pasaportës biometrike.
Është ABSURDE që një shërbim konsullor të ketë një nr telefoni që kushton nga 1,00 euro deri në 1,80 euro në minutë.
Konsullata ka detyrim ndaj shtetasve që përfaqëson të japë informacion FALAS.
Të flasim me konsullatë/ambasadën shqiptare për ne është nevojë jo dëshirë, është e pamoralshme që shteti të fitojë para mbi nevojat e shtetasve që përfaqëson.
Me respekt
Oneda Kabali
Mbi këtë temë
Taksa-shtesë mbi dokumentet e Republikës Autonome të Konsullatës Shqiptare në Milano
Ambasadori Kola: “Nuk përgjigjem për Milanon. Ju tregoj modelin tonë”
Ministri i Jashtëm Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos