in

Ligji për diasporën

Më 5 prill 2018 Kuvendi i Shqipërisë miratoi për të parën herë një ligj për Diasporën. Përcakton personat që përfshihen në termin “Diasporë”, organet që mbulojnë apo do të jenë përgjegjëse për marrëdhëniet e shtetit me të dhe rregullat e kompetencat e secilit prej organeve, si do të realizohet mbajtja dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe Diasporës, si dhe organizimin e përfaqësimit të Diasporës.
Në vijim, teksti i plotë i ligjit:

 

LIGJ Nr. 16/2018 PËR DIASPORËN
botuar në Fletoren Zyrtare nr. 56 të datës 20 prill 2018

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për:
a) kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën;
b) mënyrën e mbajtjes, të forcimit dhe realizimit të lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës;
c) krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës;
ç) dhënien e çmimeve kombëtare në fushën e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;
d) ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet shtetërore në vendin e origjinës.

Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Agjencia Kombëtare e Diasporës”, në vijim “Agjencia”, është organi shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën.
2. “Diaspora” përfshin:
a) komunitetet e hershme shqiptare në botë;
b) çdo person, i cili është lindur në Shqipëri dhe jeton jashtë kufijve të saj;
c) çdo person që gëzon origjinë shqiptare, i cili ka lindur jashtë kufijve të Shqipërisë, mban lidhje gjuhësore, kulturore e të traditës në vazhdimësi dhe që ka dëshirë të ruajë lidhjet me Shqipërinë.
3. “Ministër përgjegjës” është ministri që mbulon fushën e veprimtarisë shtetërore për marrëdhëniet me diasporën.
4. “Vend i origjinës” është Republika e Shqipërisë.
5. “QKD” është qendër kulturore për diasporën, themeluar në vendet me interes për diasporën dhe Republikën e Shqipërisë.
6. “Këshilli Koordinues i Diasporës” (Këshilli) është organi përfaqësues dhe koordinues i marrëdhënieve me diasporën.
7. “Organizata e diasporës” është organizim vullnetar i pjesëtarëve të diasporës.

KREU II
ORGANET SHTETËRORE PËRGJEGJËSE PËR MARRËDHËNIET ME DIASPORËN

 

Neni 3
Organet shtetërore përgjegjëse për diasporën
Organet shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë:
1. Këshilli i Ministrave.
2. Komiteti Shtetëror për Diasporën.
3. Ministri përgjegjës për diasporën.
4. Këshilli Koordinativ për Diasporën.
5. Agjencia Kombëtare e Diasporës.
6. Qendrat kulturore për diasporën.
7. Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.
8. Qendra e Botimeve për Diasporën.
9. Autoritete të tjera shtetërore, në përputhje me fushën e tyre të veprimtarisë.

Neni 4
Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave përcakton:
a) politikat e vendit të origjinës për diasporën, për t’u zbatuar nga organet shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën;
b) mënyrën dhe politikat për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 5
Ministri përgjegjës për diasporën
Ministri përgjegjës për diasporën ushtron këto kompetenca:
a) i propozon Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve rregulluese dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme për realizimin e politikës shtetërore për marrëdhëniet me diasporën;
b) mbikëqyr dhe koordinon zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Marrëdhëniet me Diasporën;
c) mban dhe monitoron marrëdhëniet me diasporën;
ç) krijon dhe përditëson në mënyrë sistematike të dhëna për organizimin e saj në forume;
d) bashkëpunon me ministritë përgjegjëse, sipas fushave të veprimtarisë, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në vendet ku jeton diaspora;
dh) i propozon Kryeministrit dhënien e çmimeve për kontribute të veçanta në ruajtjen e forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, si dhe për kontribute të veçanta në promovimin e Shqipërisë në botë;
e) krijon marrëdhënie dhe promovon aktivitete përafruese e lidhëse me ambasadat përkatëse në shtete ku jeton diaspora;
ë) ushtron kompetenca të tjera, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 6
Qendrat kulturore për diasporën
1. QKD-të krijohen me qëllim ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Republikës së Shqipërisë.
2. QKD-të ushtrojnë veprimtarinë në vendet me interes për diasporën e Republikës së Shqipërisë dhe hapen në marrëveshje me këto vende.
3. Kreu i QKD-së emërohet dhe lirohet me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme, me propozim të ministrit përgjegjës për diasporën. Kreu i QKD-së gëzon status diplomatik, për periudhën e ushtrimit të detyrës dhe pajiset me pasaportë diplomatike.
4. QKD-ja është në varësi të kreut të misionit diplomatik të akredituar në atë vend dhe ushtron funksionet në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga ky ligj dhe detyrime të tjera që burojnë nga legjislacioni në fuqi.
5. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e QKDsë rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës. Rregullat e hollësishme për rekrutimin e punonjësve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për diasporën dhe ministrit përgjegjës për punët e jashtme.
6. Krijimi, organizimi, mënyra e funksionimit dhe nivelet e pagave të QKD-së miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Struktura dhe organika e QKD-së miratohen me urdhër të Kryeministrit.
8. Agjencia Kombëtare e Diasporës bashkëpunon dhe koordinon veprimtaritë me QKD-të.

Neni 7
Përgjegjësitë e QKD-së
1. QKD-ja ka përgjegjësi:
a) të promovojë Shqipërinë;
b) të nxitë dhe të zhvillojë njohuri për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë;
c) të nxitë bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv e ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës;
ç) të ofrojë informacione për investimet në Shqipëri, lehtësitë fiskale, organizimet kulturore e arsimore, takime me bashkatdhetarët dhe me institucione shtetërore në Shqipëri;
d) të mbështetë dhe të organizojë veprimtaritë kulturore, edukative e sportive;
dh) të kryejë detyra të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
2. Kreu i QKD-së merr udhëzime nga ministri përgjegjës për diasporën, nëpërmjet kreut të misionit diplomatik të vendit ku është akredituar dhe i informon ata në mënyrë të rregullt për aktivitetin e tij.

Neni 8
Financimi i QKD-së
Mjetet për veprimtari të QKD-së sigurohen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhura nga projekte, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.

KREU III
MBAJTJA, FORCIMI DHE REALIZIMI I LIDHJEVE NDËRMJET VENDIT TË ORIGJINËS DHE DIASPORËS

Neni 9
Lidhjet ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës
Mbajtja, forcimi dhe realizimi i marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës realizohen nëpërmjet:
a) përmirësimit të pozitës së pjesëtarëve të diasporës dhe mbrojtjes së të drejtave e interesave të tyre nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare dy a shumëpalëshe, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare;
b) përdorimit e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe ruajtjes së identitetit kulturor, etnik, gjuhësor;
c) promovimit të bashkëpunimit ekonomik, lehtësimit fiskal ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;
ç) sigurimit të kushteve për funksionimin e Këshillit Koordinues të Diasporës;
d) dhënies së çmimeve kombëtare për kontribut të veçantë në ruajtjen, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, promovimin e Shqipërisë në botë dhe përkrahjen e interesave të saj.

Neni 10
Përkrahja për mësimin dhe avancimin e gjuhës shqipe
1. Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, ndihmon në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe.
2. Ministri përgjegjës, së bashku me ministrinë përgjegjëse për arsimin, sipas programit arsimor, ndihmon dhe përkrah zhvillimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe në vendet ku ka një numër të madh pjesëtarësh të diasporës, shtrirje më kompakte apo interes të veçantë shtetëror.
3. Ministri përgjegjës për diasporën dhe ministri përgjegjës për arsimin nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me institucionet shtetërore homologe të vendeve ku jetojnë pjesëtarë të diasporës për organizimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe dhe njohurive të tjera kulturore për Republikën e Shqipërisë.
4. Organizimi i procesit mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në vendet përkatëse, ku jeton dhe vepron diaspora, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për diasporën dhe ministrit përgjegjës për arsimin, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në fuqi.
5. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ndihmon në shpërndarjen e librave të përshtatur për mësimin dhe avancimin e gjuhës shqipe e të njohurive të tjera kulturore për Republikën e Shqipërisë në vendet ku jeton dhe vepron diaspora.
6. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, përgatit dhe zbaton programe për mësimin e gjuhës shqipe në distancë, nëpërmjet internetit (programe telefoni ose tabletë) dhe rrjeteve e kanaleve elektronike të komunikimit masiv, mësimin e historisë së Shqipërisë dhe njohurive të tjera kulturore për të, organizon seminare trajnuese për mësuesit, promovon dhe merr masa të ndryshme për inkurajimin e mësimit plotësues për pjesëtarët e diasporës.

Neni 11
Bashkëpunimi kulturor dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë
1. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, përkrah aktivitetet kulturore të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe promovimin e shtrirjes së tyre.
2. Në Muzeun Historik Kombëtar themelohet një pavion i veçantë për diasporën.
3. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, mbështesin komunitetet shqiptare në shtetet e ndryshme ku ata jetojnë dhe ndihmojnë, nxisin e zhvillojnë marrëdhënie ndërkulturore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve përkatëse, sipas këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore.
4. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, ndihmon të rinjtë në promovimin, ruajtjen, kultivimin e identitetit kulturor, gjuhësor dhe të trashëgimisë kulturore në interes të kujtesës historike për vendin e origjinës, nëpërmjet thirrjeve publike të posaçme për bashkëpunime konkrete dhe nxjerrjen e kalendarëve të eventeve të mundshme të bashkëpunimit ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës.

Neni 12
Bashkëpunimi në fushën e sportit
Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për sportin, përkrah aktivitetet sportive të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, të trashëgimisë kulturore, si dhe promovimin e shtrirjes së tyre.
Neni 13
Informimi
1. Radiotelevizioni Shqiptar siguron një kanal transmetimi me program radioteleviziv për diasporën. Shpenzimet për prodhimin e programeve të dedikuara për diasporën dhe transmetimin përballohen nga buxheti i shtetit.
2. Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, mundëson aksesin në fondin e librave online, pa pagesë, për edukimin dhe letërsinë, dedikuar interesave të diasporës.
3. Këshilli i Ministrave nxit dhe inkurajon aktivitetet mediatike të pjesëtarëve të diasporës së Shqipërisë, bazuar në efikasitetin e veprimtarisë së tyre.

Neni 14
Ekonomia dhe shkenca
1. Ministri përgjegjës për diasporën i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e shkencës e të zhvillimit të teknologjive të reja ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik dhe masave të ndryshme të politikës ekonomike, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë.
2. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shtetërore, përkrah bashkëpunimin me figurat e shquara të shkencës, pjesëtarë të diasporës, në projektet kërkimore institucionale.

Neni 15
Çmimi vjetor i diasporës
1. Për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës akordohet çmimi “Ambasador i kombit”.
2. Kriteret dhe mënyra e ndarjes së çmimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 16
Burimet financiare
Fondet për ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve të vendit të origjinës e diasporës sigurohen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhura nga projekte, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.

KREU IV
ORGANIZIMI I DIASPORËS

Neni 17
Organizata e diasporës
1. Organizata e diasporës është një organizim vullnetar, jofitimprurës i diasporës, që vepron në përputhje me rregullat e vendit të huaj ku jeton diaspora.
2. Organizata e diasporës ka si qëllim promovimin e Shqipërisë dhe përkrahjen e interesave shtetërorë të saj, ruajtjen e nxitjen e marrëdhënieve kulturore, arsimore, shkencore, humanitare dhe sportive me vendin e origjinës.

Neni 18
Këshilli Koordinues i Diasporës
1. Këshilli Koordinues i Diasporës (Këshilli) përfaqëson dhe koordinon marrëdhëniet me diasporën.
2. Këshilli ka këto kompetenca:
a) identifikon problemet e diasporës, i propozon ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën;
b) miraton rregulla procedurale për përmbushjen e veprimtarisë së tij dhe procedurën e vendimmarrjes.
3. Përgjegjësitë profesionale, të përdorimit të fondeve dhe ato administrative, për Këshillin do të ushtrohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.
4. Agjencia Kombëtare e Diasporës kryen funksionet e sekretariatit teknik.

Neni 19
Përbërja e Këshillit
1. Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët janë përfaqësues të diasporës.
2. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri, ministrat përgjegjës për diasporën, punët e jashtme, punët e brendshme, për financat dhe ekonominë, arsimin, kulturën, Akademia e Shkencave, Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë, Radiotelevizioni Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Diasporës, si dhe përfaqësues të qendrave kulturore të diasporës.
3. Presidenti i Republikës, me kërkesën e tij dhe në koordinim me Kryeministrin dhe ministrin e shtetit përgjegjës për diasporën, merr drejtimin e mbledhjeve të veçanta të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Neni 20
Kriteret për zgjedhjen në Këshill
1. Përfaqësuesit e diasporës, të cilët do të jenë anëtarë në Këshill, duhet të përmbushin këto cilësi:
a) të kenë integritet të lartë dhe reputacion në komunitetin ku ata jetojnë;
b) të kenë aftësi për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës.
2. Përfaqësuesit e diasporës zgjidhen sipas këtij rendi:
a) tre përfaqësues nga diaspora e Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
b) dy përfaqësues nga diaspora e Kanadasë;
c) gjashtë përfaqësues nga diaspora e Evropës;
ç) një përfaqësues nga diaspora e Turqisë;
d) një përfaqësues nga diaspora e Australisë;
dh) dy përfaqësues nga Britania e Madhe.
3. Rregullat e hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Vendi i origjinës nuk ushtron influencë në procedurat dhe kushtet e zgjedhjes së përfaqësuesve në Këshill.
5. Vendimi për zgjedhjen e përfaqësuesve i njoftohet ministrit përgjegjës për diasporën të paktën 30 ditë përpara datës së përcaktuar për mbledhjen e Këshillit.

Neni 21
Mbledhja e Këshillit
1. Këshilli mblidhet, si rregull, Ditën Kombëtare të Diasporës.
2. Këshilli mund të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, me kërkesën e, të paktën, 1/3 së të përfaqësuarve ose me kërkesë të ministrit përgjegjës për diasporën, me një program të përcaktuar paraprakisht.
3. Këshilli, sipas nevojës, mund të krijojë grupe pune për të trajtuar çështje teknike, me natyrë ekonomike, statutore, kulturore, shkencore e sportive. Numri i anëtarëve dhe mënyra e organizmit e funksionimit të grupeve të punës përcaktohet me vendim të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Neni 22
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës
1. Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës ka për mision sigurimin dhe shpërndarjen e mjeteve financiare, në kuadrin e nxitjes së zhvillimit socialekonomik e kulturor, bazuar në strategjitë e caktuara prioritare për diasporën, si edhe brenda vendit, nëpërmjet promovimit, inkurajimit dhe orientimit të prirjeve filantropike dhe investimeve të diasporës në mbështetje të zhvillimit në Republikën e Shqipërisë e jashtë saj.
2. Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës shërben si mekanizëm i njohur nga ligji për orientimin e prirjeve filantropike/donacioneve dhe investimeve të anëtarëve të diasporës në përpjekjet për zhvillimin social-ekonomik e kulturor në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj.
3. Rregullat për veprimtarinë, organizimin dhe funksionimin e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës miratohen me ligj të veçantë.

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 23
Qendra e Botimeve për Diasporën
1. Botimi i teksteve të veçanta, të cilat i shërbejnë diasporës, realizohet nëpërmjet Qendrës së Botimeve për Diasporën që financohet nga buxheti i shtetit dhe organizohet e funksionon në varësi të ministrit përgjegjës për diasporën.
2. Krijimi, organizimi dhe funksionimi i Qendrës së Botimeve për Diasporën rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 24
Marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë
Për ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, në përbërje të Komisionit të Përhershëm për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, krijohet një nënkomision “Për diasporën dhe migracionin”, i cili organizohet dhe funksionon sipas parashikimeve ligjore për nënkomisionet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 25
Dita e diasporës
Data 18 dhjetor caktohet si Dita Kombëtare e Diasporës.

Neni 26
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës,
Këshilli Koordinues për Diasporën, Qendrat Kulturore për Diasporën dhe Qendra e Botimeve për Diasporën kanë logot e tyre. Modeli i logove është sipas formatit të anekseve bashkëlidhur këtij ligji.

Neni 27
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 4; 6, pikat 5 e 6; 10, pika 4; 15, pika 2; 20, pika 3; dhe 23, pika 2, të këtij ligji.

Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 5.4.2018

Shpallur me dekretin nr. 10765, datë 18.4.2018,
të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Autorja Irma Kurti e ftuar në ”Një anije me libra për Barcelonë”

Angela Kosta: “Edhe milioneri varfërohet nëse nuk gëzon dashurinë e familjes”